Mbetet për t'u parë nëse qeveria e ka mësuar leksionin dhe nëse njohuritë nga përvoja do të reflektohen në politikat e ardhshme dhe në ligjin e buxhetit. Dhe, natyrisht, nevojitet dëshpërimisht dinamizmi në zbatimin e projekteve dhe reformave.
Gjatë dekadës së fundit, Kosova ka p;rjetuar një ekspansion të qëndrueshëm ekonomik, me përparime të konsiderueshme në treguesit kritikë ekonomikë. Kjo arritje ekonomike është rezultat i ndërthurjes së disa faktorëve: rritjes së konsumit dhe investimeve private, të nxitura nga remitancat, dhe investimeve të konsiderueshme publike në infrastrukturë. Në veçanti, normat e rritjes në Kosovë për vitin 2021 dhe 2022 kanë tejkaluar vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, siç kanë bërë në të kaluarën, respektivisht duke shënuar norma prej 10.7% dhe 5.2%.
Gjatë kësaj periudhe, vlera e eksporteve të mallrave pothuajse u dyfishua. Megjithatë, është shqetësuese që deficiti tregtar është përkeqësuar, duke arritur kulmin, që aktualisht është në barasvlerë të 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në mbylljen e vitit 2022.
Investimet e huaja direkte (IHD) kanë vazhduar trajektoren rritëse këtë vit, por nuk mund të vërehen ndryshime strukturore në sektorët kryesorë apo diversifikimin e investimeve. Pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte ende dominohet nga investimet e diasporës në sektorin e patundshmërive dhe rritja e fundit e çmimeve të pasurive të paluajtshme mund të jetë shpjegimi kryesor për këtë përmirësim të përgjithshëm.
I prekur nga trendi intensiv i migrimit, tregu i punës në Kosovë ka pësuar ndryshime të dukshme. Mungesa e fuqisë punëtore është e pranishme edhe në disa sektorë, veçanërisht në ndërtimtari dhe hotelieri. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2022 ishte 11.8%.
Pavarësisht nga progresi i pamohueshëm ekonomik që ka përjetuar Kosova, është thelbësore të kihet kujdes kur nxjerrim konkluzione bazuar vetëm në të dhënat zyrtare, sepse në raportet e fundit statistikore ekzistojnë disa anomali. Si shembull ilustrues, rritja mesatare e raportuar fillestare e PBB-së për vitin 2022, sipas raporteve tremujore, ishte 3.5%. Megjithatë, pas rishikimeve dhe rregullimeve të fluktuacioneve sezonale nga ASK-ja, norma e rritjes shkoi në 5.2%. Një mospërputhje e tillë e theksuar e të dhënave zakonisht ngre shqetësime ose për një gabim teknik ose për ndërhyrje të jashtme, pasi devijon nga praktikat më të mira.
Anomali ishin shfaqur edhe në të dhënat e tregut të punës. Në vitin 2021, shkalla e papunësisë u raportua zyrtarisht të ishte më shumë se 20%. Megjithatë, pas një periudhe të gjatë pa raportuar, ASK-ja publikoi se papunësia është ulur ndjeshëm me afro 50%, ekuivalente me afërsisht nëntë pikë përqindjeje. Nëse me të vërtetë ka pasur një përmirësim thelbësor në tregun e punës, do të parashikohej që këto përmirësime të pasqyroheshin edhe në gjetjet e Anketës së Pulsit Publik, të kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Ndryshe nga pritshmëritë logjike, sondazhi zbulon se njerëzit ende e perceptojnë papunësinë si shqetësimin e tyre kryesor, të ndjekur nga afër nga varfëria dhe inflacioni. Për më tepër, rënia e papunësisë së të rinjve paraqet një enigmë edhe më të madhe. Në vitin 2020, Kosova kishte shkallën më të lartë të papunësisë së të rinjve në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke arritur në 49.1%.
Dy vjet më vonë, Kosova ka arritur në njëfarë mënyre shkallën më të ulët të papunësisë së të rinjve në rajon, duke rënë në 15.1%. Ndërsa modelet e migrimit brenda këtij grupi demografik mund të kenë ndikuar pjesërisht për këtë rënie, megjithatë skepticizmi në lidhje me saktësinë e këtyre shifrave është vështirë të shpërfillet.
Inflacioni dhe reagimi qeveritar
Pas epokës së pandemisë me Covid, ekonomia globale ka përjetuar përshkallëzime të theksuara çmimesh, të nxitura nga ndërprerjet e furnizimeve, kriza e energjisë dhe konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë. Ekonomia e Kosovës nuk ka qenë imune ndaj këtyre ndikimeve. Deri në fund të vitit 2022, inflacioni i ushqimeve është rritur në afërsisht 20%. Njëkohësisht, çmimet kanë vijuar prirjen e tyre të rritjes, ndonëse me një ritëm disi më të ngadaltë gjatë këtij viti.
Me fjalë të tjera, ata që nuk e niohin ekonominë duhet të kuptojnë se normat e ulëta të inflacionit nuk shoqërohen me çmime më të ulëta në krahasim me vitet e mëparshme, por me një tendencë më të ngadaltë të rritjes.
Një anketë e fundit e realizuar nga UNDP, ku janë përfshirë 1500 familje, ka nxjerrë në dritë se shumica e të anketuarve nuk kanë raportuar asnjë ndryshim në të ardhurat e tyre, ndërkohë që çmimet kanë vazhduar. Për të shpjeguar, në vitin 2021, 38,8% e familjeve shpenzonin 200 euro ose më shumë për ushqime. Në vitin 2023, kjo përqindje është rritur ndjeshëm me 20.8 pikë përqindjeje.
Burimi: pixabay.com
Tendenca të ngjashme janë shfaqur edhe në shpenzimet e shërbimeve, transportit dhe kujdesit shëndetësor. Përafërsisht 44% e të anketuarve janë përgjigjur se blejnë më pak mallra, ndërkohë që paguajnë një çmim më të lartë, duke theksuar pamundësinë e tyre për të riplanifikuar buxhetet e tyre në përgjigje të inflacionit. Kjo sfidë është veçanërisht akute për segmentet e margjinalizuara të popullsisë.
Sipas këtij studimi, 16% e të anketuarve në vitin 2023 tani jetojnë nën kufirin e varfërisë, duke jetuar me 1.85 euro në ditë, nga 14.5% që ishin në vitin 2021. Përveç ndikimit ekonomik të inflacionit, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve, respektivisht 46% prej tyre janë përgjigjur se kanë përjetuar nivele të larta stresi dhe ankthi si pasojë e rritjes së çmimeve.
Programi i mirëqenies sociale ndihmon grupet më vulnerabël, por mbështetja që ata marrin është në disproporcion me inflacionin. Qeveria ka dështuar të miratojë një projektligj në parlament, i cili përfshin një kredi të dhënë nga Banka Botërore për reformimin e programeve të mirëqenies sociale. Kjo nismë është përballur me kritika nga disa ekonomistë të cilët argumentojnë se marrja e kredive për financimin e programeve të mirëqenies sociale është e paprecedentë dhe një qasje tipike e gabuar për rritjen e borxhit publik të vendit.
Nga ana tjetër, mbështetësit e qeverisë pretendojnë se kjo kredi është e levërdishme, sepse në kohë inflacioni të lartë, marrja e kredive me interesa shumë të ulëta është një vendim i favorshëm për zgjerimin e hapësirës fiskale. Ndonëse ka një dozë të vërtete në të dy argumentet, mbetet përgjegjësi e qeverisë që të veprojë në lidhje me këto reforma, me qëllim që të ndihmojë ata që kanë nevojë. Mungesa e fondeve publike nuk është një arsyetim i qëndrueshëm.
Me fjalë të tjera, Qeveria nuk ka treguar dinamikë në zbatimin e reformave të reja pavarësisht hapjes së fronteve të ndryshme, për shembull inicimin e reformave të mëdha juridike dhe ekonomike në pjesën e parë të mandatit, por pa u zbatuar asnjë reformë e madhe.
Gjithsesi, vlen të theksohet se qeveria ka ndërmarrë një sërë masash fiskale në përgjigje të presioneve inflacioniste. Në prill të vitit 2021, pati një rritje të përkohshme prej 30% në programet e mirëqenies sociale, kurse pensioni minimal u ngrit në minimum 100 euro në muaj. Në vitin 2022, për të zbutur efektet negative të inflacionit, Qeveria ndau 100 euro për të gjithë të punësuarit, studentët dhe pensionistët.
Ndërsa këto subvencione direkte dhe të njëfishta ofrojnë lehtësim të menjëhershëm për buxhetet e familjeve, ato kanë në parim potencialin për të intensifikuar inflacionin. Infuzioni i një vëllimi të konsiderueshëm monetar në ekonomi mund të përshpejtojë përshkallëzime të mëtejshme të çmimeve, duke pasur parasysh kufizimet në ofertë.
Anketa ka zbuluar gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve iu drejtuan kartave të kreditit si një mekanizëm përballues në reagim ndaj inflacionit. Qeveria prezantoi një masë fiskale që përfshin subvencionimin e kredive, ekuivalente me 10% të principalit të tyre, deri në kufirin prej 300 euro. Megjithatë, kjo masë mbeti në fuqi për disa muaj, pavarësisht vazhdimit të inflacionit për më shumë se dy vjet.
Atë që kemi vërejtur nga masat fiskale të Qeverisë në tre vitet e fundit është se ose masat fiskale janë shumë të synuara ose pa synim fare. Pa dyshim, këto masa kanë ndihmuar shumë familje të zbusin ndikimin e inflacionit dhe kanë mbështetur bizneset në tejkalimin e efekteve negative të COVID-19. Megjithatë, për të rritur efektivitetin e tyre, Qeveria duhet të planifikojë paraprakisht politikat e tyre në vend që t'i ndajë ato ad hoc. Praktikat më të mira të buxhetimit diktojnë që planet e Qeverisë të shpallen në fillim të vitit fiskal, ndërsa në Kosovë shumica e masave fiskale janë zbatuar me afat të shkurtër.
Kjo ka minuar efektivitetin e përgjithshëm të subvencioneve dhe transfereve. Për shembull, vitin e kaluar, kur u përball me një krizë energjetike, Qeveria shpalli një subvencion për të gjitha amvisëritë që blejnë pajisje me efikasitet energjetik. Në kushtet e ofertës së kufizuar, tronditja e kërkesës rriti ndjeshëm çmimet, duke sjellë fitime më të larta për kompanitë kryesore importuese.
Si përfundim, qeveria ka eksperimentuar me një numër të konsiderueshëm qasjesh në luftën kundër inflacionit. Rritja e pagës minimale nga 170 në 264 euro dhe skemave sociale në një minimum prej 100 euro është një fillim i mirë. Megjithatë, gjatë kohëve të vështira – kur inflacioni vazhdon – këto politika duhet të përshtaten me inflacionin.
Mbetet për t'u parë nëse qeveria e ka mësuar leksionin dhe nëse njohuritë nga përvoja do të reflektohen në politikat e ardhshme dhe në ligjin e buxhetit. Dhe, natyrisht, nevojitet dëshpërimisht dinamizmi në zbatimin e projekteve dhe reformave.
Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut" me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.