fbpx

Dimri po vjen, Shkupi vazhdon të ngulfatet

Sanja Velkakova

Mjedisi

13.12.21

Прегледи

Sanja Velkakova

Sanja Velkakova 400x500

Ajri i ndotur, shëndeti i rënduar i qytetarëve - terma mirë të njohur, por çfarë prioriteti u jepet atyre?

 

Shkaktarët kryesorë të cilët çojnë në ndotjen e qytetit të Shkupit, sidomos në periudhën e dimrit janë: përqendrimi dhe qarkullimi i lartë i automjeteve në zonën qendrore, zona e ulët që rezulton me mbajtjen afatgjatë të substancave të shkarkimit (tym, pluhur, gazra) dhe depozitimi kumulativ i tyre mbi të gjitha objektet, objekteve, bimët, kafshët dhe sigurisht njeriun.

“Fajtorë” të njohur mirë

Shkaktarët e ndotjes së ajrit janë automjetet e vjetra me standarde të ulëta ekologjike, lëvizja e dobët rrugore, mungesa e automjeteve elektrike dhe lloje të tjera të automjeteve ekologjike për transport publik, transporti publik i ngadaltë dhe jo ekologjik, përfaqësimi i ulët i gjelbërimit të rrugëve dhe pemë që thithin substancat e dëmshme në mënyrë të konsiderueshme, kultura e dobët e komunikacionit dhe forcimi i transportit individual me çdo kusht.

Sipas të dhënave të IQAir, organizatë që synon të sigurojë qasje në kohë në informacione për cilësinë e ajrit, Shkupi renditet i 36-ti në botë. Shkupi nuk është vetëm afër kulmit të listës së qyteteve më të ndotura, por në të njëjtën kohë lufton edhe me numrin e madh të të infektuarve me Kovid-19. Shkupi është një qytet i vendosur mes dy zjarreve në periudhën kur po afron dimri.

Zimata doaga Skopje prodolzuva da se gusi 1Burimi: shutterstock.com

Nga komunat e Shkupit ajri më i keq është në Karposh, Qendër dhe Lisiçe. Qytetarët ankohen për kundërmimin e keq dhe ndotjen e madhe. Mirëpo, situata nuk është ndryshe edhe në qytetet tjera si Tetovë, Veles, Koçan, Strumicë, Kavadar, ku ajri është i rrezikshëm për kategoritë e ndjeshme të njerëzve. Pneumologët paralajmërojnë se ndotja e ajrit jo vetëm që përbën një rrezik të madh në vetvete, por edhe lehtëson më tej rrugën e viruseve drejt mushkërive. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Evropiane për Mjedis Jetësor (EEA), në vitin 2019 në Maqedoni kanë vdekur 3400 persona si pasojë e ndotjes së ajrit me grimcat PM2,5.

Sipas të dhënave të EEA, në vitin 2019, në Evropë 307.000 njerëz vdiqën para kohe si rezultat i ekspozimit afatgjatë ndaj ajrit të ndotur. Gjithashtu, për shkak të ndotjes, jetëgjatësia mesatare e popullsisë në Evropë është ulur me 38 ditë.

Për vite me radhë janë shënuar nivele rekord të ndotjes së ajrit, veçanërisht në muajt e dimrit. Në Serbi, Bullgari, Greqi, Shqipëri dhe BeH, vdekshmëria e parakohshme nga ndotja e ajrit do të bjerë me një mesatare prej mbi 70 përqind. Në Maqedoni, respektimi i rekomandimeve në nivel shtetëror do të reduktonte vdekshmërinë nga ndotja e ajrit me një përqindje të madhe, përkatësisht për 74 përqind.

Sipas matjeve të kryera në vitin 2017 në më shumë se 400 qytete në të gjithë BE-në, përfshirë Maqedoninë, deri në 85% e banorëve urbanë ishin të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit në nivel që konsiderohet i dëmshëm sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kush është ndotësi më i madh?

Sipas analizave gazetareske gjatë disa muajve të parë të vitit, ajri në Shkup ishte më i ndotur se sa vitin e kaluar në të njëjtën kohë. Krahas rritjes së ndjeshme të ndotjes së ajrit në Shkup, këtë vit në shumicën e stacioneve matëse në kryeqytet është matur ajri më i ndotur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor krahasuar me marsin e vitit 2020.

Situata me ndotjen e ajrit vitet e fundit po përkeqësohet edhe në qytete të tjera. Sipas të dhënave të fundit të Asociacionit Evropian për Shëndetësi dhe Mjedis Jetësor, ndotësi më i madh në Maqedoni është REK Manastir. Ky termocentral lëshon çdo vit rreth 2700 ton grimca PM 2,5 në ajër, duke e bërë atë të dytin më të madh në Evropë, menjëherë pas termocentralit "Kosova A" afër Prishtinës. Sipas raportit të fundit, REK Manastir kryesonte në nivel evropian dhe sipas emetimit të dioksidit të squfurit CO2, me rreth 67 mijë tonë në vit.

Në përputhje me Ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit, me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2020, Qyteti i Shkupit shpalli masa dhe rekomandime urgjente për reduktimin e ndotjes së ajrit, duke përfshirë, ndër të tjera, transportin publik falas, pezullimin e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në kantieret nën juridiksionin e komunave të qytetit të Shkupit, intensifikimin e inspektimeve të subjekteve që menaxhojnë me goma të vjetra dhe vajra të vjetra nga kryetarët e komunave në qytetin e Shkupit, kufizim i trajnimeve të auto-shkollave nga ora 9,30 deri në 14,30 dhe pas orës 18,00 nga Ministria e Punëve të brendshme, kontrolle të shpeshta të gazrave që lëshohen nga automjetet që marrin pjesë në trafik nga Ministria e Punëve të Brendshme, por këto masa nuk zbatohen më. Në mënyrë që të japin rezultate, duhet përsëri të aplikohen në nivel shtetëror, me qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit në Shkup, i cili është gjithnjë e më i madh, me afrimin e dimrit.

Billborde për pastrimin e ajrit?

Nevoja për më shumë hapësira të gjelbra është gjithnjë e më e madhe. Ndotja e lartë e ajrit imponon nevojën për qasje kreative dhe inovative për zgjidhjen e problemit përmes absorbimit dhe neutralizimit të substancave të dëmshme.

Vendosja e “bilbordeve të gjelbra” në qytetin e Shkupit dhe në qytete të tjera të Maqedonisë është më se e nevojshme. Billbordet përbëhen nga lloje specifike myshku me bimë vaskulare që thithin pluhurin e imët (grimcat PM 10 dhe PM 2,5), oksidet e azotit dhe ozonin. Një CityTree billboard ka aftësi të pastrojë ajrin dhe është ekuivalent i rreth 275 pemëve. Neutralizon 240 ton dioksid karboni në vit dhe kompenson ndotjen e 417 automjeteve. Struktura vertikale CityTree është 4 metra e lartë, 3 metra e gjerë dhe 60 centimetra e thellë. Vendosja e këtyre bilbordëve kushton 25 000 euro. Këto instalime, falë paneleve diellore dhe sistemit të kapjes së ujit të shiut, janë pothuajse të vetë-qëndrueshme, sepse nevojitet servisimi i tyre vetëm disa orë në vit. Deri më tani City Tree është instaluar me sukses në disa qytete evropiane në Norvegji, Francë, Gjermani, Berlin, Kinë.

Zimata doaga Skopje prodolzuva da se gusi 2Burimi: news.itu.int

Makinë thithëse për smog - një zgjidhje alternative për pastrimin e ajrit

Makinë thithëse për smog është një seri inovacionesh urbane të udhëhequra nga Daan Rozegarde, e projektuar në Roterdam të Holandës, me lartësi prej 7 metrash dhe është e ndërtuar me alumin. Kjo makinë thithëse pastron 30 000 metra kub ajër në orë. Përdor vetëm 1170 vat energji elektrike të gjelbër, që do të thotë se është një investim financiarisht i qëndrueshëm sepse përdor edhe teknologjinë pozitive për jonizim. Makina thithëse për smog përdor më pak energji elektrike se bojleri për ujë. Ky lloj inovacioni tashmë po prezantohet në Kinë, Holandë dhe Poloni.

Zimata doaga Skopje prodolzuva da se gusi 3Burimi: 17goalsmagazin.de

Kthesë pozitive, ekologjike

Është koha për të rritur ndërgjegjësimin mjedisor të njerëzve. Publiku në Maqedoni është kryesisht i vetëdijshëm për rreziqet dhe efektet nga ajri i ndotur. Pritet që njohja e tillë me ndikimet e problemit të lehtësojë zbatimin e masave "jo popullore" në dispozicion të autoriteteve lokale dhe kombëtare (siç janë drejtimi i automjeteve me targa sipas regjimit "çift - tek" në zonën e qendrës së qytetit ose ndalim për komunikacion rrugor në qendër të qytetit).

Është e nevojshme të shfrytëzohen plotësisht pyetjet e deputetëve, drejtuar ministrive kompetente për llogaridhënie në lidhje me masat e zbatuara për uljen e ndotjes së ajrit në vend.

Është shumë e rëndësishme tu bëhet thirrje publikut ekspert, organizatave të shoqërisë civile, si dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor që të shqyrtojnë mundësinë e blerjes së bilbordeve të gjelbra dhe makinës thithëse për smog, që janë një investim i vlefshëm. Në këtë mënyrë, ata do të trajtojnë problemet aktuale me koordinim ndërinstitucional në lidhje me zbatimin e masave urgjente për reduktimin e ndotjes së ajrit.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sanja Velkakova

Sanja Velkakova ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Goce Dellçev, në degën Menaxhment dhe Ndërmarrësi. Ajo ka ndjekur disa trajnime mbi lidershipin, zhvillimin e karrierës dhe sipërmarrjen sociale.