fbpx

Kohëra të vështira për Shqipërinë

COVID-19

Ekonomia

Histori nga rajoni

12.10.20

Прегледи

Ornela Liperi

Ornela Liperi 200x250Rimëkëmbja ekonomike do të jetë më vështirë se që është pritur.

Çdo ditë hyrja në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është bllokuar nga trafiku. Rrugët janë të stërmbushura me njerëz që shpejtojnë për t’i kryer obligimet e përditshme. Kafenetë janë pothuajse plot. Disa prej qytetarëve mbajnë maska, por shumica janë të pandërgjegjshëm. Në qendër dhe në çdo cep të kryeqytetit po ndërtohen ndërtesa të larta dhe rrokaqiej. Ndërsa këto ditë kur gjithçka u stopua dhe rrugët ishin bosh duken shumë larg.

Fatkeqësisht, kjo është vetëm fasadë, pas së cilës fshihet një realitet i hidhur. Ekonomia e Shqipërisë është goditur seriozisht nga pandemia me virusin KOVID-19. Instituti Kombëtar, INSTAT, sapo publikoi se ekonomia e Shqipërisë shënon rënie prej 10.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2020, në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin 2019. Kjo është rënia më e madhe nga viti 1997, kur vendin e goditi kriza e shkaktuar nga rënia e mashtrimeve piramidale.

“Veprimtaritë si tregtia, transporti, dhe hoteleria” janë më të goditur. Ky grup i shërbimeve shënon rënie prej 26,3 për qind në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2019.

Në rrugët e Tiranës dhe shumë qytete tjera janë vendosur shenja “jepet me qira”. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e të Ardhurave Publike tregojnë se numri i subjekteve afariste (shumica e tyre të vogla) që kanë kaluar në joaktivë është rritur për më shumë se 40 për qind në periudhën maj-gusht 2020, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Shumica e tyre fajin për dështimin e tyre ia hedhin krizës nga Kovidi dhe rënies së fuqisë blerëse. Kjo duhej të pritej në një vend ku shitoret e vogla për tregti dhe shërbime janë kryesore për punësimet (p.sh., ka afro 18 mijë bare dhe restorante ose 16 për qind të subjekteve të përgjithshme në vend, sipas të dhënave nga INSTAT).

Në fillim të prillit, Banka Botërore paralajmëroi se Shqipëria është në rrezik për shkak të vëllimit të madh të ekonomisë joformale dhe shkallës së lartë të vetëpunësimit (me shkallë të vetëpunësimit prej 34,7 për qind të numrit të përgjithshëm të punësimeve, Shqipëria është në vendin e parë në rajon sipas këtij indikatori). “Vendet në të cilat ka shkallë të lartë të punës në të zezë, punësimeve të përkohshme dhe vetëpunësimeve do të ballafaqohen me rritje të papunësisë, gjë që do të shkaktojë vështirësi të konsiderueshme, veçanërisht nëse nuk ka mbrojtje sociale adekuate", thonë nga banka.

Teski vreminja za Albanija 1Burimi: Banka Botërore

Qeveria miratoi dy pako për mbështetjen e qytetarëve dhe subjekteve afariste të goditura nga pandemia me virusin KOVID-19 në shumë prej 45 miliardë lekë (2,8 për qind të PBV-së), gjë që përbëhet nga shpenzimi buxhetor, garancitë shtetërore, shtyrjet e tatimeve dhe subvencionimi i rrogave për periudhën mars-maj.

Teski vreminja za Albanija 2Burim: cnn.com

Megjithatë, pas ndërprerjes së mbështetjes së rrogave, papunësia i rrit menjëherë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në gjysmën e parë të vitit 2020, rreth 50,000 qytetarë humbën vendet e tyre të punës, ose rreth 6 për qind e fuqisë punëtore totale në sektorin privat (shërbime jo bujqësore dhe bujqësore). Kjo është rënia më e madhe që është shënuar në këtë dekadë. Afro 60 për qind e personave të papunësuar janë të rinj, deri në moshë 29 vjeçare.

Pandemia kishte ndikim negativ edhe mbi buxhetin e Shtetit. Deri nga mesi i vitit 2020, borxhi publik u rrit në 80 për qind të PBV-së, që është për 14 pikë përqindjeje më shumë nga fundi i vitit 2019, duke arritur nivelin më të lartë deri tani. Në qershor 2020, Shqipëria lëshoi ​​një euroobligacion prej 650 milion euro për të ndihmuar në mbulimin e fondeve të nevojshme. 

Rrënjët e thella të krizës

Që para krizës së shkaktuar nga pandemia, Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, me PBV për kokë banori prej vetëm 31 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian, kishte progres të dobët. Ky nivel mbeti i pandryshuar në vitet e fundit, duke treguar se vendi ka ngecur në të ashtuquajturin proces i konvergjencës. Ky nivel i varfërisë konsiderohet të jetë një nga faktorët kryesorë për shkallën e lartë të emigracionit dhe rritjen e përfshirjes së popullatës në krimin lidhur me drogën dhe kontrabandën.

Rritja në vitin 2019 ra nga 4 për qind nga viti paraprak në 2 për qind, si rezultat i një tërmeti të fortë që goditi Shqipërinë qendrore më 26 nëntor dhe rënie të prodhimit të energjisë elektrike për shkak të motit të thatë. Borxhi publik ishte në nivel të lartë prej rreth 70 për qind të PBV-së në fund të vitit 2019, duke u lënë më pak hapësirë ​​financiare kreatorëve të politikave, krahasuar me vendet e tjera në rajon, të tilla si Serbia (52 për qind) ose Maqedonia Veriore (39 për qind).

FMN parashikon se në fund të vitit 2020 deficiti fiskal do të rritet në afro 7 për qind të PBV-së, e se borxhi publik do të tejkalojë 80 për qind të PBV-së.

Teski vreminja za Albanija 3Burimi: FMN

Dobësitë strukturore të vendit erdhën në shprehje gjatë periudhës së pandemisë. Puna e paguar dobët dhe puna në të zezë ishin shumë të përhapura. Paga mesatare e punëtorëve shqiptarë është më e ulët në Ballkanin Perëndimor (për sa i përket paritetit të fuqisë blerëse), sipas Bankës Botërore. Mbi 30 për qind të vendeve të punës janë në të zezë. Numri i vendeve të punës me orar të shkurtuar dhe vetëpunësimi është më i madh në rajon.

Bujqësia, e cila ka një shkallë të ulët produktiviteti, përbën gati 40 për qind të numrit të përgjithshëm të punësimeve, ndërsa prodhimi dhe shërbimet nuk janë të zhvilluara mjaftueshëm. Pagat e ulëta janë përparësia kryesore konkurruese e eksportuesve, siç janë prodhuesit e tekstilit të cilët kryesisht eksportojnë në Itali. Eksportet e mallrave në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, u zvogëlua për më shumë se 40 për qind gjatë mbylljes së shtetit (mars-maj 2020) dhe për 15 për qind në qershor-korrik krahasuar me vitin paraprak. Në përgjithësi, eksporti total i mallrave në shtatë muajt e parë të vitit 2020 shënoi rënie për 17 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Rënia ekonomike pritet të rrisë varfërinë. Sipas Bankës Botërore, para krizës me Kovid-19, 4 nga 10 shqiptarë kanë jetuar me më pak se 5.5 dollarë amerikane në ditë.

Projeksionet e hershme të Bankës Botërore për varfërinë pas tërmetit dhe pandemisë me Kovid-19 parashikojnë që varfëria do të vazhdojë të lëvizë afro 40 për qind në vitin 2020, duke shkatërruar progresin në uljen e varfërisë të arritur në vitet e fundit të rritjes.

Rimëkëmbja do të shkojë më vështirë se që është pritur

Shpresat fillestare për rimëkëmbje të shpejtë po zbehen. Turizmi, si një prej promotorëve të ekonomisë shqiptare, arriti të mbijetojë me "ndihmën" e qytetarëve të Kosovës. Por ndikimi i saj në ekonomi ishte margjinal në krahasim me vitet e mëparshme kur po lulëzonte. Numri i shtetasve të huaj në Shqipëri në tetë muajt e vitit 2020 u ul për 64.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, aeroporti i vetëm në vend, fluturimet Çarter kanë shënua rënie për afro 70 për qind në shtatë muajt e vitit 2020 krahasuar me vitin paraprak.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në "Vlerësimet e fundit ekonomike rajonale" parashikon që Shqipëria dhe Mali i Zi të kenë rënien më të fortë në vitin 2020, përkatësisht me 9 për qind, për shkak të varësisë së lartë nga turizmi. Serbia do të përjetojë një rënie më të vogël prej vetëm 3.5 për qind, pas së cilës vijojnë Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Kosova (5 për qind). I gjithë Ballkani Perëndimor do të shënojë një rënie prej 5.1 për qind, gjë që është më lartë se parashikimi prej 3.9 për qind për rajonet e BERZH.

Përderisa parashikimi për vitin 2020 nga raporti i mëparshëm në maj mbetet i pandryshuar, BERZH uli vlerësimin e saj për ekonominë shqiptare për vitin e ardhshëm për 7.5 pikë përqindje. Ekonomia vitin e ardhshëm do të shënojë rritje për vetëm 4.5 për qind, krahasuar me vlerësimin fillestar prej 12 për qind. Ky është korrigjimi më i madh rënës, jo vetëm krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe me të gjitha rajonet e BERZH-it. 

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) gjithashtu ka parashikime pesimiste. Në Konkluzionin e tij të Misionit të parë për monitorimin e programit, FMN korrigjoi vlerësimin për vitin 2020, nga -5 për qind në prill në -7.5 për qind, duke pasqyruar varësinë e vendit nga turizmi dhe remitencat.

Ky është një sinjal që mund të ketë një rimëkëmbje në formë “V”. Megjithëse ekonomia pritet të fillojë të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe të forcohet gradualisht gjatë vitit 2021, me ç’rast ndikimi i goditjeve zvogëlohet dhe rikonstruktimi nga tërmetit vazhdon, megjithatë kthimi në normalitet do të zgjasë më shumë.

Emigracioni është zgjidhja “më e shpejtë“

Që nga fillimi i viteve 90-ta, pasi vendi kaloi nga një sistem socialist në një sistem demokratik, emigracioni i popullsisë shqiptare ka filluar të rritet ndjeshëm. Rreth 1.2 milion njerëz janë larguar nga vendi në tre dekadat e fundit, ose më shumë se 40 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Teski vreminja za Albanija 4Burimi: Eurostat

Ky trend përsëri u paraqit në 2014 dhe sot Shqipëria është lider në numrin e kërkesave për azil në vendet e BE+, në vendin e parë në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në mesin e dhjetë të parëve në botë.

Të rinjtë janë ata që largohen më shumë nga vendi. Të dhënat e Eurostat tregojnë se rreth 80 për qind e azilkërkuesve në 2014 kanë qenë nën moshën 34 vjeç. Një e treta e tyre kanë qenë nën 14 vjeç, gjë që është një shenjë dëshpëruese për prindërit për të ardhmen e fëmijëve të tyre në Shqipëri!

Për shkak se pandemia mund të rrisë më tej varfërinë në Shqipëri, pritet që shqiptarët përsëri të kërkojnë shpëtim në emigracionin, gjë që do ta vështirësojë zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik të vendit!

 

Iniciativa "Tregime nga rajoni #2" zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit – IKS (Maqedonia), në bashkëpunim me Analizo.ba (BeH), Sbunker (Kosovë) nisma qytetare Ne davimo Beograd“ (Serbi), ABCnews.al (Shqipëri), Prlija (Kroacia), SEGA (Bullgaria) dhe PCNEN (Mali i Zi).

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni apo shkarkoni
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose të dhuruesit.