fbpx

Во кој правец ќе дувне ветрот во Грузија?

Vesna Poposka

Politika

22.05.24

Прегледи

Historia e Gjeorgjisë është shënuar nga ndryshimet politike, konfliktet dhe një balancë delikate midis rreshtimit perëndimor dhe interesave ruse. Protestat e fundit pasqyrojnë tensione dhe shqetësime më të thella në lidhje me vlerat dhe sovranitetin demokratik.

Gjeorgjianët janë duke protestuar që nga 17 prilli, kundër ligjit të diskutueshëm të „ndikimit të huaj" (foreign influence act/foreign agents bill). Parlamenti i vendit miratoi leximin e parë dhe të dytë të projektligjit për „agjentët e huaj", gjë që shkaktoi zemërim. Në prag të leximit të tretë, 50 mijë qytetarë dolën në protestë.

Gjeorgjianët kanë frikë se ligji mund të mbysë shoqërinë civile dhe të kufizojë lirinë e shprehjes. Kritikët e quajnë projektligjin një "ligj rus", sepse ai kërkon që subjektet që marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre jashtë Gjeorgjisë të regjistrohen si agjentë të huaj -- duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, grupet think-tank dhe mediat. Pavarësisht angazhimit të mëparshëm të Qeverisë për "tërheqjen e pakushtëzuar" të një legjislacioni të tillë, projektligji u rifut në rendin e ditës.

Demonstratat si përgjigje

Anulimi fillestar, në mars të vitit 2023, u pa si një fitore për shoqërinë civile dhe një disfatë poshtëruese për partinë në pushtet - "Ëndrra Gjeorgjiane". Partia në pushtet tani është e mendimit se projektligji është i nevojshëm për të parandaluar atë që ajo e sheh si ndikim të dëmshëm të huaj në skenën politike të vendit dhe për të parandaluar që aktorët e huaj të paidentifikuar të përpiqen të destabilizojnë skenën politike të vendit. Opozita e quan propozimin një "ligj rus", sepse Moska ka përdorur legjislacion të ngjashëm për të stigmatizuar organet e pavarura të lajmeve dhe organizatat kritike ndaj Kremlinit.

Sipas saj, fakti që projektligji tani po votohet në parlament është një shenjë e ndikimit të pretenduar të Moskës në Gjeorgji. Opozitarët kanë frikë se kjo do të bëhet pengesë për shanset e shumëpritura të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zgjedhjet e bëra nga udhëheqësit dhe qytetarët e saj do të ndikojnë ndjeshëm në trajektoren e kombit.

Dhuna e policisë në protesta tronditi Gjeorgjinë, ndërsa organizatat dhe aktivistët e të drejtave të njeriut paralajmëruan se forcat e sigurisë përdorën "forcë disproporcionale". Shoqata Gjeorgjiane e Avokatëve të Rinj tha se "protesta paqësore është një mekanizëm për promovimin e proceseve demokratike në duart e qytetarëve dhe çdo përpjekje për ta shtypur atë është një akt antikushtetues".

Politikanët dhe diplomatët perëndimorë bënë thirrje për t'i dhënë fund dhunës pasi forcat e sigurisë përdorën topa uji, gaz lotsjellës, granata trullosëse dhe plumba gome për të shuar demonstratat paqësore gjatë natës kundër projektligjit të "ndikimit të huaj". BE-ja, e cila i dha statusin e vendit kandidat Gjeorgjisë, "dënoi ashpër" dhunën dhe i bëri thirrje qeverisë që të respektojë të drejtën për protestë paqësore.

Prapavija historike

Gjeorgjia, një vend në Kaukazin e Jugut, fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Vitet e para të pavarësisë, si në të gjitha shtetet në tranzicion, u shënuan nga paqëndrueshmëria politike, sfidat ekonomike dhe konfliktet, të shkaktuara nga pozicioni specifik gjeopolitik. Me një dalje në Detin e Zi, Gjeorgjia është një shtet kufitar midis Rusisë dhe Turqisë dhe kufizohet me Azerbajxhanin dhe Armeninë. Vendndodhja e saj strategjike e ka bërë atë një udhëkryq tregtar dhe kulturor ndër shekuj, përgjatë “Rrugës së Mëndafshit”.

Burimi: responsiblestatecraft.org

Në vitin 2003, protestat e përhapura të njohura si "Revolucioni i Trëndafilave" çuan në rrëzimin e Presidentit Eduard Shevardnadze, një ish-ministër i Jashtëm sovjetik i epokës së Gorbaçovit, i cili e kishte udhëhequr Gjeorgjinë drejt pavarësisë dhe qëndroi kundër separatistëve abhazianë.

Lëvizja u ushqye nga akuzat për mashtrim zgjedhor gjatë mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Lideri i opozitës Mikheil Saakashvili doli si një figurë kyçe në këtë periudhë dhe në vitin 2004 u bë president i vendit. Administrata e tij u fokusua në masat kundër korrupsionit, liberalizimin ekonomik dhe politikat pro-perëndimore.

Viti 2008 shënoi luftën pesë-ditore gjeorgjino-ruse, mbi rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, e ndjekur nga një fushatë dezinformuese intensive dhe sulme kibernetike dhe paaftësia e institucioneve. Rusia i ka njohur këto rajone si shtete të pavarura, gjë që ka çuar në tensione të vazhdueshme. Partia e Saakashvilit humbi pushtetin në vitin 2012 dhe koalicioni i kryeministrit të ri Bidzina Ivanishvili fitoi pushtetin, ndërkohë që peizazhi politik u largua nga qëndrimi properëndimor i Saakashvilit në prag të zgjedhjeve të planifikuara për në fund të vitit, pas një pauzë dyvjeçare, ai njoftoi rikthimin e tij në politikë

Implikimet e mundshme

Situata në Gjeorgji është e tensionuar dhe e paparashikueshme. Nëse Qeveria nuk e tërheq ligjin, por kalon në leximin e tretë, është e sigurt që demonstratat do të vazhdojnë. E vetmja mundësi për qytetarët, në atë rast, do të jetë e drejta e vetos e presidentes së vendit, Salome Zurabiçvili.

Në një deklaratë për gazetarët, ajo mbështeti protestat, duke thënë se Gjeorgjia i ka treguar edhe një herë botës, në mënyrë të fuqishme dhe paqësore, se nuk do të lejojë të vihet në dyshim e ardhmja evropiane. Megjithatë, vetoja mund të anashkalohet, nëse partia në pushtet mbledh 76 vota, me të cilat kryetarja e Kuvendit do ta shtypë dekretin.

Gjeorgjianët mund të vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre nëpërmjet tubimeve, marshimeve dhe mosbindjes civile. Partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, mund të zgjidhte ose të devijojë nga ligji për ndikimin e huaj, ose të ndryshojë tekstin e propozuar, por edhe të këmbëngulë për vazhdimin e procedurës në formë të pandryshuar.

Veprimet e qeverisë do të ndikojnë ndjeshëm në klimën politike dhe ndjenjën e publikut. Vendet perëndimore, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shprehur shqetësimin në lidhje me projektligjin. Presioni diplomatik do të intensifikohet dhe deklaratat e liderëve ndërkombëtarë mund të ndikojnë në vendimet e qeverisë gjeorgjiane.

Gjeorgjia do të mbajë zgjedhje parlamentare në fund të këtij viti. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të formësojë peizazhin politik të vendit dhe të përcaktojë drejtimin e tij. Ndikimi i Projektligjit në organizatat e shoqërisë civile dhe mediat do të duhet të monitorohet me kujdes. Marrëdhëniet e Gjeorgjisë me vendet fqinje, veçanërisht me Rusinë, do të vazhdojnë të luajnë një rol të madh. Balancimi i aspiratave pro-perëndimore me realitetet rajonale mbetet një sfidë.

Gjeorgjia po përballet me një pikë kritike ku vendimet politike, mobilizimi publik dhe reagimet ndërkombëtare do të formësojnë të ardhmen e saj. Rezultati do të varet nga mënyra sesi pjesëmarrësit e ndryshëm veprojnë në këtë dinamikë komplekse.

 
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Vesna Poposka

Doc. dr. Vesna Poposka është profesoreshë universitare, eksperte e pavarur dhe aktiviste shumëvjeçare. Ajo mbrojti disertacionin e doktoratës me titull "Aspektet juridike ndërkombëtare për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga kërcënimet moderne të sigurisë" në Akademinë Ushtarake në Shkup në vitin 2019. Ajo mban një diplomë Master në të Drejtën Ndërkombëtare nga Fakulteti Juridik "Justiniani i Parë" dhe është autore e disa punimeve shkencore dhe profesionale në fushën e saj. Ajo është një alumni e Shkollës së Politikës të Këshillit të Evropës. Ajo punon në Universitetin Ndërkombëtar Vizion që nga themelimi i tij në vitin 2015, ku në muajin mars 2021 u zgjodh Dekane e Fakultetit të Drejtësisë