Më 16 shtator 2022, ndërsa u gjetën varreza masive me qindra viktima të agresionit rus në qytetin ukrainas Izium, në të njëjtën kohë, në Sllovaki po zhvillohej një nga shumë operacionet informative dhe ndikimit rus. Igor Bratchikov, ambasadori rus në Sllovaki, po bën fushatë propagandistike dhe shpërndan dezinformata për përdhosjen e varreve të ushtarëve rusë, fushatë e autorizuar nga qarqet pro-Kremlinit.
Fshati Ladomirova ndodhet në Sllovakinë verilindore. Ka pak më shumë se një mijë banorë. Në fakt, ai nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë ekonomike apo historike.
Përveç një. Në vitin 2014, në fshat u rikonstruktuan varrezat e luftës të ushtarëve të rënë nga Lufta e Parë Botërore. Rindërtimi është financuar edhe nga Ambasada Ruse. Për shkak të historisë së përbashkët, veçanërisht gjatë luftërave botërore dhe më vonë gjatë epokës sovjetike, pala ruse ka qenë vërtet dominuese në aktivitete të ngjashme në Sllovaki.
Përveç veprimeve të shumta dhe të padëshiruara (përhapja e dezinformatave, propaganda, bashkëpunimi me ithtarët anti-sistem), mund të flitet për një skemë komplekse ndikimi dhe operacionesh informacioni të kryera nga ana e Moskës.
Këto janë të pranishme në Sllovaki të paktën që nga viti 2014. Rrjeti i ithtarëve që, si pjesë e operacioneve hibride, janë ngritur nën ombrellën e reaksionizmit, përbëhet jo vetëm nga media alternative, por me kalimin e kohës, në këtë ekosistem janë përfshirë edhe politikanë ose përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Operacioni "Varrezat" në Ladomirovë
Në mesin e shtatorit, lajmet për mizori të tjera ruse në Ukrainë qarkulluan në mbarë botën. Pas një pushtimi pesë-mujor nga forcat ruse, ushtria ukrainase zbuloi varrezat masive të më shumë se 440 viktimave në qytetin Izium. Sipas dëshmitarëve, ushtarët rusë kishin arrestuar këdo që dyshohej se kishte pikëpamje pro-ukrainase.
Situata na mësoi se masakra në Buça nuk ishte një anomali. Përkundrazi, veprimet e Rusisë dhe shënjestrimi sistematik i objektivave civile janë të ngjashme me gjenocidin. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me një 'operacion ushtarak special', të cilin Kremlini po përpiqet ta portretizojë si një akt legjitim përmes argumenteve të çmilitarizimit dhe denazifikimit.
Audienca vendase dhe e huaj janë të rëndësishme. Provat e brutalitetit rus duhetn të fshihen nga të dyja audiencat - formula e katër D-ve ende është në fuqi: largohu, shtrembëro, shpërqendro dhe trondit (dismiss, distort, distract and dismay).
13 shtatori i vitit 2022 përshkruan dy ngjarje - çlirimin e qytetit Izium dhe vizitën e punës së ambasadorit rus në Sllovaki, Igor Bratchikov, në Ladomirovë. Për të shpërqendruar gjetjet në Ukrainë, me kaos informacioni, nis retorika duke akuzuar kryebashkiakun e Ladomirovës për përdhosjen e varreve të heronjve të rënë, ushtarë të Ushtrisë Perandorake Ruse. Ky akt "blasfemie" është dënuar zyrtarisht nga ambasada ruse më 15 shtator 2022.
Krahasimi i performancës së përmbajtjes midis temave të Ladomirova dhe Izium. Të dhënat e marra nga Gerulata Juno bazuar në kërkimin e fjalëve kyçe “Ladomírová” dhe “Izium”.
Shpërdorimi i përkatësisë etnike në operacionin informativ
Atëherë, pse akuzat ruse mund të përshkruhen si dezinformata? Para së gjithash varrezat nuk janë përdhosur. Ishin hequr vetëm bordurat rreth kryqeve, të cilat e bënin të pamundur mirëmbajtjen (p.sh. kositjen) e zonës. Sipas historianit Martin Drobňák, reagimi i ambasadës ruse në Sllovaki ishte joadekuat pasi varrezat mbetën në gjendje dinjitoze.
Së dyti, nuk është i saktë gjithashtu edhe rrëfimi se këto ishin varreza të Ushtrisë Perandorake Ruse. Përkundër faktit se varrezat janë etiketuar si ruse në kujtesën e përbashkët të popullsisë, në të vërtetë atje pushojnë ushtarë të rënë të disa kombësive. Kjo është e konfirmueshme nga arkivat.
Gjatë Luftës së Parë Botërore u ndoq ideja që të gjithë ushtarët, pavarësisht për çfarë ushtrie kishin luftuar, të varroseshin me dinjitet dhe në të njëjtin vend. Në mesin e ushtarëve të panjohur të varrosur në këto varreza janë edhe pjesëtarët e ushtrisë austro-hungareze.
Foto e publikuar në faqen zyrtare të Ladomirovës në kohën e deklaratës së ambasadorit rus (15 shtator 2022). Kjo foto dokumenton gjendjen reale të varrezave. Burimi: Obec Ladomirová.
Është e rëndësishme të theksohet fakti që del në pah nga sa u përmend më lart. Përkatësia etnike nuk luajti asnjë rol në këtë situatë, por shërbeu si mjet apo vegël për operacionin informativ rus.
Ndjekja e martirizimit dhe kaosit informativ. Aktivistë/lojtarë që ndihmojnë propagandën e brendshme ruse
Faktori i padrejtësisë ndaj kombit rus ngjall emocione që janë shumë të lehta për t'u manipuluar. Kjo skemë logjike mund të shihet gjatë viteve të fundit në fushatat e aktiviteteve informative të Rusisë.
Mesazhi i rremë është i qartë: Rusia po përballet me padrejtësinë dhe rusofobinë. Si rezultat, rritet polarizimi, urrejtja arrin një shkallë shfrenimi dhe fillon kaosi informativ. Këta rriten në fuqi, veçanërisht kur propagandistët ndihmojnë në përhapjen e informacionit konfuz dhe të rremë.
Dikush mund të thotë se çështja e Ladomirovës nuk do të kishte përjetuar kulmin e saj fillestar nëse mashtrimi nuk do të ishte përhapur më tej nga grupi i motoristëve pro-Kremlinit Brat za brata (Vëllai për Vëllanë), por veçanërisht nga Prokurori i Përgjithshëm Marosh Zhilinka.
Ai i përshkroi hapat e ndërmarrë si një "shfaqje të mosrespektimit të madh", një veprim "i denjë për dënim moral" dhe donte që çështja të hetohej për të konstatuar nëse kishte elemente të veprës penale.
Duhet shtuar se Marosh Zhilinka ka vepruar si medium i pikëpamjeve pro-ruse në të kaluarën, për shembull në rastin e miratimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes midis Sllovakisë dhe SHBA-së.
Megjithatë, në rastin e varrezave, situata është më e ndjeshme; shpërndarja e propagandës së Kremlinit gjatë agresionit rus në territorin e fqinjit lindor të Sllovakisë është të paktën e padëshirueshme. Prokuroria e Përgjithshme ka kundërshtuar ashpër akuzat për përhapjen e propagandës ruse.
Fushata në lidhje me varrezat e Ladomirovës, megjithatë, filloi nga faqja Brat za brata (Vëllai për vëllanë) duke shpërndarë një foto të kryebashkiakut të Ladomirovës, Cuper, i cili më vonë mori kërcënime me vdekje. Me shumë humor, faqja zbuloi edhe natyrën e saj të vërtetë, duke kopjuar fjalë për fjalë statusin origjinal të ambasadës ruse.
Informacioni i rremë u shpërnda gjithashtu nëpër llogari të shumta në Telegram, i cili sot mund të konsiderohet një qendër për narrativat pro-ruse që depërtojnë në hapësirën informative sllovake.
Burimet e përmbajtjes mbi temën e Ladomirovës. Të dhënat e marra nga Gerulata Juno bazuar në kërkimin e fjalëve kyçe “Ladomírová”.
Dezinformata u shpërnda edhe nga faqe të tjera të njohura që janë pjesë e ekosistemit mediatik pro-Kremlinit (p.sh. Slovanské noviny, nocomment.sk, Hlavný denník ose Badatel.net). Disa nga postimet janë fshirë nga autorët e tyre pas reagimit të autoriteteve shtetërore.
Megjithatë, mediat ruse arritën të përfitojnë nga situata. Lajmi për përdhosjen e varreve të ushtarëve rusë nga Lufta e Parë Botërore u shpërnda nga një sërë mediash të kontrolluara nga shteti rus. Informacioni i rremë është transmetuar gjithashtu edhe në kanalin rus Rossiya-1.
Sforcohej rrëfimi kinse i një varreze ekskluzivisht ruse, përdhosja imagjinare e së cilës përshtatet në mënyrë të përkryer në imazhin e një "Perëndimi kolektiv" hakmarrës dhe të padrejtë. Në fund të fundit, në kohë lufte, demonizimi i armikut është thelbësor.
Të neutralizuar në fazat e hershme
Si një aspekt pozitiv, duhet theksuar se përhapja e mashtrimit u kundërshtua shpejt nga një numër aktorësh shtetërorë dhe të shoqërisë civile.
E para ishte Policia e Republikës së Sllovakisë, e cila e cilësoi qartë Igor Bratchikovin si një mashtrues që përhap propagandë ruse, me të cilin kërcënohej jeta e një qytetari të Republikës së Sllovakisë (kryetari i komunës së Ladomirovës).
Në veçanti, duhet përgëzuar koordinimin e përgjigjeve të lëshuara nga institucionet dhe ministritë, të cilët identifikuan qartë operacionin e vazhdueshëm informativ. Informacioni për varrezat u identifikua qartë si pjesë e propagandës ruse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes. MPJ ka thirrur edhe Igor Bratchikovin më 20 shtator. MPJ në deklaratën e saj dënoi keqpërdorimin e vendeve të kujtimit për përhapjen e qëllimshme të dezinformatave.
Ndër të tjera, Ministria e Mbrojtjes vuri në dukje edhe fotot kontekstualisht të keqpërdorura nga Ambasada Ruse, të realizuara fillimisht gjatë punimeve ndërtimore në fillim të qershorit.
Reagimi i institucioneve shtetërore u shpërnda më pas në qindra mijëra njerëz, të ndjekur nga media dhe televizioni publik për mbulimin e lajmeve të mbrëmjes. Demantimet u shpërndanë edhe nga disa përfaqësues të shoqërisë civile. Skena alternative megjithatë preferoi deklaratat e Prokurorisë së Përgjithshme.
Foto e publikuar nga Ambasada Ruse në Sllovaki. Realisht, ajo është marrë në fillim të qershorit, kur në varreza po zhvilloheshin punimet.
Pas vitesh anashkalimi të problemit të kërcënimeve hibride dhe dezinformimit, shembujt e mësipërm të identifikimit të operacionit, reagimit dhe komunikimit të koordinuar janë një sinjal pozitiv.
Nëpërmjet tyre, operacioni informativ i Rusisë ishte ndalur në fazat e hershme. Rasti i varrezave të Ladomirovës nuk i la në hije viktimat e agresionit rus në Izium.
Megjithatë, faktorët që paraqesin dobësi dhe porta të mundshme për operacionet e influencës ruse në të ardhmen mbeten ende të pranishëm.
Vëllezërit sllavë?
Prania e ndjenjave pro-ruse në shoqërinë sllovake ka vazhduar prej kohësh. Kjo buron nga një histori e përbashkët, konkretisht nga "çlirimi" pas Luftës së Dytë Botërore ose më pak se gjysmë shekulli nën BRSS. Qëndrimi ndaj Rusisë, apo Perëndimit nga ana tjetër, përfaqëson një nga shtyllat kryesore të polarizimit të shoqërisë sllovake.
Kjo buron gjithashtu nga besimi i viteve 1990 se Sllovakia duhet të përfaqësojë një urë gjeopolitike neutrale (ndërmjetësuese) midis Perëndimit dhe Lindjes. Megjithatë, për sa i përket kërcënimeve hibride, kjo është një nga dobësitë kryesore të përdorura nga aktorë të ndryshëm dhe palë të treta.
Rrëfimet e shpërndara me vetëdije të revizionizmit historik, ideja e sllavizmit, ku Rusia paraqitet si një ari i madh që mbron vlerat tradicionale (duke luftuar kundër dekadencës së Perëndimit), luajnë gjithashtu një rol. Por më në fund po zbulohet karakteri dhe fytyra e vërtetë e armikut, i cili në betejën për zemrat dhe mendjet shtiret si vëlla.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.