Radosveta Vasileva
Sigurisht, Bojko Borisov tashmë po u ankohet udhëheqësve të EPP-së se këto zgjedhje nuk do të jenë të drejta dhe se ato do të çojnë në një skenar apokaliptik për Bullgarinë, respektivisht vendi do të dilte nga shinat pro-evropiane nëse GERB nuk do të ishte në pushtet. Ndërkohë, të gjitha partitë e opozitës janë pro-evropiane, kështu që propaganda e Borisov nuk është aspak krijuese.
Në një artikull të mëparshëm për Res Publica, botuar në mars të vitit 2021, shpjegova pse zgjedhjet parlamentare në Bullgari të planifikuara në datën 4 prill 2021 ishin të një rëndësie të madhe për demokracinë bullgare, dhe gjithashtu theksova se ishte shumë e mundshme që partitë e reja të opozitës të mos jetë në gjendje të formojnë një qeveri dhe se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në verën e vitit 2021.
Parashikimet e mia dolën të vërteta - më 11 korrik 2021, votuesit bullgarë do të kenë një shans të ri për t'i treguar një karton të kuq autokracisë. Këtu mund të presim edhe të papriturën, sepse, siç themi në Bullgari, gjarpri kafshon më fortë para se të vdesë. Përkundër shumë muajve të protestave masive në vitin 2020 dhe një rezolute shumë kritike të miratuar nga Parlamenti Evropian mbi të metat në sundimin e ligjit në Bullgari, partia GERB e Bojko Borisov ka refuzuar të pranojë faktin që shoqëria civile është zgjuar dhe nuk dëshiron më të jetojë në autokraci.
Borisov - një autokrat shumë nervoz
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 4 prill 2021 padyshim e mërzitën Borisov, i cili nuk është mësuar të humbasë. Është e vërtetë që partia GERB ishte e para, por ajo fitoi vetëm 75 vende në Kuvend, ndërsa për të formuar një qeveri janë të nevojshëm 121 deputetë. Partitë e reja të opozitës që ose u shfaqën ose morën forcë falë protestave masive (të tilla si "Ka një popull të tillë" (ITN), Bullgaria Demokratike "DB" dhe Zgjohu! Mafia, ik!) njoftuan se ata nuk dëshirojnë të krijojnë një koalicion me partinë GERB, si para ashtu edhe pas zgjedhjeve. Sidoqoftë, Borisov refuzoi të pranonte disfatën e tij reale.
Në prag të zgjedhjeve të muajit prill, ai iu drejtua kombit, duke thënë se kishte mbështetjen e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe se nëse GERB nuk do të ishte në pushtet, Bullgaria do të shpërbëhej. Ai u përpoq të bindte opozitën që të pranonte të formonte një qeveri ekspertësh, por meqenëse askush nga opozita nuk ishte shumë i ngazëllyer për idenë, ai bëri një propozim tjetër ekzotik — donte që Kuvendi Kombëtar i dyzet e pestë të hapte rrugën për një Kuvend të Madh Kombëtar. Sipas ligjeve pozitive në Bullgari, Kuvendi i Madh Kombëtar është një parlament i mbledhur për të miratuar një kushtetutë të re, për të ndryshuar sistemin politik, etj. Në thelb, Borisov u përpoq të përsëriste të njëjtën hile nga vera e vitit 2020 kur u përpoq të zbuste intensitetin e protestave. Në gusht të vitit 2020, ai propozoi gjoja një Kushtetutë të re, e cila është Kushtetuta aktuale por e kthyer mbrapsht dhe tha që Kuvendi Kombëtar i mëparshëm duhet t'i hapte rrugën Kuvendit të Madh Kombëtar. Propozimi i tij vetëm sa e zemëroi më shumë turmën.
Lëvizjet e dëshpëruara të Borisov nuk mbaruan këtu. Në vend që t'ia kthente mandatin për të formuar një qeveri Presidentit Rumen Radev të njëjtën ditë kur e mori atë, GERB njoftoi se megjithatë, ata do të përpiqeshin të formonin një qeveri. Partia e Borisov shpresonte qartë se EPP-ja do të bënte presion ndaj partive të tjera për të bashkëpunuar me GERB. EPP-ja me kënaqësi ofroi mbështetje në rrjetet sociale, por jo vetëm opozita dhe qytetarët nuk u emocionuan aspak, por edhe lista e ministrave e përpiluar nga Borisov e rriti edhe më shumë zemërimin e qytetarëve.
Opozita kundrejt situatës statukuo
Kuvendi Kombëtar i dyzet e pestë, i cili u shpërbë nga Presidenti Radev në maj pasi përfundoi procedura kushtetuese për dhënien e tre mandateve për krijimin e një qeverie për tre parti të ndryshme, kishte një jetë të shkurtër. Por akoma, mund të themi se ai kishte arritje të mira. Së pari, u krijua një komision për të hetuar korrupsionin e Bojko Borisov, i cili përfshinte dëshmi tronditëse të zhvatjeve dhe torturave. Përveç kësaj, opozita propozoi disa ligje që kishin për qëllim "çmontimin" e tipareve kryesore të autokracisë së Borisov - mbylljen e gjykatave të specializuara penale që u kthyen në gjykata që ngacmonin kundërshtarët e statukuosë, reformimin e Komisionit për luftë kundër korrupsionit, i cili shfajësoi politikanët e korruptuar dhe abuzoi me kundërshtarët , reformimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të politizuar, etj. Nëse miratohen nga Kuvendi i ri Kombëtar që do të zgjidhet këtë korrik, këto ligje do t'i japin fund shtetit "Frankenstein" të Bojko Borisov.
Burimi: dailysabah.com
Kuvendi i 45-të Kombëtar tregoi gjithashtu se sa Borisov i frikësohet opozitës - ai nuk i përgjigjet një ftese për t'u paraqitur në parlament për t'u marrë në pyetje, pavarësisht nga fakti se Bullgaria është një republikë parlamentare dhe përgjigja e pyetjeve në bazë të mekanizmit të kontrollit parlamentar është një detyrim. Borisov kreu disa hile të ndryshme fëmijërore - ai mori një ditë pushimi për të luajtur futboll me nipërit e mbesat e tij ditën që u ftua në seancën e pyetjeve. Çfarë rastësie, ndërsa luante futboll, ai dëmtoi gjurin dhe u dërgua në spital për operacionin e meniskut, duke i lejuar vetes një pushim më të gjatë mjekësor dhe afatgjatë.
Qeveria e përkohshme e emëruar nga Presidenti Rumen Radev gjithashtu ka treguar angazhim të madh për të ekspozuar praktikat e dyshimta të regjimit të Borisov. Ministri i ekonomisë i kësaj qeverie njoftoi se Banka Bullgare e Zhvillimit në pronësi të shtetit, e cila supozohet të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ka huazuar 500 milion euro për vetëm tetë ndërmarrje. Shumë njerëz dyshojnë se këto janë kompani që i përkasin rrethit të ngushtë të Borisov. Ministri i Punëve të Brendshme bëri deklaratat më të guximshme publike. Ai zbuloi se anëtarët e opozitës, përfshirë qytetarë që kanë qenë në mesin e protestuesve, ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme gjatë protestave kundër Borisov. Ministri më tej tha se njerëzit nga gjyqësori, përfshirë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kishin prona dhe llogari jashtë vendit që nuk i kanë raportuar në përputhje me ligjin. Kjo ngre dyshime nëse pronat e tilla mund të jetë përvetësuar në mënyrë të paligjshme.
Përkundër akuzave të shumta për korrupsion, qeveria e SHBA-ve ka vendosur sanksione për korrupsion ndaj disa shtetasve bullgarë, përfshirë Deljan Peevski, njeriu i Borisov prapa skenave. Një deklaratë për shtyp e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve fliste hapur për një ryshfet dhënë "udhëheqësit aktual politik". Shumë mendojnë se i vetmi që i përshtatet këtij përshkrimi është pikërisht Borisov.
Fushata e GERB – përplot klishe
Në këtë fazë, GERB nuk ka perspektiva shumë të mira. Disa sondazhe tregojnë se ndryshimi midis GERB dhe ITN është aq i vogël sa që GERB mund të mos jetë as në vendin e parë. Cilidi qoftë verdikti i votimit të 11 korrikut, është e qartë se GERB nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Aktualisht, fushata zgjedhore është në aktivitet të plotë. ITN, DB dhe SUMO janë përqendruar në mesazhet anti-korrupsion dhe propozimet e reformave. Në të njëjtën kohë, fushata e GERB është plot me klishe. Një temë që po përhapet vazhdimisht është plani i tyre "Bullgaria të jetë vendi më i mirë për të bërë biznes", sikur ata të mos kenë qenë në pushtet në Bullgari për 10 vitet e fundit dhe sikur qytetarët të mos kishin vënë re pasojat katastrofike që i kishin shkaktuar vendit. Përveç kësaj, Borisov po përpiqet të shesë lajthitjen se qeveria e përkohshme ka zhytur vendin në kaos, në mënyrë që motoja e GERB në këtë fushatë të jetë "Le të sjellim rendin në kaos". Sigurisht, kjo tingëllon shumë pretencioze, sepse qeveria e përkohshme ka qenë në pushtet për gati më pak se një muaj e gjysmë dhe është përqendruar kryesisht në nxjerrjen në dritë të punëve të këqija të regjimit të Borisov.
Ekaterina Zaharieva, e mbrojtura e Borisov, e cila u përqëndrua në marrëdhëniet maqedono-bullgare në fushatën e saj të mëparshme, tani përmend Maqedoninë vetëm në mënyrë sporadike. E vetmja udhëheqëse e opozitës që bëri deklarata të guximshme në lidhje me marrëdhëniet maqedono-bullgare është Kornelija Ninova e Partisë Socialiste Bullgare, por siç duket, nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Duke marrë parasysh atë që u tha më sipër, e ardhmja e marrëdhënieve maqedono-bullgare është në duart e ITN, DB dhe SUMO. Megjithëse ka një numër të madh të palëve të interesuara në Ballkan dhe në BE të cilët mezi presin që tensionet maqedono-bullgare të zgjidhen së shpejti, tani për tani është e vështirë të mendohet se çfarë pozicioni të përbashkët do të kishin këto tre parti. Ajo që jep shpresë, megjithatë, është se, ndryshe nga GERB ose VMRO-ja (bullgare), e cila mbështetej në populizëm dhe i përdorte këto tensione për përfitime të brendshme politike, këto tre parti u përmbajtën nga shtimi i kripës në plagë dhe u përqëndruan në problemet reale me të cilat përballet Bullgaria - korrupsioni në rritje dhe ngecjet në fushën e sundimit të ligjit.
Çfarë do të bënte një autokrat i dëshpëruar?
Shoqëria civile shpreson vërtet që ITN, DB dhe SUMO të bashkojnë forcat dhe të kenë sukses në formimin e një qeverie, pavarësisht nga fakti se elektorati i tyre është shumë i ndryshëm dhe i përket pjesëve të ndryshme të spektrit politik. Kjo nënkupton kompromise të vështira. Për këto arsye, duket realiste të presësh që ata do të bien dakord për një qeveri që do të ketë një jetë të shkurtër - rreth një vit. Kështu, Kuvendi Kombëtar i dyzet e gjashtë do të jetë në gjendje të zbatojë legjislacionin që është thelbësor për çmontimin e autokracisë së Bojko Borisov. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ai do të vazhdojë të kontrollojë edhe më tej institucionet kryesore bullgare.
Dihet mirë se në kohë dëshpërimi nevojite masa të dëshpëruara. Por çfarë mund të bëjë Borisov? Disa anëtarë të opozitës dhanë alarmin për sabotimin e mundshëm të zgjedhjeve që do të organizoheshin nga GERB. Meqenëse në këto zgjedhje do të mund të votoni vetëm përmes makinës, ka zëra se energjia elektrike do të fiket qëllimisht. Ekzistojnë gjithashtu pretendime se GERB u kërkoi votuesve të saj të mos nxitojnë kur janë te makinat, që të marrin kohë dhe kështu të parandalojnë njerëzit e tjerë për të votuar. Ministri i përkohshëm i punëve të brendshme paralajmëroi për "presion të paparë" mbi votuesit dhe skemat e blerjes së votave. Sigurisht, Bojko Borisov tashmë po u ankohet udhëheqësve të EPP-së se këto zgjedhje nuk do të jenë të drejta dhe se ato do të çojnë në një skenar apokaliptik për Bullgarinë, respektivisht vendi do të dilte nga shinat pro-evropiane nëse GERB nuk do të ishte në pushtet. Ndërkohë, të gjitha partitë e opozitës janë pro-evropiane, kështu që propaganda e Borisov nuk është aspak krijuese.
Më 11 korrik dhe menjëherë pas kësaj, ne me siguri mund të presim théâtre à la GERB. Padyshim, është e vështirë të biesh me dinjitet, veçanërisht nëse dikush e di se ai më në fund do të përballet me hetime për një numër veprash të pretenduara penale. Sidoqoftë, të gjitha shfaqjet teatrore kanë një pjesë në të cilën ka zbukurim , kurse shoqëria bullgare tashmë ka humbur durimin me dramaturgët e GERB.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.