Dr. Nenad Zhivanovski
Në hapësirën maqedonase të internetit, portalet shfaqen dhe shuhen vazhdimisht, me çrast zhduken përgjithmonë të gjitha përmbajtjet e botuara. Disa portale me jetë më të gjatë, me ridizajnime të shpeshta, gjithashtu humbin përgjithmonë arkivin dhe dëshmitë e tyre për ngjarjet. Ruajtja e materialeve të botuara në internet duhet të jetë një përparësi dhe detyrim i pronarit, e cila duhet të zgjidhet në mënyrë sistematike, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mos vijnë në një situatë që të informohen për kohën dhe ngjarjet e vendit tonë nga burime të huaja dhe këndvështrimi i tyre.
Nevoja që njeriu të lë gjurmë vizuale ose të shkruara për ekzistencën dhe veprimtarinë e tij, me shpikjen e internetit, sikur ai e zgjidhi përfundimisht këtë problem të vjetër. Nga hieroglifet parahistorike, gdhendjet në dru dhe gurë, dorëshkrimet dhe vizatimet unike të gjetura në celulozë dhe papirus, zbulimi i shtypshkronjës së Gutenberg-ut, e deri te regjistrimet analoge audio dhe video, interneti megjithatë është mediumi më superior për të realizuar këtë nevojë të njeriut.
Interneti, si pjesë e botës digjitale, praktikisht posedon një hapësirë të pakufizuar dhe kapacitete memorimi, dhe me dimensionet minimale harduerike është i disponueshëm për këdo dhe kudo dhe për këtë arsye jep mundësinë për të transmetuar përgjithmonë informacione për brezat e ardhshëm në lidhje me të tashmen, e cila atëkohë do të jetë e kaluar.
Prodhimi (produksioni) ynë duhet të ruhet përgjithmonë
Demokratizimi i internetit dhe disponueshmëria e tij për çdo person, komb dhe vend, do të thotë pluralizëm në lënien e gjurmëve për kohën e përbashkët, por edhe për perceptimet dhe vlerësimet e kohës dhe ngjarjeve. Pothuajse çdo portal dhe faqe interneti që hapen dhe "lundrojnë" nëpër gjithësinë virtuale nuk është vetëm informatori ynë për të tashmen, por edhe lidhja jonë "fizike" me brezat e ardhshëm. Por, vetëm nëse ato ruhen përgjithmonë dhe bëhen gati teknikisht për të mos u fshirë. Fatkeqësisht, ky është problemi për të cilin ende nuk është vendosur një zgjidhje funksionale në hapësirën maqedonase të internetit.
Para lindjes së Internetit, në Maqedoni (por edhe në çdo vend tjetër) në çdo gazetë ditore dhe periodike ka pasur një arkivist përgjegjës, i cili ka arkivuar çdo numër të ri të shtypur, dhe në fund të vitit për ti lidhur të gjithë numrat në një libër më të trashë Gjithashtu, botuesi i medias së shkruar ishte i detyruar ligjërisht të dorëzojë kopje në Bibliotekën Universitare dhe bibliotekat e tjera të vendit, ku janë arkivuar kopjet, në mënyrë që edhe sot studiuesi të mund të gjejë numrat e vjetër të revistave të ndryshme të botuara në Maqedoni dhe ish-Jugosllavi shumë vite dhe dekada më parë.
Për shkak të nevojës së njëjtë, tani edhe portalet duhet të kishin punësuar një person me një funksion të ngjashëm, i cili do të arkivonte tekstet e autorëve dhe prodhimin vetanak. Ose, mbase, të kenë një zgjidhje softuerike, e cila do të lejonte që autori i tekstit, përveç botimit të përditshëm, të ketë edhe mundësinë e arkivimit të asaj që tashmë është botuar. Në një rast të tillë, përmbajtja mund të mos jetë në të njëjtin format dhe cilësi siç janë botuar (për të kursyer memorien), por mund të ruhet në një version më të thjeshtë - teksti të konvertohet në formatin PDF, kurse prodhimi audio dhe video të ruhet në një format më modest dhe më të ngjeshur.
Fakti që një pjesë e madhe e asaj që botohet në portalet tona janë artikuj të përkthyer nga portale të huaja, kryesisht nga serbishtja dhe kroatishtja, por edhe nga anglishtja, përmbajtjet e tilla, në një farë mënyre, janë të mbrojtura nga harresa dhe mund të gjenden relativisht lehtë përmes arkivit global të internetit. Megjithatë, duhet gjetur një mënyrë për të ruajtur përgjithmonë nga harresa prodhimin vetjak të një portali maqedonas, veçanërisht të atij që ka pushuar së ekzistuari. Një humbje e madhe shoqërore është ajo që ndodhi me portalet e A1 TV dhe gazetave ditore Dnevnik, Utrinski Vesnik dhe Vest, përmbajtja e pasur arkivore e të cilave u humb përgjithmonë me shuarjen e këtyre mediave.
Nëse është një ngushëllim, ky është gjithashtu një problem global, veçanërisht me hyrjen gjithnjë e më agresive të fondeve të ndryshme të investimeve në industrinë e medias, të cilat janë kryesisht të orientuar drejt fitimit, pa një qëndrim të ndërtuar ndaj mediumeve ose një qëndrim shpërfillës ndaj funksionit kryesor të medias - për të qenë informatorë dhe dëshmitarë të kohës gjersa kanë funksionuar. Si rezultat i këtij qëndrimi, dhjetëra gazeta të përditshme lokale në Shtetet e Bashkuara kanë humbur përgjithmonë arkivat e tyre dekada të vjetra, me blerjen e tyre nga ana e fondeve të investimeve.
Burimi: arhiv.mk
Me një klikim qasje në një gazetë prej tre shekuj më parë
Ka shumë zgjidhje në botë për t’iu qasur këtij problemi, por duket se më shumë i referohen asaj në Britaninë e Madhe, e cila, pak a shumë, është modeli që reflektohet edhe në vendet e tjera. Ndryshe nga disa popuj të paarsimuar (!), të prirur të harrojnë lehtësisht ngjarjet e tyre historike, anglezët edhe para lindjes së internetit, njiheshin si një komb shumë i përpiktë, kur bëhet fjalë për të ruajtur gjithçka që është një dëshmi e së kaluarës dhe traditës dhe kanë një dhunti të veçantë në faktorizimin e një kulture të kujtesës.
Prandaj nuk është për t'u habitur, se që nga lindja e internetit, Britania e Madhe kishte identifikuar nevojën për të ruajtur atë që do të botohej në portalet e tyre, kështu që nga ai moment e tutje ka një përpjekje për të ruajtur trashëgiminë e Britanisë së Madhe në Internet. Si rezultat i kësaj nevoje, qysh në janar të vitit 2005, miliona faqesh interneti që mbulonin të gjitha aspektet e jetës në Britaninë e Madhe filluan të arkivohen në një projekt pilot të udhëhequr nga Biblioteka Britanike. Në këtë projekt 2-vjeçar ishin arkivuar rreth 6.000 faqe interneti.
Që atëkohë, organizatorët e projektit kishin theksuar se megjithëse Interneti është bërë një mjet informacioni sipas zgjedhjes, pak ishte menduar për të ruajtur faqet e internetit. Sipas mbështetësve të projektit, ekzistonte një rrezik real për të humbur burime të vlefshme arsimore, kulturore dhe shkencore të disponueshme në internet në të ardhmen. Për ta parandaluar këtë, u bashkuan gjashtë institucione kryesore në Mbretërinë e Bashkuar, për të punuar në ruajtjen e faqeve britanike të internetit. Projekti kishte përdorur një sistem të quajtur Pandora, i zhvilluar dhe testuar në Australi, për të arkivuar faqet australiane të internetit. Sistemi është në gjendje që automatikisht të shënojë, përpilojë dhe përgatisë faqet e internetit për arkivim. Ishin ndarë rreth 750.000 funte britanike për blerjen e softuerit, harduerit dhe për shpenzimet xhiruese teknike, me secilin partner që merrte përsipër shpenzime shtesë.
Në nëntor të vitit 2011, u krijua Arkivi i Gazetave Britanike (British Newspaper Archive) i cili merret me skanimin, formatimin dhe arkivimin elektronik të gazetave britanike nga shekulli i 18-të deri në ditët e sotme. Kjo u lejon lexuesve të kërkojnë sipas datës, titullit dhe fjalës kyçe dhe përfshin materiale të disponueshme më parë vetëm në Bibliotekën Britanike.
Nga ana tjetër, korporata e radiodifuzionit BBC, edhe para epokës së Internetit, është konsideruar si një dëshmitar dhe arkivist global i historisë së njerëzimit në shekullin e 20-të, duke ruajtur ngjarje dhe personalitete të ndryshme nga e gjithë bota. Sot, BBC-ja ka një pasuri të përmbajtjeve arkivore, të disponueshme për qëllime kërkimi dhe prodhimi. Fondet e saj arkivore përfshijnë arkiva për programet TV dhe radio, muzikë, lajme dhe fotografi, së bashku me programin e dokumentareve. Ata që dëshirojnë të përdorin arkivin e BBC-së pa komision, mund të kërkojnë përmbajtjen përmes opsionit BBC Motion Gallery.
Një pjesë e madhe e arkivit të programit të BBC-së është gjithashtu e disponueshme në depozituesit në internet, kurse hyrja në të për qëllime kërkimore është falas. Faqja e internetit për të kërkuar materiale të arkivuara është një portal i veçantë për qasje në arkivin e përmbajtjeve të BBC-së që lejon përdoruesit të kërkojnë përmbajtje nga biblioteka dhe katalogë të ndryshëm online. Ky është një burim i shkëlqyeshëm për këdo që është i interesuar të mësojë pak më shumë rreth një fenomeni të kaluar shoqëror ose natyror ose mënyrës së hulumtimit të historisë përmes syve të dëshmitarëve dhe gazetarëve të asaj kohe.
Mbrojtje e sovranitetit maqedonas në internet
Duke marrë parasysh përvojën britanike, ne duhet të fillojmë të mendojmë për formimin e një arkivi kombëtar të medias digjitale, me një kapacitet të madh të memories, në të cilin portalet do të mund të ruanin produksionet e tyre, por në të cilin gjithashtu do të ishin në dispozicion edhe të konvertuara në formë elektronike të gjitha materialet e ruajtura të shtypura, audio dhe video, të botuara në Maqedoni para lindjes së Internetit (MRTV - ish RTS-ja, Nova Makedonija dhe Veçer kanë një përgjegjësi të veçantë shoqërore dhe është në interesin kombëtar ta bëjnë këtë).
Nga ana tjetër, të gjitha stacionet radiotelevizive në Maqedoni mund të azhurnojnë lehtësisht obligimin ligjor për ta ruajtur programin e transmetuar për të paktën një vit (për nevojat e Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizive) për të mbrojtur përgjithmonë materialet e zgjedhura, për të cilat do të vlerësohej se do të ishin një dëshmi e rëndësishme në të ardhmen dhe të cilat do të ruheshin në arkivin kombëtar të medias digjitale. Kjo do të siguronte një magazinim dhe akses të centralizuar në atë që është një prodhim i përgjithshëm mediatik, por gjithashtu një garanci se disa produkte të caktuara mediatike nuk do të fshihen përgjithmonë me rastin e shuarjes apo ridizajnimit të një portali.
Mirëmbajtja e një arkivi të tillë kombëtar të medias digjitale mund të realizohej përmes disa linjave/mënyrave:
- përmes transferimeve buxhetore sepse bëhet fjalë për një interes publik dhe një të mirë të përgjithshme,
- duke paguar një tarifë anëtarësie për secilin portal që do të ruajë produktet e tij mediatike atje (duhet të jetë i detyruar ligjërisht ta bëjë këtë në fillim të punës, kur të merr domain-in nga Agjencia kombëtare MARnet, për t'u bërë anëtar edhe i arkivit kombëtar të medias digjitale), dhe
- përmes një tarife abonimi për qasje në Arkivin Kombëtar të Medias Digjitale (në Mbretërinë e Bashkuar hyrja në Arkivin e Gazetave Britanike është 13 funte në muaj ose 80 funte për një periudhë njëvjeçare).
Në një periudhë tranzicioni, një nga agregatët ekzistues të ueb-it mund të konsiderojë krijimin e një programi kompjuterik që automatikisht do të konvertojë në PDF çdo tekst që do të ribotohej. Kjo garanton që nëse një portal mbyllet, përmbajtja e tij do të ruhet drejtpërdrejt dhe do të jetë në dispozicion për lexim.
Ajo që tani kemi si praktikë janë prodhime të shpërndara dhe të pasistemuara televizive në YouTube, dhe, në kornizë rajonale, një grup entuziastësh nga Beogradi, të cilët po rregullojnë dhe redaktojnë faqen Jugopapir dhe botojnë tekste të përpunuara në mënyrë elektronike nga revistat e vjetra jugosllave. Për shkak të pengesave gjuhësore, ata rrallë skanojnë artikuj të botuar në shtypin maqedonas, por ka shumë artikuj në gjuhën serbokroate që u referohen ngjarjeve që kanë ndodhur në Maqedoni në të kaluarën dhe që janë një dëshmi e vlefshme për jetën në vendin tonë. (Autori i këtij blog-u përmes faqes Jugopapir kishte lexuar tekstin e botuar në vitin 1963 në revistën beogradase Duga për tërmetin e Shkupit dhe kishte mësuar më shumë të dhëna të hollësishme se si kishin vdekur xhaxhai, kushëriri, tezja dhe motra e tij në shtëpinë e përbashkët prapa Sallës Universale).
Kjo përvojë personale konfirmon se sa është në interesin e publikut që gjithçka që ka qenë dhe do të botohet si një regjistrim për jetën në vendin tonë të ruhet digjitalisht për brezat e ardhshëm. Përndryshe, nëse nuk mbrohet sovraniteti kombëtar në internetit me materialet dhe dëshmitë tona të përhershme, atëherë një agresion dhe dominim i dikujt tjetër në internet do të pushtojë sovranitetin tonë në internet, me çrast do të lejohej dhe mundësohej interpretimi i huaj mbi kohën dhe ngjarjet tona që kanë ndodhë në vendin tonë.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.