fbpx

Riciklimi i plastikës – mes fitimit dhe ndotjes

Sonja Stojadinoviq

Mjedisi

01.02.23

Прегледи

Maqedonia nuk ka kapacitete riciklimi për ambalazhet plastike, dhe me importin e mbeturinave si lëndë djegëse për nevojat e industrisë, ajo bëhet edhe një deponi jozyrtare e BE-së.

Riciklimi i mbetjeve nuk është një shpikje e kohëve të fundit, por diçka që prej kohësh është njohur si një proces i pashmangshëm në industri. Në ish-Jugosllavi, riciklimi i tekstilit dhe qelqit ishin sisteme aq të përhapura, saqë kuptohej thjesht se një produkt (tekstili dhe qelqi) do të riciklohej.

Me zbulimin e plastikës si një material me përdorim të gjerë, megjithëse kjo në një masë ka lehtësuar jetesën, megjithatë ndotja ka arritur nivel të lartë. Nëse qelqi si ambalazh riciklohet lehtësisht dhe ka një jetëgjatësi të gjatë, plastika ka lloje të shumta dhe me përbërje të ndryshme, dendësi dhe përdorime të ndryshme dhe paraqet problem më të madh për t'a ricikluar.

Statistikat globale tregojnë se vetëm 9% e plastikës në mbeturina riciklohet, 12% digjet, ndërsa pjesa tjetër hidhet ose nëpër deponi ose në lumenj dhe oqeane. Sipas të dhënave të siguruara nga Bashkimi Evropian, nga 29 milionë tonë plastikë të mbledhur në vitin 2018, më pak se një e treta është ricikluar, një e katërta është hedhur në deponi, kurse 43% është djegur apo asgjësuar në inceneratorët e mbetjeve.

Si riciklohet plastika dhe pse ka ende kaq shumë prej saj?

Plastika që nuk riciklohet ka një jetëgjatësi prej 500 deri në 1000 vjet përpara se ajo të prishet. Jo çdo lloj plastike mund të riciklohet dhe ky është një nga problemet me ndotjen e madhe nga plastike në nivel global.

Një pikë shtesë është fakti se plastika e ricikluar ka një cilësi më të ulët që e bën atë më pak të dobishme për përdorim të ri. Selektimi i plastikës për riciklim bëhet në mënyrë manuale dhe automatike, ndërsa vetë procesi i riciklimit bëhet në rrugë mekanike dhe kimike. Në procesin mekanik, plastika klasifikohet, lahet dhe bluhet mekanikisht në copa të vogla, ndërsa në procesin kimik ajo zbërthehet në monomerë, të cilët kur kombinohen kimikisht, pastaj formojnë një polimer të ri plastik.

Sipas përbërjes, llojet e plastikave ndahet në ato që mund të riciklohen, ato që mund të riciklohen pjesërisht dhe ato që nuk janë të riciklueshme. Plastika që më së shpeshti riciklohet shënohet me një numër dhe një shkurtim të përbërjes kimike të plastikës.

Arsyeja pse disa lloje plastikash nuk mund të riciklohen është përbërja e tyre e polimerëve. Rikombinimi i polimereve që gjenden brenda përbërsjes së plastikës është i pamundur dhe për këtë arsye disa lloje të plastikës nuk riciklohen. Shembuj të plastikës jo të riciklueshme janë bioplastika, plastika e përbërë apo kompozite, letra ambalazhi e veshur me plastikë, polikarbonati dhe ambalazhet për paketimin e ushqimeve. Fatkeqësisht, kjo plastikë që nuk mund të riciklohet përfundon në deponi.

Një faktor shtesë në mbulimin e reduktuar të riciklimit është se riciklimi i plastikës është një proces shumë i shtrenjtë, si dhe fakti që sa më shumë herë plastika të ripërdoret, aq më shumë toksike bëhet ajo.

Pas ndalimit kinez, plastika mbeti në Evropë

Që kur Kina ndaloi importin e mbeturinave nga vendet evropiane në vitin 2018, përqindja e plastikës që nuk riciklohet dhe përfundon në vendgrumbullimet e deponive është rritur. Vendet evropiane kanë gjetur një zëvendësues për Kinën, në Turqi. Në përpjekje për të reduktuar praninë e plastikës, në BE u vendosën taksa më të larta për produktet plastike, përkatësisht 80 cent euro për kilogram plastikë të pa riciklueshme.

Burimi: pexels.com

Megjithatë, pavarësisht se sa shumë angazhohet për riciklimin e plastikës, problemi i selektimit të plastikës për riciklim mbetet te konsumatorët, ndërkohë që industria i reziston ndryshimit të sistemeve të saj operative.

Rezistenca rrjedh nga përllogaritjet kontabël se ambalazhet plastike për një përdorim janë më fitimprurëse sesa përdorimi i ambalazheve të tilla si qelqi ose alumini, që riciklohen më lehtë dhe ndotin më pak ose nuk ndotin aspak. Një problem edhe më i madh është se gjigantët si Coca-Cola dhe Sprite, shishet e të cilëve përfundojnë kryesisht në deponi, nuk penalizohen për prodhimin masiv të plastikës dhe mungesën e impianteve të riciklimit.

Thirrjet publike për të reduktuar përdorimin e ambalazheve plastike nga konsumatorët nuk mund të kontribuojnë në uljen e ndotjes nga mbetjet plastike.

Industria e riciklimit, së bashku me aktivistët, kërkon reduktimin e përdorimit të produkteve nga plastika, por edhe zëvendësimin e ambalazheve plastike me ambalazhe që janë më pak ndotëse dhe më të lehta për t'u ricikluar.

Maqedonia, një parajsë për importimin e mbeturinave dhe një ferr për riciklim

Ironia e sistemit të riciklimit në Maqedoninë e Veriut është se këtu riciklohen bateritë dhe pajisjet elektronike, dhe një pjesë e atij lloji të mbeturinave eksportohet në vendet fqinje. Bateritë (akumulatorët) janë produkti dhe mbeturinat më të zakonshme që riciklohen në Maqedoni. Mblidhen dhe eksportohen ambalazhet e letrës dhe qelqit, ndërkohë që nuk ka kapacitet riciklimi për ambalazhet nga plastika.

Problemi në Maqedoninë e Veriut me mbetjet plastike nuk është vetëm në mungesën e objekteve dhe kapaciteteve për riciklim, por edhe në importin e dobët të kontrolluar të mbeturinave që përdoren si lëndë djegëse në objektet dhe impiantet e fabrikave. Jo vetëm që vendgrumbullimet e deponive po mbushen gjithnjë e më shumë me mbetje plastike, së bashku me sipërfaqet e gjelbra në të gjithë vendin, por edhe ndotja e ajrit është rritur për shkak të djegies së mbeturinave. Këto mbeturina importohen nga vendet e BE-së dhe vendet fqinje dhe për ta bërë tragjedinë edhe më të madhe importohen shumë më tepër mbeturina se sa eksportohen.

Aktivistët dhe organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë paralajmëruar prej vitesh se importimi i mbeturinave për djegie në impiantet e fabrikave është një ndotës serioz i ajrit, por komuniteti i glorifikuar i biznesit ka lobuar me këmbëngulje për më shumë importe mbeturinash për djegie.

Mos riciklimi i plastikës ndot edhe më shumë bashkë me djegien e mbeturinave dhe në ndërkohë Maqedonia nuk ka një biznes të zhvilluar për riciklimin e plastikës që do të kontribuojë në uljen e ndotjes nga plastika. Nuk është aspak zgjidhje të përgatiten dhe realizohen fushata për riciklimin e mbetjeve kur nuk ka kapacitete riciklimi të plastikës, kur shumë mbeturina importohen dhe pak eksportohen.

Një shembull që është në fqinjësinë tonë dhe ne e shmangim me këmbëngulje zbatimin e këtij shembulli është Lubjana. Që nga viti 2002, autoritetet e këtij qyteti kanë nisur një sistem riciklimi dhe grumbullimi të mbeturinave për t'u bërë sot një shembull në nivel të Bashkimit Evropian se si të mbahet një qytet i pastër dhe pa ndotje.

Është koha të fillojmë të kërkojmë produkte pa plastikë dhe në të njëjtën kohë, të kërkojmë që të mos importohen mbeturina për djegie dhe të mos mbetemi deponia jozyrtare e BE-së dhe pjesës tjetër të botës së pasur.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Stojadinoviq

Sonja Stojadinoviq ka lindur në vitin 1979 në Veles. Ajo është politikologe e diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë "Justiniani i Parë" në Shkup, ku përfundoi edhe studimet master në Politikë Ndërkombëtare me temë "Lufta jo e dhunshme në politikë: Faktorët për sukses dhe dështim". Ajo punon si autore e pavarur për portalet rajonale kroate Lupiga dhe Bilten dhe është aktiviste në lëvizjen e majtë Solidariteti.