fbpx

Njerëzit trans janë një pakicë e margjinalizuar, e jo njerëz të fuqishëm që përhapin “ideologjinë transgjinore”

Elena Gagovska

Politika

27.12.21

Прегледи

Elena Gagovska

Elena Gagovska 400x500

Personat trans në Maqedoni janë në fakt qytetarë të dorës së dytë. Gjëja më e rëndësishme për t'u mbajtur mend është se narrativat transfobike në vendin tonë janë krejtësisht të gabuara.

 

Në nivel global dhe lokal në vendin tonë po përhapen narrativa të pasakta dhe transfobike se si njerëzit transgjinorë (njerëzit me identitet gjinor të ndryshëm nga gjinia që u është dhënë gjatë lindjes) përpiqen të "korruptojnë fëmijët" dhe të imponojnë një "ideologji transgjinore" mbi shumicën. Këto propaganda përmbysin realcionet e pushtetit, duke i portretizuar njerëzit trans si një forcë që shtyp "njeriun e zakonshëm", në vend të një pakice të margjinalizuar që në shumicën e pjesëve të botës ende u mungojnë të drejtat themelore të njeriut, si aksesi adekuat në shërbimet e kujdesit shëndetësor për tranzicionin mjekësor dhe njohjen ligjore të gjinisë së tyre.

Rritje e shikueshmërisë/pranisë

Në dhjetë vitet e fundit, komuniteti transgjinor ka fituar në mënyrë eksponenciale më shumë vëmendje dhe shikueshmëri mediatike se kurrë më parë në histori. Një sondazh i vitit 2019 nga PRRI (Instituti Publik i Kërkimeve Religjioze) tregon se 24% e amerikanëve kanë një mik të ngushtë ose të afërm që është një person trans. Sipas një studimi tjetër nga IPSO (Organizata e Pavarur e Standardeve të Shtypit), mbulimi mediatik i çështjeve transgjinore në mediat britanike u rrit me 400% nga viti 2014 në vitin 2019. Nuk ekzisaton saktësisht i njëjti trend në mediat maqedonase, por sipas hulumtimit të Koalicionit Margini për mbulimin mediatik të temave që lidhen me komunitetin LGBTI dhe dhunën me bazë gjinore të publikuar në nëntor të vitit 2021, personat transgjinorë shquhen si temë më vete me interes për mediat.

Kjo shikueshmëri/prani është pozitive në shumë aspekte, siç është rritja e mbështetjes për të drejtat e njeriut për personat trans dhe përvetësimi i tyre në pjesë të caktuara të botës. Megjithatë, kjo shikueshmëri nuk reflektohet në pranimin dhe integrimin e plotë të personave transgjinorë në shoqëri. Në një farë mase, pikërisht kjo shikueshmëri - e cila u bë e mundur pjesërisht për shkak të internetit - sipas gazetares transgjinore Caitlin Burns, e ka bërë komunitetin trans më të prekshëm ndaj sulmeve nga propaganda e djathtë.

Në artikullin e saj për Vox, Burns shkruan sesi shikueshmëria/prania e komunitetit trans u rrit ndjeshëm gjatë viteve 2010, por edhe sesi kjo shikueshmëri solli rreziqe të tjera për vetë komunitetin. Sipas Burns, kjo prani/shikueshmëri është kryesisht për shkak të shtrirjes globale të internetit dhe disa ngjarjeve të mëdha mediatike si "dalja" publike e informatores Chelsea Manning, pra shpallja publike e identitetit të saj si grua trans në vitin 2013.

Ngjarja tjetër e madhe mediatike ishte kopertina e revistës Time në vitin 2014 me Lavern Cox, aktoren trans nga seriali i njohur i Netflix " Orange is the New Black", me fjalët: "Pika e kthesës për personat transgjinorë: fronti i ardhshëm i të drejtave civile në Amerikë". Burns, natyrisht përmend edhe momentin e tretë të madh mediatik: tranzicionin publik të atletes olimpike Caitlin Jenner e cila u bë "out" me një foto magjepsëse në kopertinën e revistës Vanity Fair në vitin 2015, përmes së cilës i tregoi botës se ishte një grua trans.

Këto tranzicione të profilit të lartë kanë rritur interesin e medias dhe publikut rreth komunitetit trans, por në të njëjtën kohë ka pasur një rezistencë konservatore ndaj këtyre ndryshimeve. Në artikullin e sipërpërmendur për Vox, Caitlin Burns shkruan si më poshtë reagimin e së djathtës konservatore pas legalizimit të martesave të të njëjtit seks në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2015 nga Gjykata e Lartë:

“Beteja më e madhe LGBTIQ [lesbike, homoseksual, biseksual, transgjinor, queer] në legjislaturë dhe gjykata deri atëkohë ka rezultuar në një humbje katastrofike për konservatorët fetarë dhe kulturorë. “Por, në vend që të grumbullojë gjërat dhe të shkojë në shtëpi, e djathta ekstreme thjesht e ka zhvendosur fokusin e saj te një grup i ri, më i cenueshëm – njerëzit trans”.

Kjo do të thotë, pas vitit 2015, sulmet e organizuara ndaj komunitetit trans në nivel legjislativ janë rritur në mënyrë dramatike, si për shembull përpjekjet për të miratuar ligje të ndryshme që do të rregullonin se cilat tualete mund të përdoreshin nga transgjinorët. Vitet e fundit, e djathta është bërë gjithnjë e më e shqetësuar për pjesëmarrjen e grave trans në sportet e grave dhe përdorimin e bllokuesve të hormoneve nga adoleshentët trans.

Trans lugeto se gragani od vtor red, a ne moknici koi sirat „transrodova ideologija“Burimi: sdk.mk

Transfobia perëndimore e importuar në Maqedoni

Pse është e rëndësishme kjo histori e fundit e SHBA-së për Maqedoninë? Për shkak të disponueshmërisë së informacionit përmes internetit, në vendin tonë ka mbërritur i njëjti diskurs transfobik amerikan dhe evropian perëndimor, duke rrezikuar jetën dhe dinjitetin e komunitetit trans maqedonas. Shoqata “Nga ne te ne”, grupi “Të ruajmë martesën dhe familjen” në Facebook dhe faqja “Merr përgjegjësinë” në Facebook kanë përhapur prej kohësh dezinformata dhe lajme të rreme rreth edukimit gjithëpërfshirës seksual (VSE) kryesisht përmes taktikave transfobike që janë kopjuar praktikisht nga e djathta amerikane. Këto grupe popullarizuan termin kontradiktor dhe transfobik "ideologji transgjinore". Ky term nuk është vetëm transfobik, por nuk ka asnjë kuptim sepse nuk eksziton asnjë ideologji të unifikuar në të cilën besojnë të gjithë njerëzit trans. Domethënë jo të gjithë transgjinorët e përjetojnë apo e kuptojnë identitetin e tyre në të njëjtën mënyrë dhe për këtë arsye nuk mund të themi se ekziston një ideologji transgjinore..

Pa dyshim, transfobët vendas dhe të huaj e shohin vetë ekzistencën e njerëzve trans si një lloj ideologjie përmes së cilës supozohet se një pakicë i imponohet shumicës. Këto rrëfime transfobike përgjithësisht e portretizojnë komunitetin trans në një mënyrë monstruoze, si njerëz "devijues" që "mutojnë" trupat e tyre dhe përpiqen të "indoktrinojnë" fëmijët. Këto lëvizje portretizojnë gjithashtu njerëzit transgjinorë si aktorë të fuqishëm politikë, e jo si një pakicë të margjinalizuar. Në këtë kontekst, në shkrimin për Sloboden Peçat, Manja Velickovska shkruan:

[Lëvizjet anti-gjinore] kanë fuqinë për të krijuar një realitet paralel në të cilin personat LGBTI, duke përfshirë transgjinorët në veçanti, antagonizohen dhe paraqiten si elita të paprekshme dhe të korruptuara që kërkojnë më shumë se kushdo tjetër. Duke përmbysur dhe shtrembëruar pozicionet e tyre, ata i paraqesin ata si armiq të rrezikshëm dhe të jashtëm, armiq të rinj dhe të importuar.

Madje shumë nga personat që komentuan në postimin në Facebook ku u nda artikulli im për “ideologjinë transgjinore”, kishin pikërisht këto ide për njerëzit trans, por edhe për mua si mbështetëse e këtij komuniteti. Madje, një komentues supozoi se unë nuk jetoj në Maqedoni dhe shkroi: “Elena Gagovska qëndro atje në perëndim dhe mos u kthe këtu”, duke lënë të kuptohet se unë jam një “aktor politik perëndimor” që implementon idetë e importuara.

Komentet e tjera (shumica prej të cilave tashmë janë hequr për shkak të fjalorit të turpshëm) flisnin për mënyrën sesi përmes njerëzve trans gjoja po "shfaroheshin gratë " sepse nuk po flasim më për seksin biologjik, por për një gjini të ndërtuar shoqërore. Kjo do të thotë, shumë nga komentet nuk rezultonin në një transfobi "tradicionale" që rrjedh nga mosnjohja e çështjeve transgjinore, por shumë komentues kishin disa "njohuri" për komunitetin transgjinor dhe komentet e tyre përmbanin një transfobi "më të sofistikuar" të bazuar në rrëfime të ndërtuara transfobike 6-7 vitet e fundit të së djathtës dhe lëvizjeve antigjinore për të cilat shkruan Veliçkovska.

Në fakt, komentet në artikull konfirmojnë frikën se transfobia perëndimore, e cila nuk ekzistonte më parë në këtë fushë, po importohet masivisht në Maqedoni përmes internetit. Komuniteti trans në Maqedoni është injoruar dhe margjinalizuar me vite të tëra (i cili po fiton më shumë shikueshmëri/prani për shkak të punës së trans aktivistëve, si dhe dy paradave të krenarisë), por kurrë më parë nuk ka qenë objektiv i një lëvizjeje të tillë të organizuar.

Qytetarë të dorës së dytë

Gjëja më e rëndësishme për t'u mbajtur mend është se këto tregime transfobike janë krejtësisht të gabuara: njerëzit trans nuk janë thjesht një elitë e devijuar perëndimore që përpiqet të shkatërrojë shoqërinë dhe të korruptojë fëmijët. Komuniteti trans në Maqedoni nuk i ka të drejtat elementare të njeriut dhe praktikisht nuk njihet nga autoritetet shtetërore. Ende nuk është miratuar një ligj për gjendjen civile (Regjistri amë) që do të përcaktonte qartë se si personat trans mund të ndryshojnë shënuesin (marker) gjinor të dokumenteve të tyre personale, dhe ata ende kanë akses të pamjaftueshëm në shërbimet shëndetësore - barriera që kanë një ndikim të përditshëm në jetën e njerëzve trans.

Më 10 dhjetor 2021, një burrë transgjinor publikoi një letër anonime drejtuar Meduzas-s në të cilën ai shpjegon se me çfarë transfobie sistematike është përballur dhe se si burrat trans në Maqedoni janë përballur me një krizë të madhe shëndetësore vitin e fundit që kur kompanisë farmaceutike Galenika i skadoi licenca e importit të testosteronit. Një ilaç i nevojshëm për tranzicionin mjekësor për shumë burra trans. Në këtë letër shkruhet si më poshtë:

Nisur nga kjo dhe fakti që shërbimet mjekësore për personat trans nuk mbulohen nga fondi, tranzicioni mjekësor është pothuajse i pamundur në kushte “normale”. Njerëzit trans janë pothuajse inekzistent në sistem dhe kjo i vendos ata në një pozitë kërcënuese për jetën. Edhe gjëja më elementare si gjetja e një mjeku familjar, diçka për të cilën shumica e njerëzve as nuk duhet të mendojnë, është një sfidë e madhe për personat trans, të cilët nuk mund të jenë të sigurt nëse mjeku i tyre i familjes do ta pranojë identitetin e tyre gjinor dhe do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmë.

Personat trans në Maqedoni janë në fakt qytetarë të dorës së dytë. Të mësosh për ekzistencën e tyre brenda arsimit, ndryshimin e ligjit të gjendjes civile dhe miratimin e politikave të tjera që do t'ia lehtësonin jetën komunitetit trans nuk është një nxitje për një "ideologji transgjinore", por një luftë për të drejtat themelore të njeriut që duhet të mbështeten nga të gjithë të cilët mbështesin dhe promovojnë një shoqëri të barabartë, pluraliste dhe të drejtë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Elena Gagovska

Elena Gagovska është shkrimtare, studiuese dhe gazetare e cila ka diplomuar në Bard College Berlin, ndërsa aktualisht jeton në Shkup. Ajo është e interesuar dhe shkruan për tema të ndryshme politike si feminizmi ndërsektorial, politika majtiste, antiracizmi, të drejtat e punëtorëve dhe LGBTI- komunitetit. Ajo publikon rregullisht artikuj në platformën feministe "Meduza" ndërkaq është publikuar edhe në shumë media të tjera vendase dhe të huaja si Women's Media Center, Summer of Solidarity dhe Jacobin.