Sipas hulumtimit të fundit të organizatës PINA, bazuar në anketat e kryera me 103 gazetare femra, 24,1% e gazetareve kanë marrë kërcënime për dhunë fizike, ndërsa 19,5% e tyre kanë marrë kërcënime për jetën.
Sipas hulumtimit të fundit të organizatës mediatike PINA, të realizuar këtë vit, mbi 81% e gazetareve femra në Maqedoni kanë përjetuar ngacmime në internet për shkak të punës së tyre, kjo bazuar në anketat e realizuara me 103 gazetare femra nga skena mediatike vendore. Ky publikim ofron një pasqyrë të detajuar dhe të plotë për ngacmimet, sulmet dhe presionet me të cilat përballen gazetaret femra për shkak të publikimit të lajmeve të tyre mbi një sërë temash të rëndësishme për shoqërinë tonë.
Është e rëndësishme të theksohet se gazetaret femra deklaruan se motivi më i zakonshëm i ngacmimeve ishte publikimi i teksteve gazetareske që kanë synuar qarqet e pushtetit, ndërsa në 43.4% të rasteve për shkak të publikimit të teksteve gazetareske për zhvillimet shoqërore që ishin kritike ndaj pushtetit.
Rreth një e treta e tyre janë përgjigjur se kanë përjetuar ngacmime edhe për shkak të teksteve të publikuara gazetareske për zhvillime shoqërore që kanë qenë kritike ndaj një partie, ndërsa më e ulët është përqindja për shprehjen e qëndrimeve dhe mendimeve personale për zhvillime shoqërore që kanë qenë kritike ndaj pushtetit dhe ndaj një partie politike.
Femrat gazetare janë në shënjestër edhe si gazetare, por edhe si gra
Sipas përmbajtjes dhe të dhënave për ngacmimin në internet (online), më së shumti bëhej fjalë për gjuhën e urrejtjes - në 69% të rasteve, në më shumë se gjysmën e rasteve (51,7%) bëhej fjalë për seksizëm dhe shovinizëm (43,7%). Këto të dhëna, si dhe përvojat personale të ndara nga gazetaret femra, vetëm sa konfirmojnë atë që ne dhe organizata kemi folur dhe adresuar për një kohë të gjatë - gazetaret femra janë në shënjestër për shkak të profesionit të tyre, por janë në shënjestër edhe sepse janë femra në një shoqëri të pabarabartë dhe patriarkale. Ngacmimet më të shumta kanë ndodhur në rrjetin social Facebook, kurse në përqindje më të vogël në Twitter dhe Instagram.
Format e ngacmimeve ndaj gazetareve femra në internet janë të ndryshme - nga komentet që lihen nën produktin gazetaresk, tek përmendja e emrit dhe mbiemrit të tyre në konotacione të ndryshme negative, tek shpërndarja e fotove me qëllim diskreditimin e tyre, si dhe kërcënime, fyerje, ngacmime në mesazhe personale, ndjekje online dhe fushata të orkestruara me sheënjestër gazetaret femra.
Sipas anketës, 24,1% e gazetareve femra kanë marrë kërcënime për dhunë fizike, ndërsa 19,5% kanë marrë kërcënime për jetën e tyre. Dy shifrat e fundit duken të vogla në krahasim me ngacmimet drastike në internet me shifrat e mëparshme, por nëse merret parasysh madhësia e kampionit të mbuluar në anketa, rezulton se më shumë se 20 gazetare femra janë përballur me kërcënime të drejtpërdrejta me dhunë fizike dhe kërcënime për jetën e tyre për shkak të punës dhe profesionit të tyre. Në rastin e 16% të gazetareve femra, ngacmimet nuk mbetën vetëm online, por kaluan edhe offline. Këto të dhëna duhet të shqetësojnë seriozisht të gjithë ata që punojnë sot në dhe për median dhe gazetarinë në përgjithësi.
Shqetësues është edhe fakti që në pyetjen nëse mendojnë se ngacmimi online me të cilin janë përballur është organizuar nga dikush, më shumë se një e treta e gazetareve janë përgjigjur se sulmet online kundër tyre kanë qenë të organizuara. Asnjë nga gazetaret femra që ishin përballur me ngacmime nuk mendojnë se ngacmimet nuk do të përsëriten më. Përkundrazi, numri më i madh (81.6%) i tyre besojnë se ka shumë gjasa që e njëjta gjë të përsëritet.
Burimi: freepik.com
Gazetaret femra kanë besim të ulët për të raportuar ngacmimet me të cilat përballen në internet dhe kryesisht besojnë se asgjë e veçantë nuk do të bëhet për t'i mbrojtur ata. Përkundër faktit se shumica prej tyre (86.4%) janë përgjigjur se e dinë se në cilin institucion duhet të drejtohen për të raportuar ngacmimin online, vetëm 25.2% e gazetareve të anketuara që janë përballur me ngacmim e kanë raportuar ngacmimin në një institucionin kompetent.
Prej tyre, 41.9% janë shprehur se janë shumë të pakënaqura nga bashkëpunimi me institucionet. Vetëm 2 gazetare (6.5%) ishin të kënaqura me trajtimin nga ana e institucioneve. Megjithatë, disa nga gazetaret femra deklaruan se nuk ishin të kënaqura edhe nga veprimet e shoqatave të gazetarëve ku kishin raportuar rastin e ngacmimit online. Vetëm 18.4% e gazetareve të anketuara kanë raportuar për ngacmimet në organizatat mediatike.
Ndikim i drejtpërdrejtë në shtypjen e fjalës së lirë
Çështja e ngacmimeve drastike në internet që kanë shënjestër gazetaret femra nuk është margjinale dhe nuk prek vetëm gratë që punojnë në media. Ky problem, për shkallën e të cilit tashmë ka të dhëna konkrete dhe përvoja të shumta të ndara nga gazetaret femra, prek dhe kërcënon drejtpërdrejt lirinë e gazetarisë dhe medias dhe lirinë e fjalës në vendin tonë. Njohja e seriozitetit të kësaj tendence shqetësuese dhe adresimi i situatës duhet të bëhet një nga prioritetet për diskutim, mbi të gjitha në kuadër të profesionit, në media dhe organizata mediatike, kurse thellimi i mëtejshëm i problemit duhet të ndalet.
Siç theksoi kohët e fundit autorja e analizës (Bojana Jovanovska) në Festivalin Mediatik Shkup 2022, qëllimi i sulmeve në hapësirën digjitale është të heshtin zërat e personave të sulmuar, madje në mënyrë indirekte të heshtin dhe dekurajojnë njerëzit e tyre që ndajnë pikëpamje të njëjta si dhe grupet e synuara që ndajnë karakteristikat identitare me viktimat në fjalë të ngacmimit. Prandaj, kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për gazetaret femra, por është e rëndësishme edhe për lirinë e përgjithshme të medias dhe lirinë e fjalës në vendin tonë.
Sepse qëllimi i tyre është pikërisht ky - të heshtin dhe ndalojnë kritikën, mendimin e lirë dhe të heshtin ata që publikojnë informacione, histori apo pikëpamje të pafavorshme për autoritetet, partitë apo qarqet e tjera të pushtetit.
Gazetaret femra, natyrisht edhe kolegët gazetarë janë të trajnuar që të përballen me probleme të shumta që sjell natyra e punës së tyre dhe të zhvillojnë një “lëkurë të trashë” me të cilën do të durojnë lloje të ndryshme presionesh, ndikimesh dhe reagimesh me të cilat përballen gjatë gjithë karrierës së tyre. Por disa sjellje nuk justifikohen dhe nuk duhen pranuar paraprakisht si dukuri normale për asnjë profesion, përfshi edhe gazetarinë.
Sidomos jo kur bëhet fjalë për bullizmin online, ndjekjen, gjuhën e urrejtjes, shovinizmin, kërcënimet për dhunë fizike etj. Normalizimi i këtyre sjelljeve dhe injorimi i tyre nga frika e shfaqjes së dobësisë nuk do të na ndihmojë.
Të folurit me zë të lartë për përballimin e përvojave të tilla nuk është dobësi, por përkundrazi – është një guxim i madh. Të folurit për atë që po përballemi, mund të ketë edhe efekt në uljen e veprimeve të ngacmuesve në radhë të parë dhe marrjen e masave për të reduktuar këtë trend shqetësues. Përvoja tregon se ngacmuesit dhe sulmuesit në internet ndihen shumë të fortë, pikërisht për shkak të besimit të tyre të gabuar se nuk mund të kenë pasoja ligjore për atë që bëjnë.
Këtu është i rëndësishëm edhe solidariteti mes gazetareve femra, si dhe solidariteti i kolegëve tanë gazetarë, me të cilët lufta për përmirësimin e situatës, natyrisht do të jetë më e lehtë.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.