Zhvillimet politike të vitit 2022 tregojnë se ndoshta viti i ardhshëm, 2023, do të jetë viti kur rruga tashmë e pretenduar evropiane e Serbisë do të bllokohet.
Kur erdhi në pushtet dhjetë vjet më parë, Aleksandar Vuçiq u prezantua në vend, veçanërisht në rajon dhe në perëndim, si një politikan që përjetoi një katarsis, respektivisht një rilindje, i cili nga një luftënxitës dhe një shovinist i flaktë i tribunave të futbollit u bë një i ashtuquajtur eurofanatik.
Në fakt, politika e tij pro-evropiane ishte promovuar disa vite më parë, kur një pjesë e Partisë Radikale Serbe (SRS) u largua nga lideri i saj për një kohë të gjatë, i burgosuri i Hagës, Vojislav Sheshelj, dhe formoi Partinë Progresive Serbe (SNS) të udhëhequr nga ai dhe Tomislav Nikoliç. Në “ikjen” e tyre nuk ka dyshim se i ka ndihmuar pushteti i atëhershëm serb, i udhëhequr nga demokrati Boris Tadiq, por edhe disa vende perëndimore. Ata donin të krijonin një parti të fortë konservatore, por pa mëdyshje pro-evropiane. Domethënë, ajo pjesë e nacionalistëve serbë, të cilët përgjithësisht janë të orientuar drejt Rusisë, të kthehen drejt Perëndimit.
Madje ata ëndërronin për një lloj sistemi dypartiak, ku progresistët do të ishin e djathta, kurse Partia Demokratike (DS) do të ishte qendra e majtë. Emëruesi i përbashkët do të ishte: rrugëtimi i përshpejtuar evropian.
Pas marrjes së fronit, Vuçiç bëri lëvizje në frontin e politikës së brendshme dhe të jashtme, të cilët e bindën Perëndimin në besimin se nuk kishin gabuar kur luajtën në kartën e ish-ministrit të Informacionit në qeverinë e Millosheviçit. Në vitin 2013 u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, e cila rrumbullakosi sistemin institucional të Kosovës dhe relaksoi disi marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në rrafsh rajonal, Vuçiq dërgoi mesazhe paqeje, madje ai u perceptua si një faktor stabiliteti në Ballkan. Përveç kësaj, brenda vendit ai filloi të ashtuquajturat goditjen e korrupsionit dhe krimit, si dhe u arrestua edhe manjati i fuqishëm Miroslav Mishkoviç. Kjo e fundit i solli atij një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe në mesin e qytetarëve ai u perceptua si Eliot Ness. Edhe ata nga vendet fqinje ankoheshin dhe kishin zili në disa sondazhe pse nuk kishin “një politikan të tillë”.
Nga ana tjetër, megjithatë, gjërat shkuan në një drejtim krejtësisht tjetër. Ishte e qartë se brenda vendit, ky politikan më i fuqishëm, pavarësisht nga pozita e tij (nga viti 2012 deri në vitin 2014, ishte zëvendëskryeministër, pastaj deri në vitin 2017 kryeministër dhe më pas presidenti i Serbisë), ishte duke krijuar një sistem autokratik, i cili filloi duke vënë shërbimin sekret nën kontroll të fortë personal-partiak. Më pas u krijua një sistem antidemokratik i kontrollit të rreptë të medias dhe gjyqësorit. Këto leva kontrolli më pas e ndihmuan atë të shkatërronte institucionet e tjera dhe kundërshtarët politikë. Nga pozicioni i një pushteti të madh, me mbështetjen e Perëndimit, ai jo vetëm shkatërroi apo "zbuti" opozitën dhe publikun kritik, por edhe partnerët e tij politikë, madje edhe bashkëpunëtorin e tij politik prej shumë kohësh Tomislav Nikoliq, të cilin e margjinalizoi plotësisht dhe praktikisht ia ndaloi të kandidonte për president të Serbisë në vitin 2017.
Zgjedhjet e shpeshta të organizuara në dekadën e fundit ishin plot parregullsi, por me siguri jo të lira dhe të ndershme. Raportet dhe vëzhguesit evropianë vunë re tendenca negative, por shumë të buta, kurse shpesh ishin shumë mosbesues ndaj kritikëve të regjimit të Vuçiqit. Në rrugën e Vuçiqit drejt Bashkimit Evropian, Serbia mbeti kështu pa media të lira dhe liri të fjalës, institucione të pavarura dhe zgjedhje të lira, gjegjësisht pa demokraci. Dhe po, ata që u arrestuan në luftën kundër korrupsionit, nuk u dënuan asnjëherë. Me në krye Mishkoviç, i cili sot është një biznesmen i lirë, i fuqishëm dhe bashkëpunues.
Në rrafsh rajonal, situata ishte në fakt paradoksale. Derisa Vuçiq dërgonte mesazhe pajtimi, bashkëpunëtorët e tij më të afërt po përhapnin urrejtje ndaj vendeve dhe popujve fqinjë. Mediat, të cilat janë pa mëdyshje dhe pa maska në shërbim të regjimit të tij, veçanërisht tabloidët e shumtë të shtypur, ripërtërijnë retorikën luftarake të viteve nëntëdhjetë - dhe sërish gjithçka po "shpërthente" nga "ustashët", "balitë", "shiptarë të këqij", "mercenarët e huaj" dhe "tradhtarët e brendshëm". Edhe pse ai u betua se Serbia po rrugëtonte drejt BE-së, retorika publike ishte kryesisht anti-evropiane, gjë që bëri që sot, si kurrë më parë, as në vitet e nëntëdhjetë, ideja evropiane të mos ishte me çmim më të ulët, ose më pak populiste në Serbi.
Burimi: vreme.com
Në të njëjtën kohë, u krijua një kult personaliteti jo vetëm i Aleksandër Vuçiqit, por edhe i presidentit rus Vladimir Putin, i cili u bë qytetar nderi i shumë vendeve në Serbi. Në vijë vertikale në strukturat e pushtetit u vendosën ultra-nacionalistët, disa prej të cilëve i kanë gjakosur duart në vitet 1990, kurse anëtarët më të njohur të SNS-së u bënë kriminelë të dënuar lufte. Është interesante se në dokumentet evropiane vetëm në vitin 2020 konstatohej se në Serbi po zhvillohet një fushatë antievropiane, pas tetë vitesh të ekzistencës së saj.
Ekspertët e integrimeve evropiane theksojnë se bëhet fjalë për strategjinë e regjimit të Vuçiqit: me strategjinë e tij dhjetëvjeçare antievropiane, i bëri qytetarët të mendojnë atë që mendojnë, kështu që tani e ka të lehtë të fshihet pas tyre dhe në çdo moment të heqë dorë nga rruga evropiane mënyrë thelbësore apo edhe formale. Deri në një moment, qeveria kishte përfitime politike dhe financiare nga ajo rrugë, por që atëherë mund të ketë vetëm dëme. Domethënë, ajo përfshin, ndër të tjera, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kurse ato ishin dhe mbetën “conditio sine qua non” të regjimit të Vuçiqit.
Nuk mund të thuhet se në dhjetë vitet e fundit, politika zyrtare serbe nuk ka balancuar me sukses mes Rusisë dhe Perëndimit. Rusia i realizon interesat e saj në Beograd, ndërsa Perëndimi nuk dëshiron që Serbia t'i kthehet plotësisht Kremlinit. Në këtë pozicion të rehatshëm kontribuan edhe pjesa më e madhe e opozitës dhe publikut serb, të cilët janë nacionalistë dhe rusofilë, të cilëve regjimi realisht u shkon për shtati me shumë kujdes. Vuçiq i dërgoi një mesazh Perëndimit: nëse jo unë, atëherë do të vijnë këta! Dhe kjo, në pjesën më të madhe, dha rezultate. Megjithëse raportet zyrtare evropiane vit pas viti vunë re probleme në lirinë e medias, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit - është pa mëdyshje e qartë se Vuçiç ka ende mbështetje nga Perëndimi.
Problemeve serioze sociale dhe politike në Serbi, perëndimi iu përgjigj duke mbështetur "proceset e dialogut" në Serbi dhe "përforcimin e kapaciteteve institucionale", duke injoruar faktin se dialogu në shoqëri ishte shfuqizuar falë regjimit dhe se institucionet u bënë të pakuptimta me krijimin e një sistemi autokratik, në të cilin cilin sistem, të gjitha vendimet merren plotësisht nga një qendër pushteti. Vuçiq është një politikan për të cilin Evropa mbyllte njërin sy dhe kjo ishte veçanërisht e dukshme derisa në Gjermaninë e fuqishme në pushtet ishte Angela Merkel dhe partia e saj CDU, e cila përndryshe është partnere e partisë së Vuçiqit në Partinë Popullore Evropiane.
Dhe më pas Merkel doli në pension politik dhe në Gjermani pushtetin morën socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbrit, të cilët nuk janë të prirur të mbështesin kolapsin e dukshëm të demokracisë në Serbi dhe as të mbyllin një sy ndaj përkeqësimit të marrëdhënieve rajonale në Ballkanin Perëndimor, në të cilin Serbia luan një rol kyç. Më pas Rusia sulmoi Ukrainën, e cila e vuri Vuçiqin në një situatë shumë të vështirë dhe të pakëndshme. Nga Perëndimi ka një presion të madh që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në, gjegjësisht të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe të bëjë një largim serioz nga Kremlini. Po ashtu, po rriten presionet për zgjidhjen e problemit të Kosovës, si dhe krijimin e kushteve për lirinë e shprehjes dhe fillimin e një lufte vendimtare kundër krimit dhe korrupsionit. Në Raportin e fundit për progresin e Serbisë, përmendet edhe përkeqësimi i marrëdhënieve politike të Serbisë me vendet e rajonit, e posaçërisht përmendet Kroacia dhe Mali i Zi.
Duket se qeveria e Vuçiqit edhe po të donte nuk mund t'i përmbushte kërkesat e BE-së. Një vendosmëri më domethënëse kundër agresionit rus dhe vendosja e sanksioneve kundër Kremlinit do ta trondiste seriozisht këtë regjim, duke pasur parasysh prezencën e rusofilizmit dramatik në vend. Ngjarjet e fundit, si ndarja e frekuencave kombëtare ekskluzivisht për televizionet propagandistike të regjimit dhe sulmet e intensifikuara ndaj mediave dhe gazetarëve të pavarur, tregojnë se regjimi nuk do të heqë dorë nga një instrument kyç i pushtetit - kontrolli dhe abuzimi i pafund i medias. Tashmë kemi thënë se nuk është realiste as ballafaqimi me krimin dhe korrupsionin, për arsyen e thjeshtë se qeveria e Vuçiqit – dhe këtë e tregojnë aferat thuajse të përditshme të zbuluara nga qendrat hulumtuese – është e zhytur në krim dhe korrupsion. Problemet e fundit politike në Kosovë tregojnë se nuk ka asgjë për të normalizuar marrëdhëniet me Prishtinën, kurse deklaratat nacionaliste të vetë Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë i përkeqësojnë marrëdhëniet edhe ashtu jo të mira në rajon.
Emërimi i nacionalistit ekstrem Aleksandar Vulin në krye të Agjencisë së fuqishme të Sigurisë dhe Informacionit (BIA) është gjithashtu një shuplakë e madhe për Perëndimin. Vulin është pa mëdyshje një njeri i afërt me Moskën, i cili mburret me marrëdhënie shumë të ngushta me zyrtarë të lartë rusë dhe është autor i sintagmës "bota serbe", bazuar në frazën ruse "bota ruse", e cila është baza e isesë së Rusisë së Madhe, e cila është motivi kryesor i agresionit rus në Ukrainë. "Bota serbe" është një version i larë i "Serbisë së Madhe", një ide politike që është fajtori kryesor për luftërat e përgjakshme të viteve 1990. Ekspertët besojnë se Vulin, përveç promovimit të interesave ruse, do të përdorë edhe shërbimin sekret për të ndërhyrë në situatën e brendshme politike të Serbisë në vendet fqinje. Disa afera nga e kaluara (le të përmendim vetëm “rastin Zhivaljeviq) tregojnë se BIA ishte aktive edhe në ato periudhë të mëhershme.
Në fund të fundit, presioneve të Perëndimit, Vuçiq u përgjigjet në mënyrë cinike, me indinjatë, duke nxitur nacionalizmin dhe ksenofobinë. Zhvillimet politike të vitit 2022 tregojnë se ndoshta viti i ardhshëm, 2023, do të jetë viti kur rruga tashmë e pretenduar evropiane e Serbisë do të bllokohet.
Kjo nuk ka pse të jetë zyrtare dhe formale, mjafton që Evropa të thotë atë që i tha Turqisë: uluni në pankinë dhe pushoni pak derisa të zgjidhni dhe të mendoni se çfarë doni! Dhe pastaj gjërat natyrisht do të shkojnë keq për Serbinë, mbi të gjitha në aspektin ekonomik: do të ulet fluksi i investimeve, do të rritet deficiti tregtar, fondet e ndryshme evropiane do të bëhen të paarritshme...
Nuk ka dyshim se regjimi i Vuçiqit do t'i përgjigjet kësaj në të vetmen mënyrë që mundet: duke prodhuar probleme politike dhe sigurie në vend dhe rrethinë dhe me një cunami të ri tjetërsimi nga perëndimi dhe vlerat perëndimore.
Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut" me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.