Sonja Stojadinoviq
Modelet e funksionimit që kemi deri më tani janë treguar egoiste dhe të orientuara ekskluzivisht kah përfitimi i grupeve të vogla individësh. Është koha për ndryshim real.
Modeli urban i Shkupit dhe qyteteve të tjera të mëdha maqedonase forcon ndërtimin, ngushtimin e hapësirës në interes të fitimit, në kurriz të cilësisë së jetës së qytetarëve. Çdo pjesë e hapësirës, veçanërisht nëse është e vendosur në zonën e qendrës së qytetit ose afër qendrës, është e okupuar nga aktiviteti ndërtimor, betonuar ose prishur dhe është ndërtuar diçka e re. Koncepti i fitimit të cilin e sjell biznesi në ndërtimi, nuk lë hapësirë ose mundësi për ri dedikimin e hapësirave publike dhe urbane. Nuk jepet shans për rinovimin e ndërtesave të vjetra dhe të braktisura, fabrikave dhe lokaleve të braktisura, përveç nëse objekti nuk rrënohet dhe në vend të tij ndërtohet objekt i ri. Sepse e reja sjell më shumë para, ndërsa ajo e re rezulton edhe me më shumë ajër të ndotur sepse ndërtohet gjatë gjithë vitit.
Përdorimi i objekteve publike të braktisura që janë trashëgimi urbane dhe kulturore e çdo qyteti dhe ri dedikimi i tyre në vend të ndërtimit të objekteve të reja, është pranuar dobët në publikun dhe ndërgjegjen maqedonase sepse është rrënjosur thellë se e reja është më e mirë se e vjetra. Kjo mantrë imponohet nga establishmenti konsumator i cili shihet përmes prizmit të fitimit. Në mënyrë plotësuese mbështetet nga autoritetet lokale sepse tatimet për ndërtimin e ri sjellin më shumë të ardhura dhe ri konstruktim dhe ri dedikim i objektit ekzistues.
Kjo qasje e zemërngushtë kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e ndotjes së qyteteve, uljen e cilësisë së jetës dhe shkatërrimin e mëtejshëm të zonave të gjelbra dhe sipërfaqeve publike që janë të destinuara për qytetarët, dhe jo për biznesin e ndërtimit. Një moment që neglizhohet shumë, por që ka ndikim mbi shoqërinë është krijimi i getove në qytetet më të mëdha. Kjo gjithashtu kontribuon në shtresëzimin e qytetarëve dhe rritjen e varfërisë.
Kjo tendencë mund të shmanget me rindërtimin dhe ri dedikimin e ndërtesave të braktisura që gjenden në lokacione të ndryshme urbane dhe ndikojë negativisht mbi cilësinë e jetës. Lënia e objekteve të braktisura në mëshirën e kohës, jo vetëm që e bën mjedisin jo tërheqës për banim, por rrënimi i ndërtesës kontribuon në ndotjen e ajrit. Përveç kësaj është edhe rreziku të cilin e bart me vete një ndërtesë e prishur që është e pambrojtur nga vjedhjet dhe shkatërrimet.
Bota përshtatet dhe po ri dedikohet
Ndërtesat dhe fabrikat e braktisura përmes një plani që do t'i përshtatet nevojave të qytetarëve, lehtë mund t'i nënshtrohen ri dedikimit. Në lindje të Rumanisë, qyteti Vaslui i cili sipas madhësisë është sa Velesi dhe Shtipi, shërben si shembull për mënyrën se si objektet e braktisura mund të rinovohen dhe t'u jepet një rol funksional. Pasi një numër i madh i qytetarëve të këtij qyteti në vitet 1990 kaluan në një lloj tjetër ngrohjeje duke braktisur sistemin publik të ngrohjes qendrore, nga 27 termocentrale aktive, qyteti mbetet vetëm me 6.
Fabrika për metale të ngjyrosura "Kuprum" - Burimi: vidivaka.mk
Në vitin 2007, me mbështetjen e vetëqeverisjes lokale dhe financave nga Bashkimi Evropian, fillon projekti për ri dedikimin e këtyre objekteve në ambiente ku do të ofrohen shërbime rehabilitimi për grupe të margjinalizuara, mbështetje shëndetësore për pensionistët dhe njerëzit në nevojë, qendra të kujdesit ditor për fëmijët e familjeve në rrezik social. Ky projekt, i cili është ende aktiv, kontribuon më tej në zvogëlimin e margjinalizimit të grupeve sociale të rrezikuara në shoqëri, si dhe rivitalizimin e objekteve të cilat, duke i lënë pas dore, paraqesin ndotës ekologjik dhe objekte potencialisht të rrezikshme për mjedisin.
Një shembull pak avangardë, por jo më pak i rëndësishëm është ri dedikimi i kishës gotike të shekullit të 19-të në Sent Luis, SHBA, në park për patinazh. Kjo kishë u braktis për shumë vite, ndërsa me organizimin e shoqërisë lokale për patinazh dhe me lejen e autoriteteve lokale, pa dëmtuar brendësinë, kisha në vitin 2015 u shndërrua në park për patinazh. Shembull të njëjtë kemi në Spanjë, në qytetin e Lanera në vitin 2016, ku një kishë njëqind vjeçare nuk prishet por ri dedikohet në park për patinazh.
Shembull nga fqinjësia më e afërt kemi në Slloveni, ku komuna e Kamnikut vendos hapësirat e Manastirit të Mekinjes t’i ri dedikojë në forma të ndryshme të shfrytëzimit. Këto hapësira, me ndihmë financiare nga komuna dhe Fondi Evropian për Zhvillimin Rajonal, janë rindërtuar pa prishur pamjen e trashëgimisë kulturore dhe janë përdorur për trajnimin e organizatave të shoqërisë civile, promovimin e trashëgimisë kulturore, seminare dhe punëtori.
Shembujt e dhënë përfshijnë objekte që paraqesin trashëgimi industriale por dhe kulturore. Ato vetë dëshmojnë se jo gjithçka duhet të shkatërrohet, por me pak përpjekje, mund të ri dedikohet në mënyrë funksionale.
Fonde të pasura evropiane, gamë e gjerë idesh
Ri dedikimi në vend të shkatërrimit të objekteve të vjetra ndikon pozitivisht në planifikimin hapësinor cilësor dhe në mënyrë të konsiderueshme lë hapësirë për përfshirjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes. Partneriteti urban midis ministrive të ndryshme për Planifikim Hapësinor, Energji dhe Ekologji nga vende të ndryshme në Evropë (Itali, Greqi, Slloveni, Poloni) së bashku me komunat si Prato, Bolonja dhe Firence (Itali), Oslo (Norvegji), Kork (Irlandë), Antverpen (Belgjikë), krijojnë Rregulloren për ripërdorim të qëndrueshëm dhe qarkullues të hapësirave dhe objekteve urbane.
Kjo Rregullore e vitit 2019 përdor parimin e ekonomisë qarkulluese që paraqet sistem të mbyllur të shfrytëzimit, riciklimit dhe ripërdorimit të burimeve të disponueshme (ujë, tokë, ajër, plastikë, kompost, energji diellore). Rregullorja ofron shembuj se si të lokalizohen dhe identifikohen objektet e braktisura dhe ofron modele dhe zgjidhje të propozuara se si komuna të caktuara rregullojnë situatën në mënyrë që të zvogëlojnë numrin e objekteve të braktisura. Pronarët e hapësirës që është më e madhe se 500 metra katrorë dhe të cilët janë banorë të qytetit Cyrihut, nëse hapësira është e zbrazët për më shumë se një vit, janë të detyruar të raportojnë për këtë në komunë. Komuna më pas vendos se si ta ri dedikojë hapësirën për ripërdorim.
Janë braktisur jo vetëm fabrikat, institucionet, ndërtesat për banim, por edhe objektet për pushim për të cilat kjo rregullore ofron shembuj dhe udhëzime se si mund të ripërdoren të njëjtat me mbështetjen e komunës lokale dhe komunitetit. Përveç ideve për ri dedikim, është dhënë shembull pozitiv se si komuna mund të ndihmojë në ri vitalizimin financiar të objekteve. Kryeqyteti i Letonisë, Riga pas vitit 1990 përballet me ndërmjet 500 dhe 1000 ndërtesa të braktisura të llojeve të ndryshme. Komuna vendos në vitin 2016 të ulë taksën e pronës për rinovimin dhe përdorimin e ri të ndërtesave të braktisura ndërmjet 25 dhe 90 përqind. Kjo është me rëndësie të madhe, posaçërisht nëse objektet njihen dhe përdoren për edukim, sport, veprimtari kulturore dhe shoqërore.
Për shkak të ngarkimit tejet të madh, këto ditë u mbyll aeroporti Tegel në Berlin dhe u hap një i ri në anën juglindore të qytetit. Ky aeroport, i cili për banorët e Berlinit ishte simbol i lirisë gjatë Luftës së Ftohtë, do të ri dedikohet në monument historik dhe në ambientet e saj do të funksionojë Qendra e Zhvillimit e Universitetit të Shkencave të Aplikuara.
Po si mund të bëhet tek ne?
Në vendin tonë, interesi për ri dedikimin e ndërtesave të braktisura është i vogël. Objektet që janë përcaktuar si të braktisura ndërkaq mund të ri dedikohen në Shkup, janë Shtëpia e Kulturës "11 Tetori" në Çento, salla sportive "Partizan" në Karposh dhe fabrika për metale të ngjyrosura "Kuprum" në lagjen Krom. Ideja e të rinjve nga shoqatat "Kulturno Eho" dhe "Siti Skop Shkup është ndërtesa e fabrikës së vjetër "Kuprum" të ri dedikohet në qytet studentor. Me këtë do të parandalohej ndërtimi i ri dhe ndotja e hapësirës dhe do të bëhej më e afërt ndërtesa për banorët e lagjes Krom.
Salla sportive "Partizan". Burimi: sdk.mk
Qytetet e tjera në të cilat ndodhen ndërtesa të braktisura që mund të ri dedikohen janë Kumanova, Koçani, Kërçova, Ohri, Struga dhe Manastiri. Do të shtoja edhe qytete të tjera të cilat si qendra industriale për shkak të privatizimit shkatërrues dhe jofunksional, mbetën me fabrika të mbyllura që mund të ri dedikohen. Velesi, për shembull, disponon me hapësirën e shkritores dhe fabrikën e porcelanit "Porcelanka" si dhe hapësirën e kinemasë së braktisur të qytetit për të cilat akoma nuk ka ide se si të ri dedikohen dhe të përdoren në interes dhe për nevojat e qytetarëve.
Objektet e braktisura në vend, lehtë mund të ri dedikohen përmes mbështetjes financiare të komunave, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe fondeve evropiane në të cilat kemi qasje. Kjo ide nuk do të thotë shpikje e ujit të nxehtë, por një ri modelim i qytetit. Rindërtimi dhe ridedikimi i ndërtesave të braktisura zvogëlon ndotjen e ajrit nga aktivitetet e ndërtimit që janë provuar të jenë kontribuuesit kryesorë të ndotjes. Përveç kësaj, socializimi i qytetarëve të tjetërsuar për një kohë të gjatë do të rritet, gjë që gjithashtu kontribuon në zvogëlimin e mundësisë së krijimit të getove dhe margjinalizimin e vendbanimeve të caktuara urbane. Ri dedikimi i ndërtesave të braktisura hap një shans për përfshirjen e arkitektëve, urbanistëve, shoqatave qytetare, institucioneve arsimore, organizatave joqeveritare, të gjitha me idetë e tyre dhe zgjidhjet e propozuara, duke dëgjuar nevojat e qytetarëve, së bashku të krijojnë një bërthamë të re të qytetit për të gjithë.
Ri dedikimi nuk është ndonjë risi madhështore por model që rrit qëndrueshmërinë e mjediseve urbane dhe kontribuon në atraktivitetin për banim në një lagje të caktuar urbane pa marrë parasysh se në cilin qytet ndodhet. Në një kohë të internetit dhe mundësive të pakufizuara, duhet vullnet dhe ide për të realizuar projekte të tilla, por edhe presion mbi autoritetet e qytetit
Rilindja ekologjike
Me këtë qasje, nga njëra anë, qyteti do të jetë më afër qytetarëve të tij, ndërsa qytetarët do të shprehin dëshirën që ata të kontribuojnë me idetë e tyre dhe të marrin pjesë në krijimin e mjedisit të tyre. Për më tepër, ndërgjegjësimi i tyre për mbrojtjen e qytetit dhe zhvillimin ekologjik dhe ekonomik të tij, do të rritet. Parimet e ekonomisë rrethore dhe demokracisë së drejtpërdrejtë, të cilat u japin rëndësi zgjidhjeve ekologjike, ekonomive të qëndrueshme dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në proceset e vendimmarrjes për hapësirat e jetesës, janë modelet që na duhen për një të ardhme cilësore. Modelet e funksionimit që kemi deri më tani janë treguar egoiste dhe të orientuara ekskluzivisht kah përfitimi i grupeve të vogla të individëve dhe jofunksionale. Është koha për ndryshim real.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.