Llazar Pop-Ivanov
Duke pasur parasysh se rrjeti diplomatik i Maqedonisë përbëhet nga një numër relativisht i vogël (50) ambasadash, ky realitet na hap mundësi të vërtetë të fillojmë me diplomacinë si degë të jetës politike ku kuadrot profesionale do të jenë më të përfaqësuara se ato politike
Në fokus të politikës së jashtme të Maqedonisë tani më një kohë të gjatë janë integrimet euro-atlantike. Dëshira për anëtarësim të shtetit tonë në këto organizata duket të jetë një nga konstantat e rralla në planet strategjike të politikës sonë të jashtme. Nëse elitat politike janë të sinqerta në qëllimet e tyre për integrimin e mëtutjeshëm në këto institucione dhe në të vërtetë dëshirojnë që shoqëria jonë ta japë kontributin më të mirë në marrëdhëniet ndërkombëtare – atëherë një nga hapat duhet të jetë profesionalizimi i rrjetit diplomatik. Për një shtet të vogël si i yni, në të cilin çdo artikull i buxhetit duhet të jetë i paramenduar në mënyrë të mençur, është posaçërisht e rëndësishme që qytetarët dhe institucionet e sistemit të jenë të përfaqësuara nga kuadrot më të mira profesionale të cilat i posedojmë. Kuadrot profesionale janë diplomatë të llojit më të lartë në Ministrinë e punëve të jashtme të cilët kanë kaluar më shumë se një dekadë duke u ngjitur në të gjitha shkallët e shërbimit të tyre dhe i kanë plotësuar kriteret e nevojshme që të fitojnë titull ambasadori. Ky ndryshim mund të bëhet lehtë në politikën e Qeverisë përmes ndryshimit të thjeshtë të legjislacionit aktual ligjor (Ligji për punët e jashtme), përmes rritjes së numrit të ambasadorëve profesionalë për llogari të ambasadorëve të cilët janë të caktuar politikisht.
Kush mund të bëhet ambasador
Evolucioni i Ligjit të punëve të jashtme na tregon se nga viti 2006 deri më sot disa herë ndryshohet raporti midis ambasadorëve të caktuar nga grada e nëpunësve diplomatike – konsullore me titujt më të lartë diplomatik në ministri (të ashtuquajtur diplomatë të karrierës) me të ashtuquajturit diplomatë politikë. Në vitin 2006 ligji ka paraparë që së paku 2/3 nga numri i përgjithshëm i diplomatëve të jenë diplomatë të karrierës, në vitin 2008 ligji ndryshohet dhe përcakton që së paku ¼ e numrit të përgjithshëm të diplomatëve të jenë diplomatë të karrierës. Për fat të keq, as pas një sëre ndryshimesh dhe plotësimesh nga viti 2006 deri më sot, korniza aktuale ligjore nuk është konsiderueshëm më e mirë dhe parasheh që së paku 1/3 e numrit të përgjithshëm të diplomatëve të jenë diplomatë të karrierës, ndërsa të tjerët të emëruar nga radha e të ashtuquajturve diplomatë politikë. Zgjidhja aktuale ligjore mundëson që në rrjetin diplomatik të dominojnë „diplomatët politikisht të emëruar”.
Nevoja për rrjet profesional diplomatik
Që të japim kontekst plotësues dhe ta përforcojmë argumentimin për propozimin që të profesionalizohet rrjeti diplomatik i Maqedonisë, mundemi si shembull ilustrativ ta marrim integrimin në Bashkimin Evropian. Në Qershor të vitit 2019, Këshilli i Bashkimit Evropian do ta vlerësojë përparimin të cilin e ka bërë shteti ynë dhe në sajë të kësaj (midis tjerash) do të sjellë vendim për integrimin tonë të mëtejmë në Bashkimin. Rrjedhimisht, është brengosës fakti se një pjesë e ambasadave tona në Evropë ende janë pa përfaqësues të nivelit më të lartë – ambasadorë. Mu ata duhet të jenë lobistët më të dalluar, ata të cilët në emër të qytetarëve do ti përfaqësojnë interesat dhe ambiciet e shtetit tonë para faktorëve politikë evropianë. Këtë kritikë klubi diplomatik e regjistroi që në Qershor të vitit 2018, si edhe disa medie të cilat e theksuan rëndësinë që postet e ambasadorëve të plotësohen në periudha të këtilla të rëndësishme politike.
Besojmë se jo vetëm që nuk mund të lejojmë vende të zbrazëta ambasadorësh, por edhe se pozitat e larta diplomatike duhet të plotësohen me njerëz të cilët janë diplomatë të karrierës. Pastaj, kush më mirë do të kishte lobuar dhe argumentuar „pro“ progresit të shtetit tonë se sa ambasadorë të karrierës, respektivisht ata nëpunës shtetërorë të cilët një pjesë të madhe të stazhit të tyre të punës përgatiten për një pozitë këtillë. Sipas Ligjit për punë të jashtme diplomatët e karrierës kalojnë së paku 11 vite në nivelet e ndryshme të ministrisë, nga pozita e „stazhierit“ deri në status të „ambasadorit“. Në kundërshtim me këtë, diplomatët e emëruar politikisht nuk duhet ta posedojnë këtë eksperiencë që të emërohen në pozitat e njëjta, por gjithçka që nevojitet është ta plotësojnë parakushtin ligjor, respektivisht, të jenë „persona të dalluar nga lëmi e politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtës ndërkombëtare, shkencës apo kulturës“, apo të jenë „persona nga radhët e të punësuarve në sektorin publik, persona aktualë apo të mëparshëm të zgjedhur apo të emëruar si pjesë e qeverisjes ligjdhënëse, ekzekutive, gjyqësore apo lokale, si dhe diplomatë të cilët kanë qenë të punësuar apo i kanë realizuar të drejtat e marrëdhënieve të punës në Ministrinë e punëve të jashtme gjatë mandatit në përfaqësi diplomatike – konsullore të Republikës së Maqedonisë jashtë vendit “ (neni 35-1 nga LPJ).
Ky duhet të jetë një argument i mjaftueshëm në favor të propozimit për ndryshimin e kornizës aktuale ligjore, dhe të rritet numri i diplomatëve profesionalë të cilët do ta përfaqësojnë Maqedoninë në diplomacinë publike. Eksperienca duhet të jetë zgjedhja jonë e logjikshme. Mirëpo, nëse nevojiten arsye plotësuese, atëherë mund të përmendim se vendet e zbrazëta të ambasadorëve të cilat i kemi momentalisht, mund (në një masë të caktuar) të jenë të tilla për shkak të pamundësisë së Ministrisë së punëve të jashtme dhe Presidentit të pajtohen për një listë të kandidatëve të pranueshme për të dy palët. Ky problem, i cili në thelb besoj se është (pjesërisht) edhe partiak, mund të tejkalohet në qoftë se shumica e ambasadorëve të propozuar rrjedhin nga mesi i diplomatëve profesionalë (të karrierës) në situatë kur zgjidhjet ligjore i favorizojnë pikërisht ata. Kur faktorët politikë do të mund të zgjedhin midis një sëre kandidatësh profesionalë, atëherë llogaritjet dhe lojërat partiake në një masë të madhe do të shndërrohen në kohë të humbur së koti.
Burim: ripostmk.com
Diplomatët krijohen
Argument shtesë në favor të profesionalizimit të rrjetit diplomatik është se aktualisht sistemi ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare dhe institucionet globale qëndrojnë para një sëre sfidash. Në momentet kur madje edhe një pjesë e akademikëve haptazi pyeten se „a do të mbijetojë rendi ndërkombëtar liberal?“ (për më shumë në lidhje me debatet akademike mund të shihni tek: Joseph Nye, Richard Haass, John Ikenberry), nuk ka politikë më të përgjegjshme se sa timoni i navigacionit nëpër këto realitete politike tu lihet diplomatëve me eksperiencë dhe profesionalë të karrierës. Një motiv më shumë për ndryshimin e kësaj politike është që partnerët tonë evropianë kanë shërbime profesionale diplomatike. Për ilustrim, si rregull i përgjithshëm Gjermania rekruton vetëm diplomatë të karrierës në rrjetin e vet diplomatik që të sigurohet se interesat e shtetit do të jenë të përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Gjithsesi, është e drejtë të pranojmë se një pjesë e opinionit tonë e përkrah situatën momentale ku kemi shumicë ambasadorësh politikisht të emëruar. Përkrahësit do të theksojnë se ka edhe ambasadorë politikisht të emëruar të cilët e kryejnë punën e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme dhe mirë. Sigurisht, kjo është e mundur, por ato profile do të kishin qenë edhe më të mirë në punën e vet në qoftë se paraprakisht do ti kishin kaluar shkallët e avancimit dhe trajnimet të cilat i mundëson ministria. Siç argumenton Nikollas Kralev: diplomatët krijohen, nuk lindin dhe prandaj duhet të punohet me kuadrin, të investohet në të, para se ta përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Përfundimisht, besoj se në plan politik të vendit propozimi i cili promovon sistem meritash do të jetë i mirëseardhur nga qytetarët. Në kontekst të shërbimit tonë diplomatik, promovimi i sistemit të meritave do të kishte qenë përdorimi i diplomatëve profesionalë të cilët i kemi në dispozicion. Madje një sërë raportesh (duke përfshirë edhe raportin e Pribe-së, dhe raportet e Komisionit Evropian) të cilat e kanë vlerësuar përparimin e proceseve demokratike në shoqërinë tonë propozojnë de-partizimin e sektorit publik dhe vendosjen e „merit“ sistemit në proceset e emërimit dhe përcaktimit. Rrjedhimisht, duke pasur parasysh se rrjeti diplomatik i Maqedonisë përbëhet nga një numër relativisht të vogël (50) ambasadash, ky realitet na hap një mundësi të vërtetë të fillojmë me diplomacinë si degë të jetës politike ku kuadrot profesionale do të jenë më të përfaqësuara se ato politike. Përveç kësaj, në suaza të MPJ tani më ekziston sistem i brendshëm i krijimit të diplomatëve të karrierës, pra nuk do të duhet të ri-shpiket ky proces, por thjeshtë të investohet më shumë në trajnime plotësuese dhe rrumbullakësim të stërvitjes së këtij kuadri.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i pasqyron pozitat e Institutit për studime të komunikimit e as të donatorit.