fbpx

Ky dimër do të jetë i gjatë për Turqinë

Kaan Bajrakosan

COVID-19

Politika

20.11.20

Прегледи

Kaan Bajrakoshan

Kaan Bayirakosan 200x250A janë zgjidhjet e imponuara të përhershme apo të përkohshme?

Kaluan pothuajse një vit që kur epidemia KOVID-19 goditi botën. Megjithëse shumë qeveri kanë lehtësuar masat kufizuese gjatë verës, numri i rasteve dhe shkalla e vdekshmërisë po rriten përsëri në valën e dytë. Disa vende në Evropë kohët e fundit kanë arritur rastet më të larta pozitive deri më tani, duke e vendosur regjimin e lëvizjes së kufizuar përsëri në agjendën e qeverisë. Nga ana tjetër, në Republikën e Turqisë, tani për tani, numrat janë mbrapa rekordit ditor të vendit (rreth 5000 raste ditore dhe 120 vdekje), këto numra rekord u regjistruan në prill.

Mirëpo, ka disa pretendime në lidhje me vërtetësinë e numrit të rasteve, pasi vendi vendos kufizime të reja. Po bëhen edhe përpjekje, në mes të gjithë kësaj krize, me disa masa që përfshijnë ndryshimin e pozicioneve dhe premtime të reja për një epoke të re, në mënyrë që të riparojë ekonominë e brishtë që është goditur nga pandemia dhe vendimet e gabuara financiare. A do t'ia dalë Turqia në krijimin e një transparence dhe stabiliteti më të madh në lidhje me epideminë dhe ekonominë, të cilat janë gjithashtu sfidat më të mëdha për vendin?

Pretendime për të dhëna të pabesueshme

Në kohën kur u shkrua ky artikull (13 nëntor), 3 045 raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit dhe 93 raste vdekje, sipas tabelës ditore të rasteve me koronavirusit, të Ministrisë së Shëndetësisë. Vendi ka 47 809 pacientë aktivë. 3 356 prej tyre janë në gjendje kritike. Numri i përgjithshëm i vdekjeve është 11 326. Ndërsa numrat për momentin rriten në qytetet, Ministri i Shëndetësisë Fahretin Koça u bëri thirrje njerëzve që ta marrin sëmundjen më seriozisht dhe të shmangin udhëtimet sa më shumë që të jetë e mundur.

Shoqata Mjekësore Turke ka pohuar se të dhënat e ministrisë janë të pasigurta. Sipas deklaratës së tyre nga 8 prilli, disa vdekje nuk u regjistruan si KOVID-19, por thuhej se janë shkaktuan nga shkaqe të tjera, të tilla si pneumonia virale, vdekja natyrore ose sëmundja infektive. Prof. Sinan Axhijaman, kryetar i Shoqatës, më 9 gusht tha se të dhënat statistikore për punonjësit shëndetësorë rezultatet e testeve të të cilëve ishin pozitive, kanë qenë të sëmurë ose kanë vdekur nuk janë publikuar që nga prilli e më pas.. Ai gjithashtu pretendon se qeveria nuk e ka përmbushur premtimin e saj për shumën e pagesave shtesë për punëtorët, megjithëse Ministri Koxha tha se bonuset do të paguhen për 3 muaj shtesë. Konflikti midis qeverisë dhe Shoqatës u intensifikua në shtator dhe tetor. Presidenti Erdogan tha se është i mundur plan për ndryshimet strukturore në Shoqatën.

Akuzat shkaktuan jehonë të madhe në publik, duke rritur presionin mbi ministrinë. Sipas hulumtimit të MetroPOLL (shtator 2020), 58,9% e njerëzve nuk besojnë se numrat që i paraqet qeveria janë të vërteta ose transparente, ndërsa 36% e të anketuarve besojnë se numrat janë të besueshme. Reagimi negativ i publikut ndaj statistikave arriti kulmin kur Ministrja Koxha sqaroi se nuk i regjistrojnë të gjitha rastet pozitive si pacientë. “Jo të gjitha rastet janë pacientë. Ka të tillë të cilët nuk kanë simptoma "megjithëse testet e tyre janë pozitive dhe numri i tyre është më i lartë se njerëzit që kanë simptoma". Pas kësaj deklarate kontraverse, Organizata Botërore e Shëndetësisë i bëri thirrje Turqisë që t'i raportojë të dhënat për KOVID-19 në përputhje me udhëzimet përkatëse të OBSH-së, në mënyrë që të harmonizojnë mbledhjen e të dhënave dhe masat e parandalimit të virusit, megjithëse Organizata vlerësoi numrin e lartë të testeve dhe politikën e izolimit në vend.

Masa të reja kundër KOVID-19

Përveç çështjeve të transparencës, vëmendja e njerëzve është bërë më fleksibile për mbajtjen e distancës ndërmjet vete në muajt e fundit, për shkak të numrit të madh të njerëzve që marrin pjesë në takime dhe dasma. Ndërsa numri i infeksioneve dhe vdekjeve të reja rritet, Ministria e Punëve të Brendshme këtë javë lëshoi direktivë që ndalon pirjen e duhanit në rrugë dhe në vende të tjera të hapura publike për të parandaluar heqjen e maskave. Për më tepër, është ndaluar që njerëzit të moshës mbi 65 vjeç të dalin jashtë në kohë të caktuara të ditës, në varësi të rrezikut në qytete, një masë që përfshin metropolet si Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri. Mirëpo, me njoftimet e reja rreth rezultateve të arritura në krijimin e vaksinave nga "Fajzer" (Pfizer) dhe "Biontek" (BioNTech), mund të thuhet se janë zgjuar shpresat për ilaç të mundshëm.

Zimava ke bide dolga za TurcijaBurimi: dailysabah.com

Sipas kompanive, me vaksinat është arritur shërim prej 90% në trajtimet dhe është e mundur që ato të fillojnë tu dorëzohen vendeve në vitin 2021. Ministri Koxha deklaroi se ata ishin në kontakt me prof. Ugur Sahin, drejtorin ekzekutiv turk të BioNTech, ndërsa ka zgjatur procesi i hulumtimit. Aktualisht nuk ka informacion mbi porosinë / furnizimin e vaksinave nga qeveria.

Ekonomia turke është ende në rrezik

Megjithëse ekziston një shkëndijë shprese për shërim, duket se ekonomia turke duhet të kapërcejë një numër sfidash për t'u rikuperuar plotësisht. Në tetor, Instituti Turk i Statistikave njoftoi se niveli i përgjithshëm i papunësisë ishte 13,4% në korrik, që është përqindja e tretë më e lartë në Evropë, pas Spanjës dhe Greqisë, sipas të dhënave të Eurostat. Gjithashtu, shkalla e fundit e papunësisë tek të rinjtë (15 deri 24 vjeç) është 25,9%. Lira ka humbur vazhdimisht vlerën ndaj dollarit dhe euros për shkak të koronavirusit dhe politikave joefektive ekonomike, duke thyer një rekord tjetër në të cilin dollari arriti 8,60 lira dhe euro kaloi pragun e 10 lira. Duke pasur parasysh faktin se dollari ishte 5,95 lira në fillim të vitit 2020, humbja e vlerës së monedhës turke arriti në 30% vetëm këtë vit.

Sipas Blumberg, valuta regjistroi rënien e saj më të gjatë (9 javë rresht) që nga viti 1999, megjithëse Banka Qendrore Turke ngriti normat e interesit për transaksionet e swap (hyrjet e parave të gatshme në dy valuta) gjatë periudhës, gjë që bëri qeverinë t'i qaset çështjes më seriozisht, në vend që të mbronte kushtet aktuale.

Më 7 nëntor, Erdogani shkarkoi Guvernatorin e Bankës Qendrore Murat Ujsal dhe emëroi Naxhi Agbal, ish-ministër i financave, në vend të tij. Megjithatë, ndryshimi më i madhi ndodhi në 8 nëntor me dorëheqjen e papritur të Berat Albajrak, ministrit të Financave dhe Thesarit. Albajrak, i cili është gjithashtu dhëndri i Erdoganit, njoftoi vendimin në llogarinë e tij në Instagram, pa ndonjë deklaratë zyrtare. Në njoftim thuhej se arsyeja e lëvizjes së tij ishin problemet shëndetësore. Institucionet shtetërore nuk bënë asnjë koment zyrtar për 27 orët e ardhshme. Megjithëse situata në lidhje me ministrin ishte e panjohur, lira turke, si për ironi, pushoi të humbë vlerën.

Heshtja përfundoi me deklaratë zyrtare nga Presidenti Erdogan, me çka pranoi dorëheqjen e Albajrak dhe e zëvendësoi atë me Lutfi Elvan, një ish-ministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Sipas një artikulli nga Karlota Gall në "New York Times", ky ndryshim mund të jetë gjithashtu strategji që synon epilogun e zgjedhjeve të fundit presidenciale të SHBA-ve. Ajo shkroi "Një pjesë e portofolit të z.Albajrak ishte të kujdeset për marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë përmes miqësisë së tij me vajzën e Presidentit Trump Ivanka Trump dhe burrin e saj Xhered Kushner", duke vënë në dukje shmangien e sanksioneve për blerjen e sistemit raketor rus S-400 dhe shmangien e gjobave të rënda me para për rastin me bankën shtetërore turke "Halkbank".

Zgjedhjet në SHBA: mundësi e re për Turqinë

Duke pasur parasysh fitoren e Xho Bajden, kjo mund të nxisë Turqinë të kërkojë qasje të re ndaj SHBA-ve, në mënyrë që të përmirësojë marrëdhëniet. Lutfi Elvan, i cili ka studiuar në Delaver, ku ka studiuar edhe Bajden dhe u zgjodh senator, mund të jetë ura e re midis dy palëve. Biden dihet se ka kritikuar cilësinë e të drejtave demokratike në Turqi në të kaluarën, duke sinjalizuar mbështetjen e tij për partitë turke të opozitës. Ai gjithashtu pritet të jetë më agresiv në drejtim të sanksioneve nëse dështojnë përpjekjet për marrëdhënie të mira.

Pasi Albajrak dha dorëheqje ndërsa Banka Qendrore në mënyrë të vazhdueshme rriste normat e interesit, lira turke u rrit deri në 4% në raport me dollarin, duke ulur kursin e këmbimit në 7,81 lira. Gjithashtu, euro ra nën pragun e 10 lira. Më 11 dhe 13 nëntor, Erdogan premtoi epokë të re për ekonominë dhe gjyqësorin e vendit, duke theksuar qëllimin e uljes së rrezikut të vendit dhe fitimin e besimit dhe besueshmërisë më të madhe për investitorët e huaj. Ai vazhdoi duke thënë, "Pa hezitim do të hedhim hapat e duhur, madje edhe nëse ato janë të mundimshme“.

Çfarë do të sjellë epoka e re?

Sipas ekspertëve, kjo formulë për "hapat e mundimshme" i referohet çmimeve më të larta dhe taksave më të larta në vitin 2021 për qytetarët. Me rënien e vlerës së lirës, situata ekonomike e qytetarëve turq tashmë po vuan pasoja negative, për shkak të rritjes së çmimeve që ndodhën shumë kohë para shfaqjes së koronavirusit, prandaj këto masa duhej të ishin vendosur shumë kohë më parë. Gjithashtu, ka pasur dy ndërrime të pozitës Guvernator i Bankës Qendrore në afat të shkurtër, përkatësisht Naxhi Agbal që është guvernatori i tretë në 16 muaj. Pikërisht prandaj ekziston dyshim nëse ndryshimi i fundit do të ofrojë zgjidhjet e nevojshme. Nëse qeveria përmbush premtimin e saj dhe arrin të krijojë mjedis më të sigurt ekonomik në planin afatgjatë, ka shpresë që pasojat negative të hapave do të mund të minimizohen.

Nga ana tjetër, përmbajtja e planeve për të reformuar gjyqësorin ende janë të paqarta. Gjyqësori në Turqi është një nga strukturat më të kritikuara nga opozita. Me kalimin nga sistemi parlamentar në atë presidencial në vitin 2017, intensiteti i këtij problemi është rritur, në drejtim të parimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Duke pasur parasysh rëndësinë e gjithë kësaj, nëse premtimet e reja për sistemin e drejtësisë përmbushen vërtet, kjo jo vetëm që do të jetë në gjendje të ketë ndikim pozitiv në klimën politike, por gjithashtu do të jetë në gjendje të ndihmojë ekonominë e vendit, duke siguruar treg më të qëndrueshëm dhe të sigurt për investitorët.

Me pak fjalë, populli turk po kërkon transparencë më të madhe në të dhënat për koronavirusin dhe zgjidhje efektive për sistemin ekonomik të qeverisë, në vend të hapave të përkohshme që synojnë vetëm zgjedhjet e ardhshme në vitin 2023. Në planin afatgjatë, koha do të tregojë nëse ato rregullativa për stabilitet financiar dhe sistemin gjyqësor do të shërojnë plagët e ekonomisë turke. Megjithatë, duket se ky dimër nuk do të jetë shumë i lehtë për njerëzit, në kushtet e ri-intensifikimit të epidemisë së koronavirusit dhe klimës së paqëndrueshme politike / ekonomike të Turqisë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Kaan Bajrakosan

Kaan Bajrakosan, është student në studime të magjistraturës për shkenca politike në Universitetin e Varshavës, Poloni. Ka kryer studimet post diplomike për gazetari në Universitetin Ege në Turqi. Ai, gjithashtu ka studiuar në Universitetin Vilnus në Lituani në këtë fushë, si pjesë e programit për shkëmbim të studentëve. Ai ka përvojë në gazetari në mediat lokale gjatë kohës së studimeve të tij në Izmir, Turqi.