fbpx

A jemi dëshmitar të një rend të ri botëror në arsimin e lartë?

Alfred Marleku

Arsimi

23.09.19

Прегледи

МК  SRB

Alfred Marleku

alfred marleku200x250Deri më sot ShBA-të mbesin shteti me sistemin e arsimit të lartë më të avancuar në botë, më numrin më të madh të publikimeve shkencore, investimeve në shkencë, patentimeve dhe të fituesve të çmimeve Nobel.

 

Ekziston një lidhje kazuale në mes të potencialit që shtete posedojnë për të ndikuar sistemin ndërkombëtar dhe cilësisë së arsimit të lartë që ato kanë. Zakonisht shtetet e fuqishme kanë një sistem arsimor të avancuar dhe konkurrues. Këtë e thekson edhe filozofi spanjoll, Jose Ortega Y Gasset, në librin e tij “Mission of the University” kur konstaton se kombet janë të fuqishme sepse shkolla e tyre është e mirë. Sipas tij, nuk ka asnjë mundësi teorike që të ketë një shtet të fuqishëm pa pasur edhe një sistem arsimor të avancuar dhe modern. Por, ndryshimet politike dhe ekonomike në sistemin ndërkombëtar a reflektohen domosdoshmërisht edhe në ndërrime sa i përket dominimit të këtyre shteteve në arsimin e lartë në nivel global?  

Universitetet kineze sfidojnë universitetet amerikane në numrin e publikimeve

Shtetet e Bashkuara, tash sa kohë, dominojnë renditjet e universiteteve të njohura dhe më me ndikim në arsim, shkencë dhe teknologji. Avantazhi është evident edhe sa i përket numrit të citimeve të punimeve shkencore që janë botuar nga studiues që ushtrojnë aktivitetin e tyre në universitetet amerikane. Mirëpo, kohët të fundit vërehet se qeveria kineze ka rritur investimet në arsimin e lartë në mënyrë signifikante duke e reformuar sistemin e funksionitmit të universiteteve të tyre përmes ofrimit të bursave për studentë apo studiues të huaj dhe stimulimin e motivimin e studiuesve kinez që të rrisin produktivitetin e tyre në kërkim shkencor dhe zhvillim (R&D).

Në fakt, një qasje e tillë është treguar tejet produktive. Një ndër universitetet më të mira kineze, Tsinghua University, vitet e fundit ka arritur rezultate mbresëlënëse në fushën e kërkimit shkencor duke e rritur numrin e publikimeve në mënyrë signifikante në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM). Vlerësohet se, nga 2013 deri më 2016, ky universitet ka prodhuar më së shumti punime në 1%-in e punimeve shkencore më të cituarat në matematikë dhe shkenca kompjuterike dhe gjithashtu ka më së shumti punime në 10%-in e punimeve shkencore më të cituarat në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), krahasuar me secilin universitet tjetër në botë. Megjithatë, një ndër universitetet më të mira amerikane dhe botërore, Massachusetts Institute of Technology (MIT), ende kryeson garën me numrin më të madh të publikimeve të cituara në botë në STEM. Por, duke marrë në konsideratë këtë trend gjithnjë në rritje të universiteteve kineze, nuk do të ishte fare befasi që këto renditje, në një të ardhme jo të largët, të ndryshonin.

Këto të arritura nuk janë të rastësishme. Përkundrazi, këto janë rezultate të një pune sistematike dhe investimeve serioze e të mirë-planifikuara. Nga viti 1995 qeveria Kineze ka investuar miliarda dollarë me qëllim që të transformoj rrënjësisht universitetet e veta dhe t’i shndërroj ato në institucione të rangut botëror, të cilat janë destinacion i studiuesve dhe studentëve nga e mbarë bota. Një mbështetje e tillë është realizuar edhe përmes programeve qeveritare siç është “Project 211”. Edhe numri i punimeve nga universitetet kineze në Scopus, një ndër katalogët më të mëdha të abstrakeve dhe citimeve në botë, është rritur dukshëm. Nga 4% sa ishte numri i publikimeve në këtë platformë në vitin 2000, në vitin 2016 ka arriti në 19%.

Çdo herë gjatë historisë, por në veçanti në periudhën në te cilën po jetojmë ku zhvillimi teknologjik ka avancuar me hapa gjigant, roli i edukimit është vlerësuar jetik në zhvillimin ekonomik të një vendi. Duket se ShBA-të edhe për një kohë relativisht të gjatë nuk mund të konkurrohet nga shtetet e tjera në këtë garë. Sipas Departamentit të Edukimit, mbi 85% e të rriturve në ShBA diplomojnë nga shkolla e mesme, kurse mbi 30% përfundojnë kolegjin. Shifrat e të diplomuarve nga universitetet në ShBA janë më të lartat se në secilin vend të botës. Gjithashtu, ShBA shpenzojnë gati dy herë më shumë të vlerës së GDP-së në arsim të lartë, krahasuar me shtete si Franca, Gjermania, Britania e Madhe apo edhe Japonia.

kapi

Sistemi i arsimit të lartë në ShBA ende vlerësohet si ndër më të mirët në botë. Kjo është e matshme dhe e krahasueshme nëse analizohen edhe të dhënat e renditjes së top universiteteve më të mira në nivel global. Sipas Academic Ranking of World Universities, i njohur edhe si Shanghai Ranking, në 2019 Kina nuk ka asnjë universitet të renditur në top 20 universitetet më të mira në botë. Në top 100, universiteti i parë nga Kina është Tsinghua University i cili renditet në vendin e 43. Në fakt, diferenca në mes të universiteteve amerikane dhe atyre nga Azia është tepër i madh: nga ShBA janë 46 universitete, kurse nga regjioni i Azisë dhe Oqeanisë janë vetëm 17 sosh. Nëse këto të dhëna krahasohen ndër vite, vërehet një avancim i dukshëm i universiteteve kineze që janë ngritur në renditje. Krahasuar me vitin 2019, në 2003, vit i cili shënon fillimin e matjeve nga Shanghai Ranking, në top 20 universitetet e para Kina nuk kishte asnjë universitet, kurse ShBA 15. Në vitin 2013 në top 20 universitetet e para, zero ishin nga Kina dhe 17 nga ShBA, kurse në top 100, po ashtu zero nga Kina dhe 52 nga ShBA.

Por, përkundër rritjes së dukshme të numrit të publikimeve në nivel global apo edhe përmirësimit në ranglistat ndërkombëtare të universiteteve, Kina ka stagnuar sa i përket fitimit të çmimeve Nobel në shkencë. Në fakt rezultatet janë të pakrahasueshme me Shtetet e Bashkuara. Kina ka arritur të fitoj vetëm një çmim Nobel, konkretisht Tu Youyou ishte shpërblyer për zbulimin e një terapie inovative kundër malaries, kurse ShBA ka 282 çmime Nobel të fituara në fusha të ndryshme të dijes dhe veprimtarisë njerëzore. 

Nëse krahasohen universitetet amerikane me konkurrentët tjetër global, Evropën dhe Rusinë, diferenca gjithashtu është evidente. Sipas matjeve të vitit 2019 në top 20 universitetet më të mira në botë, 4 janë nga Evropa dhe 16 nga ShBA. Kurse, në top 100 universitete, 34 janë nga Evropa kurse 49 nga ShBA. Në kuptim të investimeve, ShBA shpenzon 2.7% të GDP-së në kërkim shkencor dhe zhvillimim (R&D), qe i bie të jetë dy herë më shumë se sa vendet evropiane. Kurse, Rusia në top 100 ka vetëm 1 universitet në vendin e 87, konkretisht është fjala për Moscow State University. Më 2013 Rusia kishte po ashtu 1 institucion, ku i njëjti universitet ishte renditur i 79-ti dhe në 2003 ishte diku në mes të vendit 102-150.

Përveç investimit sistematik, duhet të jesh inovativ dhe i adaptueshëm në mënyrë që të jesh konkurrent për periudha të gjata kohore. Kjo është e vërtetë për çdo fushë të jetës. Arsimi i lartë, kërkimi shkencor dhe zhvillimi (R&D) nuk janë përjashtim. Dështimi për të qenë konkurrent në industri nga ana e Britanisë së Madhe, sidomos në sektorët e rinj dhe inovativ si elektriciteti dhe një sistem i arsimit ku ata i jepnin prioritet më shumë trajnimit klasik në letërsi, art e kulturë, kundrejt shkencës dhe teknologjisë, ishte një ndër faktorët që ndikoj që Britania e Madhe të përshpejtoj rënien e saj nga primati i të qenit dominues në sistemin ndërkombëtar.

Deri më sot ShBA-të mbesin shteti me sistemin e arsimit të lartë më të avancuar në botë, më numrin më të madh të publikimeve shkencore, investimeve në shkencë, patentimeve dhe të fituesve të çmimeve Nobel. Politika e tyre e fuqisë së butë bënë që shumë studentë të talentuar dhe shumë studiues ambicioz të shohin ShBA-në si vend ideal për të realizuar qëllimet e tyre personale dhe profesionale. Ky dominim në shkencë dhe teknologji i krijon mundësi reale ShBA-së që, duke shfrytëzuar këto rezultate, të ruaj avantazhin e dukshëm me konkurrentët tjerë global edhe në fusha tjera si: ekonomi, diplomaci, siguri apo edhe art e kulturë.    

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose ta merrni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i reflektojnë pozicionet e Institutit për studime komunikuese e as të donatorit.

Alfred Marleku

Alfred Marleku është Doktor i Shkencave Politike dhe Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Komparative në Kolegjin UBT, në Fakultetin e Shkencave Politike. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë punimeve shkencore në fushën e shkencës politike në revistat përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është bashkëautor i një seri dokumentesh strategjike, kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Interesat e tij kërkimore përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet e vogla dhe procesin e ndërtimit të shtetit. Për më shumë se 8 vjet ai ka punuar si menaxher i projekteve në programe të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID, Ambasada e SHBA-së dhe të tjera, kryesisht në reformën e arsimit të lartë në Kosovë, duke u përqëndruar në: kërkimin dhe zhvillimin; ikja e trurit; zhvillimi i kurrikulave mësimore, etj.