Kur Amerika tërhiqet, çmimin e paguan e para vetë Amerika

Alfred Marleku

Politika

02.02.26

Прегледи

Qasja e Trumpit e bazuar në logjikën transaksionale dhe në skepticizmin ndaj institucioneve multilaterale, e sheh Bashkimin Europian jo si partner strategjik, por shpesh si konkurrent ekonomik ose si barrë sigurie.

Vendimi i marrë së fundmi nga presidentit Donald Trump për tërheqjen e ShBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare është shprehje e një politike të jashmte që nuk i konsideron institucionet multilaterale si aset strategjik për mbrojtjen dhe anvancimin e interesave kombëtare, por si barrë të “padobishme” dhe institucione “antiamerikane”. Megjithatë, kjo strategji e Administratës Trump bie ndesh me historinë dhe rolin amerikan në ndërtimin e rendit ndërkombëtar të pas vitit 1945.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ShBA-ja kishte rol jetik në ndërtimin e një arkitekture institucionale ndërkombëtare që pasqyronte interesat dhe vlerat e saj strategjike. Kombet e Bashkuara, sistemi i Bretton Ëoods-it (i cili përfshinte Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore) si dhe një sërë agjencish të specializuara në  shumë fusha u themeluan kryesisht me iniciativën dhe udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

Këto institucione nuk u krijuan për ta kufizuar fuqinë e ShBA-së. Paradoksalisht, shumica dërrmuese e institucioneve multilaterale nga të cilat ShBA-ja po tërhiqet sot janë krijuar nën lidershipin amerikan dhe kanë funksionuar për dekada si instrumente qendrore në projektimin e fuqisë, shtrirjen e ndikimit dhe legjitimimin e vendimeve në politikën e saj të jashtme. Si rrjedhim, duke e bërë udhëheqjen e ShBA-së më të pranueshme për aleatët, partnerët, si dhe për kundërshtarët dhe shtetet rivale.

Tërheqja nga institucionet dhe erozioni i ndikimit global

Tërheqja nga këto struktura ndërkombëtare e privon ShBA-në nga këto mekanizma që historikisht e kanë bërë atë më të fortë. Braktisja dhe defunksionalizimi i institucioneve multilaterale nuk i ofron ShBA-së më shumë liri veprimi, siç gabimisht mund të mendohet, por i heq asaj nga dora disa nga mjetet për të ndikuar në mënyrë efektive sistemin ndërkombëtar në një botë gjithnjë e më komplekse.

Pasojat e kësaj qasje e tejkalojnë simbolikën politike dhe logjiken elektorale të përmbledhur në slloganin “Amerika e Para”. Ato prodhojnë efekte konkrete në pozicionin ndërkombëtar të ShBA-së. Për më tepër, tërheqja nga organizata që merren me çështje transnacionale si ndryshimet klimatike, pandemitë, siguria kibernetike, krimi i organizuar transnacional etj., është tejet problematike pasi këto sfida nuk mund të adresohen pa një qasje shumëpalëshe ndërkombëtare.

Një nga pasojat më të rendësishme të kësaj tërheqje është dobësimi gradual i kapacitetit amerikan për të projektuar fuqi në arenën ndërkombëtare. Duhet theksuar se fuqia në sistemin ndërkombëtar bashkëkohor nuk matet vetëm me posedimin e mjeteve të avancuara ushtarake apo kapacitetet ekonomike, por edhe me aftësinë për të vendosur rregulla, standarde dhe norma në arenën ndërkombëtare.

Duke u larguar nga institucionet ku këto rregulla formësohen, ShBA-ja rrezikon të zbeh rolin e saj si “arkitekte e rendit ndërkombëtar”, duke ia lënë këtë hapësirë fuqive tjera rivale, veçanërisht Kinës e cila po paraqitet gjithnjë e më shumë si mbrojtëse e multilateralizmit në nivel global.

koga sad se povlekuvaat prva cena ja plakja samata amerika naslovnaBurimi: envato.com

Natyrisht se kritika ndaj institucioneve multilaterale nuk është krejtësisht e pabazë. Shumë prej këtyre institucioneve, në veçanit Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe agjencitë e saj, janë stërkequr nga faktorë të ndryshëm siç janë mbingarkesa burokratike, mungesa e efikasitetit dhe përfaqësimi i pabarabartë.

Kuprohet, këto struktura janë krijuar në një botë bipolare të dominuar nga ShBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, ndërsa sot sistemi ndërkombëtar është qartësisht multipolar. Andaj, reformimi përmbajtësor i këtyre institucioneve është i domosdoshëm për ta reflektuar realitetin e ri në balancën e fuqisë dhe strukturen e re të sistemit ndërkombëtar. Kjo do i bënte këto institucione më gjithëpërfshirës dhe funksionale.

Pasojat për aleatët, BE-në dhe Ballkanin Perëndimor

Në këto rrethana të reja ndërkombëtare, tërheqja e ShBA-së nga institucionet multilaterale paraqet situatë veçanërisht problematike për shtetet aleate dhe për rajone problematike si Ballkani Perëndimor, ku institucionet multilaterale kanë luajtur rol stabilizues në proceset integruese.

Në këtë rajon multilateralizmi nuk ka qenë thjesht një kornizë abstrakte bashkëpunimi, por një mekanizëm konkret sigurie, parandalimi konflikti dhe orientimi strategjik, veçanërisht përmes ndërveprimit të ngushtë mes ShBA-së dhe Bashkimit Europian. Dobësimi i këtyre mekanizmave rrit pasigurinë, fragmentimin dhe konkurrencën gjeopolitike, duke e bërë rajonin më të ekspozuar ndaj ndikimeve të aktorëve tejrë si Rusia dhe Kina.

Në rastin e BE-së ky zhvillim merr një dimension shtesë politik. Tensionet e vazhdueshme në mes të administratës Trump dhe aleatëve evropianë kanë lënduar një nga boshtet themelore të rendit perëndimor pas Luftës së Ftohtë që mbështetej në partneritetin transatlantik. Qasja e Trumpit e bazuar në logjikën transaksionale dhe në skepticizmin ndaj institucioneve multilaterale, e sheh Bashkimin Europian jo si partner strategjik, por shpesh si konkurrent ekonomik ose si barrë sigurie.

Tërheqja e ShBA-së nga institucionet multilaterale nuk përfaqëson rikthim të fuqisë amerikane në nivel global, por një keqlexim strategjik të burimeve reale të fuqisë së saj në sistemin ndërkombëtar. Multilateralizmi ka qenë historikisht instrument plotësues që i ka shërbyer Uashingtonit për të shumëfishuar ndikimin në përputhje me interesat e veta.

Braktisja e këtij modeli, në vend të reformimit dhe përshtatjes së tij me realitetin multipolar, rrezikon ta dobësoj kapacitetin amerikan në planin afatgjatë për të udhëhequr, për të ndikuar dhe për të garantuar stabilitet.

Alfred Marleku

Alfred Marleku është Doktor i Shkencave Politike dhe Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Komparative në Kolegjin UBT, në Fakultetin e Shkencave Politike. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë punimeve shkencore në fushën e shkencës politike në revistat përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është bashkëautor i një seri dokumentesh strategjike, kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Interesat e tij kërkimore përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet e vogla dhe procesin e ndërtimit të shtetit. Për më shumë se 8 vjet ai ka punuar si menaxher i projekteve në programe të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID, Ambasada e SHBA-së dhe të tjera, kryesisht në reformën e arsimit të lartë në Kosovë, duke u përqëndruar në: kërkimin dhe zhvillimin; ikja e trurit; zhvillimi i kurrikulave mësimore, etj.