Algoritmet luajnë një rol kyç në këtë proces, duke krijuar ‘dhoma ehoje’ ku përdoruesit ekspozohen vetëm ndaj informacioneve që përforcojnë paragjykimet e tyre ekzistuese. Kjo çon në një ndarje edhe më të thellë shoqërore dhe në rritjen e intolerancës ndaj ‘të tjerëve’.
Dy koncerte të muzicientit kontrovers kroat Marko Perkoviç Thompson, të mbajtura në mes të shkurtit 2026 në qytetin e Bosnjë-Hercegovinës, Shiroki Brijeg, u karakterizuan nga thirrje ustashe dhe përshëndetje fashiste.
Kjo shkaktoi polemika dhe reagime të shumta në publikun e gjerë, ndërsa veçanërisht shqetësues është fakti se në koncerte morën pjesë një numër i madh i të rinjve, shumë prej të cilëve brohoritnin thirrje ustashe dhe ngrinin dorën e djathtë në përshëndetjen që lidhet me ikonografinë fashiste.
Në vend të një distance të qartë, legjitimitet shtesë gjithë kësaj historie në hapësirën publike i dha Dragan Çoviq, lideri i HDZ-së së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe figura politike më me ndikim ndër politikanët kroatë nëBosnjë dhe Hercegovinë, i cili e priti këngëtarin kontrovers dhe e quajti atë mik. Përveç kësaj, në koncert mori pjesë gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, Marin Vukoja, i afërt me HDZ-në.
Ekstremi si „content“
Ngjarjet në Shiroki Brijeg u dënuan, ndër të tjerët, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë, OKB-ja dhe OSBE-ja, si dhe janë dërguar denoncime kundër përgjegjësve në Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Megjithatë, pamjet janë prej kohësh në rrjetet sociale dhe janë të qasshme për të gjithë – veçanërisht për të rinjtë.
Pamjet janë shfaqur në Instagram, TikTok, Facebook… platforma ku kjo përmbajtje është lehtësisht e qasshme. Të rinjtë e konsumojnë atë kalimthi, duke bërë ‘scroll’, pa qenë të vetëdijshëm se kjo mund të shërbejë si përforcues në procesin e radikalizimit, ndërsa algoritmet më pas i bombardojnë ata me përmbajtje të ngjashme.
Euronews në vitin 2024 transmetoi gjetjet e institutit ‘ISD’, sipas të cilave në TikTok është identifikuar një rrjet prej rreth 200 llogarive pro-naziste që publikojnë përmbajtje që promovojnë ideologjinë naziste. Këto llogari, siç thuhet, arrijnë dhjetëra miliona shikime dhe shtyjnë narrativa si mohimi i Holokaustit, lavdërimi i Hitlerit dhe ideja e ‘nazizmit si zgjidhje’ për problemet bashkëkohore. Gjithashtu, në rrjete shfaqen përmbajtje të ndryshme anti-emigracionit dhe raciste, pamje të sulmeve terroriste dhe sulmeve të tjera, si dhe pamje të dhunës.

Kjo është veçanërisht e rrezikshme në një shoqëri si ajo e Bosnjë-Hercegovinës, e cila është thellësisht e ndarë dhe në të cilën polarizimi etno-nacional dhe retorika politike janë bërë rrjedha kryesore (mainstream) e diskursit.
Hulumtimi i Mediacentar nga Sarajeva ka treguar se shumica e të rinjve nuk i kanë bazat e edukimit mediatik, as njohuritë dhe shkathtësitë bazë që nevojiten për të marrë pjesë në komunikimin publik dhe për të identifikuar, mbrojtur veten dhe reaguar ndaj përmbajtjeve problematike, dhe se përmes zakoneve të përdorimit të mediave dhe përmbajtjeve online, ata kryesisht mbeten brenda kornizës së një kuptimi të njëanshëm të botës, në përputhje me politikat dominuese etno-nacionale.
Në të njëjtën analizë theksohet se platformat mediatike online dhe rrjetet sociale kryesisht nuk përdoren për rekrutim të drejtpërdrejtë për aktivitete ekstremiste, por ato janë vende kyçe për përhapjen e urrejtjes etno-nacionale dhe ideologjisë ekstremiste.
Për një nga shembujt e tillë ka raportuar Detektor: është regjistruar një TikTok live në të cilin shfaqeshin vullnetarë serbë që i ishin bashkuar ushtrisë ruse në pushtimin e Ukrainës. Kështu, një rrjet social është keqpërdorur si kanal për promovimin e luftës dhe, në këtë rast konkret, si megafon i propagandës ruse dhe i luftëtarëve në radhët e ushtrisë ruse.
Popullariteti gjithnjë e më i madh i Telegram-it
Nëse rrjetet sociale janë ‘vitrina’ ku përmbajtjet e tilla përhapen dhe normalizohen shpejt, Telegrami është vendi ku ato marrin interpretim dhe audiencë, ku ripaketohen në mesazhe politike dhe përforcohen përmes grupeve të mbyllura. Kanale të tilla janë popullore në mesin e të rinjve.
Detektor kishte shkruar që në vitin 2024 se kanalet pro-ruse të Telegramit në Ballkan janë një poligon gjithnjë e më popullor për rekrutim dhe dezinformim, dhe se më shumë se gjysmë milioni njerëz ndjekin 23 kanale të spikatura pro-ruse të Telegramit në gjuhën serbe dhe ruse që i kushtohen Ballkanit, ku qytetarët ftohen të dhurojnë pajisje ushtarake për pushtimin e Ukrainës dhe promovohen njësi ushtarake të përbëra nga shtetas të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Gazetarët e kësaj reviste hulumtuese arritën të infiltroheshin në një kanal privat të Telegramit, i cili përdorej për rekrutimin e luftëtarëve për ushtrinë ruse në Ukrainë, dhe të binin në kontakt me personat që rekrutojnë të rinj nga Bosnja dhe Hercegovina. Me këtë ata vërtetuan se një rekrutim i tillë ekziston dhe se ai po ndodh.
Gjithashtu, ata shkruan se si kanalet pro-ruse në Telegram shpërndajnë në mënyrë të sinkronizuar panik dhe parashikojnë konflikt në Bosnjë dhe Hercegovinë. Se gjithçka nuk ndalet vetëm në botën online, e dëshmon edhe aktgjykimi i fundit i dhënë nga një gjykatë në Moldavi, me të cilin u dënuan tre shtetas të atij vendi, dhe me të cilin u konfirmua ekzistenca e kampeve stërvitore ruse në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi.
Nga kanalet në terren
Kanalet e Telegramit janë vërtet shumë popullore në mesin e lëvizjeve të (ultra)djathta, por ato nuk janë forma e vetme e organizimit. Vitet e fundit janë shfaqur grupe që janë krijuar sipas shembullit të organizatave ekstremiste të huaja, duke u prezantuar si iniciativa humanitare – mbrojtje e fëmijëve, e kafshëve apo ‘ndihmë për komunitetin’ – por postimet, simbolika dhe mesazhet e tyre shpesh tregojnë për promovimin e narativave ekstremiste.
Mes tyre është edhe klubi famëkeq pro-rus i motoçiklistëve Ujqërit e Natës (Noćni vukovi), i cili, sipas raportimeve mediatike, ka marrë edhe para nga institucionet e entitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Srpska, dhe janë shfaqur edhe në ngjarje publike. Aty janë edhe organizata si Panterat (Panteri), Nderi Serb (Srbska čast), Vetërespekti (Samopoštovanje)… Ato shpesh kanë lidhje të mira me partitë politike të qendrës së djathtë, madje edhe me pushtetin.
Organizatat e tilla, duke promovuar patriarkalizmin, shpesh përdorin mizogjininë, antifeminizmin, homofobinë, madje edhe racizmin për të rekrutuar anëtarë të rinj.
Në këtë mjedis njihen edhe grupe të caktuara të organizuara të tifozëve që veprojnë në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën. Disa janë nën ndikimin e rrëfimeve të jashtme – tifozët e Boracit nga Banja Lluka kanë shprehur mbështetjen e tyre për pushtimin rus të Ukrainës edhe në stadium, tifozët e Zrinjskit nga Mostari kanë shfaqur publikisht simbole të përdorura edhe nga batalioni ukrainas ‘Azov’, tek i cili me vite të tëra mbështeten ultradhjathtistët në mbarë botën…
Kur bëhet fjalë për radikalizimin e të rinjve, grupet e tifozëve kontribuojnë veçanërisht në përhapjen e tensioneve ndëretnike. Së bashku me fyerjet kombëtare dhe fetare, shpesh dëgjohen brohoritje që lartësojnë kriminelët e luftës ose mohojnë, madje edhe festojnë gjenocidin dhe krimet e tjera, e nganjëherë edhe parulla që aludojnë në armë dhe krime masive – mesazhe që nuk mund të interpretohen ndryshe veçse si normalizim i kërcënimeve.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë u përleshën edhe tifozët nga vendet fqinje – kohët e fundit, në një përleshje mes grupeve të tifozëve të klubeve të futbollit Hajduk (Kroaci) dhe Crvena Zvezda (Serbi), që ndodhi pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tuzllës, u lënduan 23 persona, kryesisht të rinj, ndërsa 93 u ndaluan në polici.
Kur urrejtja kthehet në dhunë
Promovimi i homofobisë në hapësirën online pati pasojat e veta edhe në terren. Në Banjallukë, në mars të vitit 2023, u sulmuan aktivistët LGBTIQ dhe gazetarët, ndërsa një pjesë e politikanëve e relativizuan ose e arsyetuan incidentin, duke ushqyer edhe më tej atmosferën në të cilën dhuna u bë ‘e lejueshme’.
Një model i ngjashëm vërehet përpara çdo Parade të Krenarisë (Povorka ponosa) në Sarajevë, kur regjistrohen kërcënime dhe gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale. Edhe pse nuk janë shënuar incidente – para së gjithash falë masave të forta të sigurisë – është interesant fakti nga MPB-ja e Kantonit të Sarajevës se është vërtetuar që një numër i konsiderueshëm i autorëve të komenteve fyese, përkatësisht komenteve që mund të konsiderohen si rrezikim i sigurisë, jetojnë jashtë kufijve të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Radikalizimi i të rinjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, i frymëzuar nga nxitësit e ekstremizmit online dhe fushatat e jashtme, po thellon edhe më tej polarizimin e shoqërisë. Pa përgjegjësi politike, edukim serioz mediatik dhe mendim kritik, si dhe reagim të qartë të institucioneve dhe organeve rregullatore, këto fushata do të vazhdojnë të gjejnë terren pjellor, ndërsa pasojat do të jenë gjithnjë e më të mëdha.
