fbpx

Nga investimi ekonomik drejt ndikimit politik: depërtimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor

Alfred Marleku

Politika

10.06.19

Прегледи

МК SRB

Alfred Marleku

alfred marleku200x250Raportet miqësore dhe gatishmëria e Maqedonisë së Veriut për të mirëpritur investimet Kineze është shprehur qartë në vitin 2017 kur ish-presidenti Gjorge Ivanov deklaronte se Maqedonia e Veriut kishte nevojë për Kinën, po aq sa kishte nevojë edhe për BE-në.

 

Ballkani është udhëkryq dhe pikëtakim ku gjatë historisë janë takuar shtete dhe perandori. Ky rajon ka një pozitë të veçantë përmes së cilit shtete kanë synuar të realizojnë interesat e tyre politike, ekonomike ushtarake apo edhe gjeopolitike. Andaj, çdo herë është synuar që Ballkani të kontrollohet nga superfuqi si Rusia, Perandoria Osmane, Austria, ish BRSS, ShBA apo edhe BE. Por, vitet e fundit, disi heshtur, ndikimin në rajon e ka shtrirë, një superfuqi tjetër botërore. Një ndër to është Kina.   

Ndikimi i Kinës në Ballkan është i fokusuar kryesisht në aspektin ekonomik. Kjo qasje është në përputhje të plotë me objektivat e saj strategjike, ku ekspansioni ekonomik identifikohet si prioriteti kryesor. Andaj, objektivë e politikës së jashtme Kineze në të gjithë botën është ajo që njihet si “Diplomacia e Investimeve në Tregti” (Trade Investment Diplomacy). Kjo strategji zbatohet edhe në vendet e Ballkanit.

Në fakt, qasja e Kinës ndaj Ballkanit është dualiste. Nga njëra anë Kina zhvillon politikë unilaterale me shtetet e Ballkanit, përjashto Kosovën. Por, nga ana tjetër Pekini ka ndërtuar një platformë regjionale të njohur si “16+1”. Kjo ka si qëllim intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me 11 vente anëtarë të BE-së dhe 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Natyra e investimeve është e fokusuar kryesisht në infrastrukturë: ndërtim autostradash, ndërtim urash, ngritje të kapaciteteve energjetike dhe shfrytëzim portesh detare. Vendi me më së shumti investime deri me tani është Serbia. Këtu përfshihen hekurudha e shpejtësisë së lartë me gjatësi 350 km në mes të Budapestit dhe Beogradit, qëllimi i të cilit është lidhja me portin Piraeus i cili nga grekët, që nga kohërat antike, konsiderohet si “metaforë për Greqinë”. Kina gjithashtu është duke investuar në Beograd në ndërtimin e një ure mbi Lumin Danub në vlerë prej 160 milion USD dhe i ka dhënë kredi Serbisë për ndërtimin e kapaciteteve elektrike në vlerë prej 700 milion EUR.

E njëjta qasje, edhe pse në përmasa më të vogla, është përdorur edhe sa i përket Maqedonisë së Veriut. Investimi më i madh është në dy projekte rrugore nga Shkupi-Stip dhe nga Kicovo-Ohër, për realizimin e të cilës Kina i ka dhënë hua Maqedonisë 580 milion EUR. Përveç kësaj, rreth 500 milion EUR janë destinuar për projektin që lidhet me Iniciativa e “Rrugës së Re të Mëndafshit” (New Silk Road Initiative). Raportet miqësore dhe gatishmëria e Maqedonisë së Veriut për të mirëpritur investimet Kineze është shprehur qartë në vitin 2017 kur ish-presidenti Gjorge Ivanov deklaronte se Maqedonia e Veriut kishte nevojë për Kinën, po aq sa kishte nevojë edhe për BE-në.

Raportet më të vjetra me Kinën nga shtete e rajonit i ka Shqipëria. Ato datojnë që nga vitet e 70-ta ku lideri Enver Hoxha, për shkak të afërsisë ideologjike, kishte krijuar “raporte vëllazërore” me Kinën Maoiste. Megjithatë, kjo marrëdhënie “romantike” ishte ndërprerë në vitet e 80-ta ku Hoxha kishte akuzuar udhëheqjen Kinezë se kishte marrë “rrugën revizioniste”.

kina zapaden balkan

Aktualisht qëllimi kryesor i Kinës, sa i përket raporteve me Shqipërinë, është krijimi i qasjes në portet e saj detare të Durrësit, Vlorës dhe Shëngjinit, përmes së cilave mundësohet qasje në Detin Adriatik dhe atë Jon. Andaj, pas shtrirjes së ndikimit në portin Piraeus të Greqisë, kontrolli mbi këto porte do t’i krijonte Kinës qasje shumë të lehët në Evropë. Qeveria e Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar. Si veprim konkret i ka ofruar Kinës portin e Shëngjinit në formë të koncesionit për 25 vjet, në këmbim të investimit dhe rinovimit të tij substancial, pasi kemi të bëjmë me një port të dëmtuar.

Raportet e Kinës me Kosovën nuk ekzistojnë as në nivelin bilateral, por Kosova nuk është e përfshirë as në agjendën multilaterale “16+1”. Për më tepër, Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008. Pozicioni kinez bazohet në frikën se njohja e Kosovës mund të shihet si precedent për rastet sensitive si regjioni i Tbetitit dhe Xinjiang

Si pjesë e platformës “16+1”, Kina ka shprehur interes të hapur për intensifikimin e raporteve me Kroacinë. Kjo është rritur sidomos pas vizitës së presidentit korat në Pekin në vitin 2015 dhe kthimit të vizitës nga një delegacion i nivelit të lartë kinez në 2017. Aspekt me rendësi i bashkëpunimit është kërkesa e qeverisë kineze për lehtësimin e procedurave të vizave për qytetarët kinez. Vitet e fundit numri i turistëve nga Kina që vizitojnë Kroacinë është rritur dukshëm.

Këto zhvillime e kanë shqetësuar Bashkimin Evropian. Zyrtarët e kësaj organizate janë shprehur se Brukseli e ka nënvlerësuar ndikimin e Kinës në Ballkan. Sipas Komisionarit për Zgjerim, Johannes Hahn, disa nga shtete e Ballkanit janë duke marrë hua në shuma të mëdha nga Kina për të investuar në projekte infrastrukturore të cilat, sipas tij, do të rrisin rrezikun dhe mundësinë për të dëmtuar ekonomitë e tyre të brishta.

Një shqetësim i ngjashëm është shfaqur edhe në Konferencën e Sigurisë të Munihut të mbajtur më 2019. Ndër të tjera, aty u theksuan problemet që mund të hasin shtetet e Ballkanit të cilat kanë marr hua nga Kina për të zhvilluar projektet e tyre infrastrukturore, por në anën tjetër nuk kanë kapacitete të mjaftueshme që këto hua t’i kthejnë. Në këtë rast ndodh ajo që, në teori, njihet si “diplomacia e borxh-mbetjes” (debt-trap diplomacy). Droja e politikanëve të BE-së është që ky raport financiar do të shndërrohet në raport politik dhe do t’i mban këto shtete nën ndikimin politik Kinez.  

Bashkimi Evropian është dhe mbetet investuesi dhe donatori kryesor në Ballkanin Perëndimor. Si pjesë e Instrumentit për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), në 2018 për këto vende BE ndau rreth 1.1 miliard dollarë, Në anën tjetër, vullneti i qytetarëve të këtyre vendeve, dhe i politikanëve gjithashtu, është që të përfshihen në procesin integrues. Megjithatë, vitet e fundit në lojë janë futur edhe aktorë tjerë global të cilët janë duke shtrirë ndikimin e tyre në këtë rajon dhe në këtë mënyrë gradualisht janë shndërruar në  konkurrent serioz për BE-në në rajon. Por, a është Kina alternativë e BE-së për këto vende? Kjo mbetet të shihet në vitet në vijim. Në fakt, kjo më shumë varet nga qasja që BE-së do ketë ndaj Ballkanit, në këto kohë të turbullta edhe për vetë BE-në.

Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Bashkimin Evropian, numri i partive të ekstremit të djathtë dhe atyre populiste u rrit dukshëm, edhe pse jo në masë aq të madhe sa ka qenë shqetësimi në disa nga shtetet e BE. Megjithatë, këto forca politike dolën të parat në dy shtete të rëndësishme të BE-së si Franca dhe Italia. Rezultati i këtyre zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe formimin e institucioneve të reja të BE-së, është jetik për orientin strategjik dhe të ardhmen e organizatës. Aktualisht BE ka mospajtime të  thella brenda saj rreth disa nga temat kryesore siç janë: politika e migrimit, politika e zgjerimit, apo ajo fiskale. Në anën tjetër, raportet me partnerin e saj strategjik, ShBA-në, janë komplikuar. Kjo nuk ka ndodhur vetëm për fajin e BE, por edhe për shkak të qasjes jo-konvencionale dhe të paparashikueshme të presidentit Trump. Në të njëjtën kohë, ndikimi i aktorëve të jashtëm si Kina dhe Rusia është rritur ndjeshëm saqë Kancelarja Angela Merkel deklaroj se Evropa duhet të bashkohet për t’i rezistuar ndikimit Kinez, Rus dhe atij Amerikan. Kjo duket se do të ndikoj dukshëm që në të ardhmen vendet kryesore të BE-së të jenë më të fokusuar menaxhimin e çështjeve të brendshme dhe ballafaqimit me sfida globale, se sa në procesin integrues të rajonit.   

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose ta merrni përmbajtjen.
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i reflektojnë pozitat e Institutit për studime komunikologjike e as të donatorit.

Alfred Marleku

Alfred Marleku është Doktor i Shkencave Politike dhe Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Komparative në Kolegjin UBT, në Fakultetin e Shkencave Politike. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë punimeve shkencore në fushën e shkencës politike në revistat përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është bashkëautor i një seri dokumentesh strategjike, kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Interesat e tij kërkimore përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet e vogla dhe procesin e ndërtimit të shtetit. Për më shumë se 8 vjet ai ka punuar si menaxher i projekteve në programe të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID, Ambasada e SHBA-së dhe të tjera, kryesisht në reformën e arsimit të lartë në Kosovë, duke u përqëndruar në: kërkimin dhe zhvillimin; ikja e trurit; zhvillimi i kurrikulave mësimore, etj.