Ndërhyrja e huaj dhe manipulimi i informacionit (NHMI) nuk të mund me një gënjeshtër të vetme. Të mund me zakon/shprehi. Zakonin për të dyshuar në gjithçka.
Në fillim duket i padëmshëm: ‘screenshot’, citat, “shpjegim” me ton serioz. Pastaj, vijon një tjetër. Dhe një tjetër. Dhe asgjë nuk duhet të jetë plotësisht bindëse. Mjafton të përsëritet dhe të çon në përfundimin: “S’ka kuptim të kontrolloj.”
Këtu qëndron dëmshmëria, kur fillojmë të besojmë se asgjë nuk mund të verifikohet. Nuk kërkojmë prova dhe përgjegjësi, dhe në vend që të bëjmë pyetje, bëhemi indiferentë. Në vend që të presim kritere, besojmë se “të gjithë ose shumica gënjejnë”. Në një mjedis të tillë, mediat dhe institucionet kalojnë lehtësisht pa shpjegime të qarta, pa korrigjime dhe pa llogaridhënie.
Në fakt, ky është thelbi i dokumentit “Ekosistemi mediatik dhe NHMI-ja në Maqedoninë e Veriut
Korniza evropiane ka ndryshuar lojën
Evropa ka kuptuar prej kohësh se manipulimi nuk mund të mposhtet me demante individuale. Kur problemi është sistemik, atëherë edhe përgjigja duhet të jetë sistematike. Prandaj fokusi është zhvendosur nga “përmbajtjet kontestuese” te besimi si një burim publik dhe te kushtet që e bëjnë manipulimin të shpejtë, të gjerë dhe fitimprurës. Në këtë frymë, Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm e trajton ndërhyrjen e huaj dhe manipulimin e informacionit si operacione të koordinuara dhe të qëllimshme, me qëllim nënçmimin e besimit shoqëror në institucionet, mediat dhe në vetë mundësinë e një diskutimi publik të përbashkët.
I njëjti drejtim njihet në qasjen e Këshillit të Evropës, i cili ofron një formulë të qartë, praktike: qëndrueshmëria nuk ndërtohet me një masë. Tre gjëra duhet të ndodhin njëkohësisht – verifikimi i fakteve, dizajn më i mirë dhe menaxhim i platformave, dhe kapacitete më të forta të përdoruesve për të njohur manipulimin, pa e përhapur më tej.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka hyrë në pjesën “më të vështirë”, për të ndryshuar mënyrën se si platformat krijojnë dhe përforcojnë rreziqet. Prandaj, Ligji për shërbime digjitale nuk e zvogëlon problemin në postime individuale. Ai kërkon nga platformat dhe motorët e kërkimit më të mëdhenj të vlerësojnë rregullisht rreziqet sistemike që sjell mënyra se si funksionojnë dhe të zbatojnë masa që janë të arsyeshme, efektive dhe proporcionale. Në situata krize, ekziston edhe një mekanizëm i veçantë për një përgjigje të koordinuar në nivel të BE-së.
Kjo kornizë nuk përfundon me platformat. Ajo “mbyllet” me rregulla që e bëjnë komunikimin politik më të dukshëm, ndërsa sistemin mediatik më të fortë ndaj presioneve dhe ndikimeve të fshehta. Ligji Evropian për lirinë e medias përcakton standarde për pavarësinë dhe pluralizmin, në mënyrë që të zvogëlojë hapësirën për presione. Rregullorja për Reklamim Politik sulmon pikën më të rrezikshme – jotransparencën, duke kërkuar të dihet qartë se kush paguan, kujt i shfaqet mesazhi dhe përmes cilit kanal shpërndahet.
Nga ana tjetër, Ligji për inteligjencën artificiale përcakton kornizën për përdorimin e përgjegjshëm të sistemeve që mund të ndikojnë në të drejtat dhe besimin themelor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur përmbajtja sintetike ose e manipuluar, si dhe vendimet e automatizuara mund të krijojnë pasoja serioze për publikun.
Pse mjedisi ynë mbetet i cenueshëm
Cenueshmëria nuk vjen nga një vend. Krijohet aty ku dobësitë e vjetra të sistemit mediatik mbivendosen me rregullat e reja të shpërndarjes digjitale. Kur një pjesë e mediave mbijetojnë mbi “akull të hollë”, vendimet redaksionale më lehtë i nënshtrohen presioneve dhe kompromiseve afatshkurtra.. Në politikë të polarizuar, verifikimi shpesh bëhet i dorës së dytë, dhe më e rëndësishme bëhet pyetja “cilës palë do t’i shërbejë narrativi”.
Në hapësirën online, kjo cenueshmëri përforcohet më tej. Algoritmet nuk shpërblejnë saktësinë, por reagimin. Një kornizë mund të ndikojë edhe pa pasur një gënjeshtër të dukshme. Mjafton të përsëritet, të ribëhet tregim dhe të “rikthehet” në formate të reja, deri sa të fillojë të duket si “diçka e njohur për të gjithë”. Kjo normalizon dyshimin, cinizmin dhe mosbesimin, terrenin në të cilin NHMI-ja hedh më lehtë rrënjë.
Një dobësi tjetër është ritmi. Mesazhi manipulues përhapet brenda pak minutash ndërsa shpjegimi dhe korrigjimi kërkojnë kohë, fakte dhe besueshmëri. Kur mediat janë nën presionin e shpejtësisë dhe institucionet reagojnë ngadalë ose në mënyrë jokonsistente, krijohet një asimetri që NHMI-ja e përdor në mënyrë sistematike.
Problemi kryesor, në praktikë, është vakumi. Kur institucionet nuk reagojnë në kohë, kur institucione të ndryshme dërgojnë mesazhe të ndryshme, ose kur komunikimi është burokratik dhe i pakuptueshëm, krijohet një hapësirë që nuk mbetet bosh. Kjo hapësirë mbushet nga aktorë me narrativa të përgatitura, kanale dhe audiencë. Prandaj manipulimi më lehtë “ngjit” pikërisht gjatë zgjedhjeve dhe krizave, kur pasiguria është më e lartë dhe nevoja për qartësi më e madhe.
Si të dalim nga regjimi i i vonesës
Hapi i parë është që shteti të përcaktojë qartë rrezikun. Kur NHMI-ja “shkrihet” mes termave si dezinformata, kërcënime hibride dhe kibernetike, përgjegjësia shpërndahet, ndërsa kompetencat mbeten të paqarta. Prandaj NHMI-ja duhet të integrohet në strategjitë dhe politikat përkatëse, me një ndarje të qartë se kush udhëheq, kush monitoron, çfarë matet dhe si planifikohet përgjigjja. Pa një bazë të tillë, çdo institucion do të komunikojë më vete dhe publiku do të dëgjojë mesazhe të ndryshme nga i njëjti sistem.
Hapi i dytë është disiplina në veprim. NHMI-ja përhapet shpejt, shpesh qëllimisht dhe krijon konfuzion, prandaj përgjigjja duhet të jetë e shpejtë, por edhe e verifikueshme. Kjo kërkon procedura operacionale të paracaktuara për “incidentet informative” – kush del i pari me një qëndrim, brenda cilit afat, në bazë të cilave të dhëna dhe përmes cilave kanale. Ky nuk është një formalitet burokratik, por një mënyrë për të parandaluar vakumin ku spekulimet fitojnë avantazh më lehtë.
Hapi i tretë është koordinim që funksionon realisht. Nevojitet një mekanizëm që do të ndjekë trendet, do të vlerësojë rreziqet dhe do të ndihmojë institucionet të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, veçanërisht në momente të ndjeshme. Por ky mekanizëm duhet të ketë kufij të qartë – nuk duhet të vendoset si arbitër politik i “së vërtetës” dhe “të pavërtetës” dhe nuk duhet të krijojë presion mbi mediat. Nëse fillon t’i ngjajë censurës, besimi do të humbasë menjëherë dhe NHMI-ja ka sukses pikërisht aty ku besimi është tashmë i brishtë.
Pavarësia mediatike në kushte të NHMI-së
Në kushtet e NHMI-së, shërbimi publik duhet të jetë stabilizator, një vend ku publiku mund të mbështetet kur zhurma informative është më e madhe. Por kjo nuk arrihet me apele, por me garanci për pavarësi dhe integritet, të siguruara përmes zgjedhjeve transparente dhe departiake të organeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, rregulla të qarta për përgjegjësinë redaksionale dhe llogaridhënie të dukshme ndaj publikut.
E njëjta logjikë vlen edhe për të gjithë sektorin mediatik. Kur pronësia dhe financimi janë të paqarta, ndikimet bëhen të padukshme dhe priten dyshime midis publikut. Transparenca më e madhe ngushton “zonën gri”, hapësirën ku manipulimi më lehtë shfaqet dhe më vështirë provohet, ndërsa forcon bazën për besim dhe përgjegjësi profesionale.
Prandaj, minimumi që duhet të bëhet rregull është i thjeshtë. Publiku të mund të shohë lehtësisht kush është pronari, nga vijnë të ardhurat kryesore dhe cilat janë përgjegjësitë redaksionale. Kur këto informacione janë të qarta dhe të aksesueshme, zvogëlohet hapësira për ndikime të fshehta dhe lehtësohet verifikimi publik, një kusht pa të cilin sistemi mediatik vështirë mund të jetë rezistent ndaj NHMI-së.
Rezistenca ndërtohet si nga mediat ashtu edhe nga qytetarët
Asnjë strategji nuk ka sukses nëse publiku nuk ka zakonet themelore të verifikimit dhe orientimit në mjedisin informativ. Prandaj, edukimi mediatik dhe informativ duhet të trajtohet si një politikë publike dhe jo si një aktivitet i përkohshëm i ndonjë projekti. Ajo duhet të integrohet në arsim si një kompetencë praktike, por edhe të zgjerohet jashtë shkollave, përmes programeve për të rritur, iniciativave lokale dhe punës me komunitetet që kanë më pak qasje në informacione cilësore. E njëjta gjë vlen edhe për administratën publike. Komunikimi i dobët dhe i gabuar shpesh krijon hapësirë për spekulime dhe mosbesim. Kjo është arsyeja pse kapacitetet e komunikimit publik janë pjesë e rezistencës dhe jo një “shtesë” në punën institucionale.
Paralelisht, gazetaria në interes publik duhet të ketë kushtet për të kryer rolin e saj. Kur shpejtësia dhe sipërfaqësia mbizotërojnë, NHMI-ja ka avantazh. Gazetaria hulumtuese dhe analiza narrative e zvogëlojnë këtë avantazh sepse ato sjellin prova, kontekst dhe llogaridhënie. Por, mbështetja duhet të jetë transparente, me kritere të qarta dhe garanci që nuk do të kthehet në një mjet për të shpërblyer “të vetët” dhe për të ndëshkuar “të tjerët”. Përndryshe, në vend të rezistencës, krijohet një kanal tjetër për presion.
Për një përmbledhje të shpejtë të termave kyç, mjeteve dhe materialeve për punë me NHMI, si pikë referimi praktike mund të shërbejë faqja e burimeve e Res Publica.
