NHMI zakonisht nuk mbështetet në një gënjeshtër të vetme, por në një kombinim të ritmit të publikimeve, emocioneve në përmbajtje, përsëritjes dhe maskimit të burimit.
Në një qytet ballkanik, vonë pasdite, redaksia merr një link “ekskluziv”. Teksti duket i saktë: një titull neutral, dy deklarata “të cituara”, një fotografi që duket autentike. Në dhjetë minutat e ardhshme, e njëjta përmbajtje shfaqet në disa portale të tjera – me formulime pothuajse identike. Në rrjetet sociale, postimet vijnë me valë, si sipas një orari: fillimisht pyetje shqetësuese, pastaj “dëshmi”, më pas thirrje për reagim dhe kërcënime se “mediat po fshehin”.
Gazetari i ri bën një pyetje që duhet t’ia bëjë vetes çdo redaksi: “A është kjo thjesht dezinformim, apo diçka e koordinuar?”
Ky shembull është fiksion, por njëkohësisht edhe realitet për një pjesë të gazetarëve, prandaj në praktikën evropiane dukuri të tilla përshkruhen gjithnjë e më shpesh me termin ndërhyrje e huaj dhe manipulim i informacionit – NHMI (Foreign Information Manipulation and Interference – FIMI), që përfaqëson aktivitete të qëllimshme, të koordinuara dhe manipuluese, shpesh nga aktorë të huaj ose ndërmjetësit e tyre, të cilat cenojnë formimin e lirë të vullnetit politik dhe minojnë besimin në proceset demokratike.
Pse NHMI nuk është “thjesht verifikim faktesh”
NHMI zakonisht nuk mbështetet në një gënjeshtër të vetme, por në një kombinim të ritmit të publikimeve, emocioneve në përmbajtje, përsëritjes dhe maskimit të burimit. Qëllimi shpesh nuk është të besohet një pasaktësi specifike, por të krijohen tre efekte:
të ngjallet panik, të thellohet polarizimi dhe të ulet besimi se “diçka mund të verifikohet”.
Për këtë arsye, në dokumentin e ri të politikave të Institutit për Studime të Komunikimit (ISK) “Ekosistemi mediatik dhe ndërhyrja e huaj dhe manipulimi i informacionit
Matrica që sjell rend: katër kategori kanalesh
Një kornizë praktike që u ndihmon redaksive të mendojnë në mënyrë të strukturuar është Matrica e ekspozimit ndaj NHMI (FIMI Exposure Matrix) dhe vizualizimi me “majën e ajsbergut”: pjesa e dukshme është vetëm maja, ndërsa infrastruktura dhe koordinimi më i rëndësishëm janë nën sipërfaqe.
Në këtë logjikë, kanalet që mbartin manipulimin në mënyrë që të njihen më lehtë, dhe kështu të trajtohen në përputhje me rrethanat, grupohen në katër kategori:
Kanalet zyrtare shtetërore – Profilet zyrtare dhe faqet e internetit të institucioneve, përfaqësuesit e tyre dhe zërat zyrtarë që diktojnë tonin dhe shpesh “legjitimojnë” historinë e shtresave të tjera.
Media të kontrolluara nga shteti – Media që financohen, menaxhohen ose kontrollohen në mënyrë editoriale nga shteti, me një lidhje publike dhe të njohur siç janë shërbimet publike ose agjencitë publike për informim.
Kanalet e lidhura me shtetin – Media formalisht të pavarura, portale ose rrjete që veprojnë nën mbikëqyrje ose me mbështetje të aktorëve të lidhur me shtetin ose partinë, por që nuk e bëjnë këtë publike. Për t’i njohur ato shpesh ndihmojnë treguesit teknikë (të dhëna për domenin, struktura pronësore, financim (jo)transparent, publikime të sinkronizuara, modele teksti etj.).
Kanale të harmonizuara me shtetin – Burime që nuk mund t’i referohen zyrtarisht një subjekti shtetëror, por tregojnë pajtueshmëri sistematike dhe karakteristika të ngjashme të sjelljes, duke luajtur një rol të rëndësishëm në aktivitetet e NHMI-së.
Ky mjet i punës mund t’u shërbejë veçanërisht gazetarëve dhe redaktorëve për t’i ndihmuar të vendosin nëse do të publikojnë diçka që duket si lajm normal, por që në të vërtetë mund të jetë pjesë e një strategjie të koordinuar për përhapjen e dezinformatave.
Vunerabiliteti ballkanik: ku “çalon” më shumë sistemi
Në Maqedoninë e Veriut (dhe rajonin) NHMI vendoset lehtë për shkak të dobësive reale: treg i vogël, vunerabilitet ekonomik i mediave, polarizim politik dhe varësi e lartë nga platformat. Analiza e IKS-së Tregon saktë se masat kundër NHMI-së nuk janë vetëm “anti-dezinformata”, por edhe çështje e përgjegjësive institucionale dhe të platformave, veçanërisht brenda kuadrit të rregulloreve evropiane.
Nga perspektiva e redaksive, boshllëqet shpesh bëhen të dukshme pikërisht kur godet një “valë e dyshimtë”, sepse në atë moment hyn në një regjim vendimesh të shpejta, pa mjaftueshëm kohë dhe pa rutina të dakorduara paraprakisht – kush kontrollon, kush shkon në terren, kush verifikon video/foto, kush arkivon prova dhe si komunikon me publikun kur institucionet heshtin. Nxitimi zvogëlon verifikimin dhe rrit mundësinë e amplifikimit të përmbajtjes manipuluese. Dhe kur gazetarët hyjnë në verifikim dhe kontekst, ata shpesh janë shënjestra e sulmeve të organizuara në internet.
UNESCO në sondazhin e saj global për dhunën në internet kundër gazetarëve thekson se urrejtja në internet shpesh “ndërthuret” me dezinformimin. Një pjesë e të anketuarve tregojnë se janë targetuar në sulme të lidhura me fushata të orkestruara dezinformuese, ndërsa një pjesë e konsiderueshme raportojnë edhe auto-censurë dhe pasoja negative për shëndetin mendor, gjë që zvogëlon drejtpërdrejt rezistencën redaksionale dhe rrit koston e punës profesionale.
Çfarë të bëjmë: mbrojtje pa censurë, me disiplinë
Gabimi më i rrezikshëm është të përgjigjemi ndaj NHMI-së me një refleks kontrolli. Evropa bën pikërisht këtë dallim: qëllimi është integriteti i informacionit dhe transparenca, jo “ministria e së vërtetës”.
Në praktikë, kjo do të thotë disa lëvizje të thjeshta, por të fuqishme.
Redaksia duhet të ketë një “protokoll bazë” për NHMI-të që aktivizohet kur ka shenja koordinimi: postime të sinkronizuara, profile të reja, fraza identike, “ekskluzive” pa burime të verifikueshme. Ky protokoll nuk duhet të jetë i gjatë, por duhet të dihet.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është vendosja e praktikës së mbledhjes së provave gjatë sulmeve ndaj kanaleve të mediave digjitale përmes arkivimit të linqeve, screenshot-et me kohë, ruajtjes së materialeve origjinale. Kjo është edhe praktikë gazetareske edhe mbrojtje e gazetarëve kur sulmet kthehen në kërcënime.
Në nivelin e sistemit, është e rëndësishme të kapet momenti rregullator evropian. Ligji për shërbime digjitale (DSA) paraqet detyrime për platforma shumë të mëdha rreth rreziqeve sistemike, transparencës dhe masave për zvogëlimin e dëmeve, dhe Ligjin Evropian për pliralizëm në media (EMFA)përcakton një kornizë për lirinë dhe masat mbrojtëse të mediave. Paralelisht, Kodi i sjelljes/praktikës kundër dezinformimit mbetet një mjet i rëndësishëm për transparencën dhe llogaridhënien, veçanërisht në lidhje me platformat.
Në praktikë, NHMI-ja fiton kur na bën të vrapojmë pas ritmit të të tjerëve dhe të reagojmë në mënyrë refleksive, në vend që të veprojmë profesionalisht. Kjo është arsyeja pse mbrojtja duhet të jetë e kundërta – rutina, disiplina editoriale dhe transparenca: për të shprehur qartë atë që dimë dhe atë që kontrollojmë.
Një gjë është e qartë, dhe ajo është se NHMI-ja nuk do të zhduket. Do të evoluojë, do të përdorë formate të reja dhe do të shfrytëzojë çdo krisje sociale. Por redaksitë nuk janë të pafuqishme. Nëse NHMI-në e trajtojmë si një rrezik që menaxhohet – me matricë, protokoll dhe transparencë, në vend si “lajm që demantoet”, atëherë shanset për manipulatorët bëhen dukshëm më të vogla.
