Shkaku i polarizimeve të brendshme dhe raportit të pazgjidhur me Serbinë, Kosova përbën një objektiv tërheqës për aktorët e jashtëm destruktiv që tentojnë të minojnë proceset demokratike. Kësisoj, shoqëria kosovare është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj lajmeve, rrjedhimisht dezinformatave nga faktorët e jashtëm.
Dezinformimi sot në BE definohet si shkatërrues i funksionimit normal të demokracisë, sistemit politik, shoqërisë dhe ekonomisë. Në rastin e Kosovës, propaganda e shoqëruar me dezinformata të koordinuara nga aktorë të jashtëm, është tentuar të përdoret si kartë e ndikimit gjeopolitik.
Burimi kryesor i dezinformatave kur bëhet fjalë për Kosovën është Serbia me mbështetjen e rusëve, të cilët synojnë kryesisht zonat e populluara më shumicë serbe. Kosova ka shprehur synimin e pa luhatur për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke marrë përsipër edhe përmbushjen e obligimeve nga marrëdhënia e vetme kontraktuale që ekziston aktualisht- Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA).
Por raporte kredibile konfirmojnë se perceptimi që ekzistonte ndër vite për qytetarët e Kosovës si më pro evropianët ka nisur të lëkundet. Kjo për shkak të vonesave sa i përket liberalizimit të vizave, paqartësitë në integrim për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e BE-së, si dhe qasja ndaj dialogut me Serbinë.
Rënia e mbështetjes për integrimet në BE
Me gjithë “statukuonë” rreth çështjeve që e shtyjnë Kosovën drejt BE-së, të anketuarit në Barometrin e Sigurisë së Ballkanit Perëndimor (BSBP) vazhdojnë të mbështesin fuqishëm integrimin e Kosovës në BE. 92 për qind e të anketuarve, mbështesin anëtarësimin e Kosovës në BE. Vetëm 4 për qind nuk e mbështesin integrimin, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë mendim për këtë çështje. Megjithëse kosovarët janë shumë pro integrimit në BE, ka skepticizëm që kjo mund të konkretizohet së shpejti. Të pyetur nëse BE-ja është e gatshme të pranojë Kosovën si shtet anëtar, 75 për qind janë përgjigjur pozitivisht, por shumica (41 për qind) e tyre besojnë se anëtarësimi nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Në anën tjetër, 20 për qind e të anketuarve besojnë se BE-ja nuk është aspak e gatshme të pranojë Kosovën si anëtare.
Bashkëpunimi rajonal është ndër parakushtet kryesore në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Por dilemat brenda shteteve anëtare të BE-së sa i përket politikës së zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, jo rrallë kanë sjellë zhgënjim në rajon. Për pasojë, kjo ka prodhuar veprime dhe inicim të hapave që kanë shkaktuar përçarje edhe brenda shteteve të rajonit, sikurse është iniciativa “Ballkani i Hapur”, që zuri fill nga Novi Sadi i Serbisë, fillimisht nën emërtimin “Mini-Shengeni Ballkanik”. Zyrtarë të Kosovës që deri tash kanë refuzuar t’i bashkohen kësaj nisme, të cilët madje e cilësuan si projekt të Rusisë dhe Serbisë, dhe kundër vlerave që promovon Bashkimi Evropian. Ky narracion u përforcua pas deklaratës së ministrit të jashtëm rus Sergey Lavrov, i cili në njërin prej samiteve që u mbajt në Ohër, deklaroi se mbështet “Ballkanin e Hapur”.
Mospajtimet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor rreth nismave sikur ajo për “Ballkanin e Hapur” dhe boshllëqet e krijuara si rezultat i mungesës së qartësisë në integrim, krijojnë terren për aktorët e jashtëm si Serbia, Rusia e Kina për t’i shtyrë përpara agjendat destabilizuese. Veçmas përpjekja e Rusisë për të shtrirë ndikimin në Ballkan po vazhdon paralelisht me agresionin mbi Ukrainën.
Rrjedhimisht që prej nisjes së pushtimit në shkurtin e vitit 2022, Kosova nuk ishte imune ndaj luftës hibride të Rusisë. Kosova u bë cak i deklaratave të zyrtarëve të lartë rusë, të cilët në disa raste akuzuan për kinse rekrutimin e mercenarëve kosovarë, krahas atyre nga Shqipëria e Bosnja e Hercegovina për t’u përfshirë në luftën e Ukrainës.
Burimi: slobodenpecat.mk
Por institucionet e Kosovës i demantuan këto informacione duke i cilësuar fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, që për qëllim kanë tensionimin e situatës dhe pengimin e rrugës drejt integrimit në Bashkimit Evropian.
Ballkani “i hapur” ndaj dezinformatave
Për të frenuar propagandën ruse, e cila kryesisht shfaqet përmes krijimit të narracioneve negative për Kosovën, duke e portretizuar atë si vend që i shkel të drejtat e serbëve, autoritetet e Kosovës ndërmorën disa masa. Ato konsistojnë në bllokimin e mediumeve dhe platformave online me origjinë nga Rusia, të cilat prodhojnë informata të rrejshme për Kosovën.
Poashtu, Qeveria e Kosovës në një linjë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i vendosi sanksione Rusisë, përfshirë ngrirjen e aseteve ruse në Kosovë, ndalim udhëtimi në territorin e Kosovës për individët e sanksionuar, si dhe bllokimin e subjekteve që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe subjektet e sanksionuara.
Nën dritën e zhvillimeve gjeopolitike dhe luftën në Ukrainë, Kosova shfrytëzoi momentumin e krijuar për të tentuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, të cilat për një periudhë ishin pezulluar si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit.
Për të mbajtur Kosovën në binarët e Perëndimit, Kuvendi përmes një rezolute udhëzoi qeverinë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në NATO, Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Kësisoj, Kosova dorëzoi aplikacionin në Këshillin e Evropës, aplikoi për statusin e vendit kandidat ne BE, si dhe themeloi një grup pune për përgatitjen e aplikacionit për anëtarësim në NATO.
Megjithëse shumica e shteteve anëtare të BE-së deklarativisht mbështesin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike, kjo ndërlidhet ngushtë me progresin në dialogun Kosovë-Serbi.
Pavarësisht përqendrimit të angazhimeve rreth situatës në Ukrainë, SHBA-ja dhe BE-ja e rikthyen fokusin e tyre edhe në Ballkanin Perëndimor, me kërkesën kryesore që fillimisht t’i jepet fund “statukuosë” në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Prej fillimit të luftës në Ukrainë, krahas dialogut me Kosovën, BE-ja ka qenë më e zëshme edhe në kërkesën që Serbia të rreshtohet krah perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, gjë të cilën ajo ka refuzuar ta bëjë deri tash.
Megjithëkëtë dialogu vazhdoi edhe pse kohë pas kohe mbeti nën hijen e tensioneve në veriun e populluar me shumicë serbe, të cilat kulmuan dhjetorin e vitit të kaluar me vendosjen e barrikadave në rrugët që shpiejnë drejt pikave kufitare me Serbinë.
Krahas tyre, narrativë e atyre javëve e muajve ishte pretendimi i Serbisë për kinse dëbimin e serbëve nga Kosova, duke tërhequr analogji me kinse dëbimin e rusëve nga rajoni lindor i Ukrainës. Shkas morën nga vendimet e qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit në targat e veturave dhe letërnjoftime. Serbia ndërmori një fushatë të egër dezinformimi pas vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa dhe dokumente të identifikimit.
Beogradi dezinformoi duke cilësuar vendimin e Kurtit anti-evropian “pasi letërnjoftimet e serbëve do të konfiskoheshin në kufi, veprim ky që do t’i paraprinte dëbimit përfundimtar të serbëve nga Kosova”. Por ky ishte një pretendim i rremë, ngase nuk kishte konfiskim të dokumenteve dhe Kosova vuri në zbatim pikërisht atë që Serbia për më shumë se një dekadë e aplikonte në raport me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra, çdo qytetar i Kosovës për të kaluar kufirin me Serbinë, deri vitin e kaluar i duhej të pajisej me një dokument shtesë në kufi, i cili lëshohej nga autoritetet serbe.
Heqja e kësaj mase në njërin prej takimeve të Brukselit dhe gjetja e një zgjidhje të përkohshme për çështjen e targave, bënë që BE-ja t’u kthehet përpjekjeve për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Transparencë dhe gtatishmëri e rreme për bashkëpunim
Pas dialogut intensiv të ndërmjetësuar nga Brukseli që kulmoi me takimin e Ohrit më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell njoftoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë pajtuar rreth dokumentit të propozuar nga BE-ja, i njohur edhe si plani franko-gjerman. Por, ky dokument dhe aneksi i zbatimit nuk u formalizuan edhe me nënshkrimet e palëve për shkak të refuzimit të presidentit serb, Vuçiq.
Ai insiston në themelimin e menjëhershëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çështje kjo të cilën dokumenti e trajton në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve të kaluara. Aspekt i rëndësishëm i marrëveshjes u konsideruan edhe dy nenet që flasin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian. Por, vetëm dy ditë pas marrëveshjes, Vuçiqi tha se nuk do të lejojë asnjëherë që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara. Ky qëndrim ka shtuar skepticizmin se mund të vazhdojë qasja e deritanishme, ku palët nuk i zbatojnë detyrimet e marra përsipër.
E në mungesë të zgjidhjes së problemeve të hapura me Serbinë dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve, Kosova dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të mbeten terren i përshtatshëm për aktorët e jashtëm si Rusia e Kina, të cilët nuk do të rreshtin të përpiqen që përmes metodave hibride të pengojnë integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe strukturat e tjera euro-atlantike.
Përfundimisht, për të frenuar mësymjen e aktorëve malinjë, BE-ja duhet të jetë me proaktive në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuptimin e përshpejtimit të rrugës drejt integrimit në familjen e vendeve demokratike.
Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut" me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.